Dhembshuria e një nëne
Në Sahihun e Muslimit transmetohet se tek Aishja (r.a) shkoi një grua me dy fëmijë dhe i tha: “O nëna e besimtarëve, kemi tri ditë pa ngrënë, na jep diçka!”
Aishja (r.a) kërkoi në shtëpi dhe gjeti tri hurma që ia dha nënës me dy fëmijë dhe filloi t’i shikonte. Nëna u dha nga një hurmë fëmijëve dhe çoi dorën te goja të hajë një hurmë për vete. Por sapo e afroi hurmën te goja, fëmijët e kishin ngrënë secili hurmën e tyre dhe ngritën duart të kërkojnë më shumë. Atëherë nëna peshoi mes dhembshurisë së saj dhe vuajtjes së urisë. Ndjenja e dhembshurisë e kapërceu urinë dhe nëna e largoi hurmën nga goja e saj dhe e ndau mes dy fëmijëve.
Aishja u mahnit nga ajo që pa dhe kur erdhi Profeti (a.s) në shtëpi i tregoi për atë që kishte ndodhur. Ai i tha: “Me këtë bamirësi, Zoti e ka shpëtuar atë grua nga zjarri e i ka dhënë Xhenetin.”