Detyrat ndaj fëmijës

Përgatitja e mjedisit të edukimit

Që fëmijët tanë të mund të rriten në mënyrë të përsosur, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë i përsosur. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit dhe, në një kuptim, konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të ele­mentëve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit. Në jetën shoqërore mund të për­mendim edhe dyqanin e rrobaqepësit, punishten e mara­ngozit, qendrën e pastrimit të rrobave dhe sektorë të tjerë të shërbimeve. Po qe se ju nuk keni bërë dot një vlerësim të mirë të këtij mjedisi dhe nuk i keni zhvi­lluar instinktet e tij në këtë drejtim, infektimi i tij një ditë me një virus çfarëdo bë­het i pamënjanueshëm. Sigurisht, po qe se mje­di­si është i prishur, edhe fëmija një ditë patjetër do të prishet. Prandaj mjedisin, duke filluar që nga familja e duke vazhduar në çdo etapë të rrugës dhe njësi të jetës, duhet ta bëni të për­shtatshëm për rritjen dhe edukimin e përsosur të fëmijës tu­aj, sepse, pasi të ngjajë e keqja, është e pamundur t’i kthesh gjërat nga fillimi dhe ta rregullosh gjendjen.

  Ushqimi i fëmijës me gjëra hallall

Edhe ushqimi i fëmijës me gjëra hallall, të fituara me të drej­të e në mënyrë legjitime, duke filluar nga periudha e pa­rë e for­mimit të tij në barkun e nënës, ka rëndësi të jash­tëzakonshme. Duhet ta dimë në mënyrë të prerë se, në peri­udhën e zhvillimit të fëmijës, një shkëputje në një ndodhi çfarëdo në të cilën jemi të detyruar të lidhemi pas Allahut, reflektohet edhe te fëmija si një rrethanë negative qoftë edhe përkohësisht, gjë që është nga dukuritë e shpeshta.

Një sasi haram në damarët tuaj ose një send i dyshimtë që e keni shtënë në dorë në këtë apo atë mënyrë, duke pa­sur para­sysh këtu, qoftë ju, qoftë gruan tuaj, mund të bëhet shkak për rrëshqitjen e përkohshme ose të përjetshme të atij fëmije.

  Mbrojtja nga syri i keq

Pasi të vijë fëmija në botë, ashtu siç kujdesemi për ushqi­min, mirërritjen, pamjen e tij, ka shumë rëndësi edhe që ta mbrojmë nga syri i keq.

Për shembull, patjetër duhet llogaritur që, nën rrezatimet e syve mëkatarë të dikujt me ndjenja të fëlliqta, me mendi­me të fëlliqta, me sjellje të fëlliqta, me fjalë të fëlliqta, disa ndjenja të holla të fëmijës mund të atrofizohen.

Të gjitha këto janë pjesë të detyrave që duhet të plotësojmë ndaj fëmijës si shprehje të marrëdhënieve tona me Allahun (xh.xh.) e me fenë. Po t’i sjellim në vend këto detyra me përpi­k­mëri, mund të bëhemi si një shoqëri engjëjsh.

  Rregullimi i mjedisit familjar

Në hadithin profetik porositet: Fjala e parë që duhet të thotë fëmija, duhet të jetë “La ilahe il’lallah, nuk ka zot tje­tër veç Allahut!”

Kur fëmija është ende 2-3 vjeç, fjalët e para që i dalin goje vetvetiu janë “nënë-baba”, kurse fjala që ai duhet ta thotë me vullnet, duhet të jetë “Allah (xh.xh.)”. Sepse Alla­hu është i paraqenë, i pasqenë dhe i gjithëqenë. Pastaj, pas këtij shtre­simi bazë, mbi të do të ngrihen gjëra të tjera, rreth të cilave do të mbështillen, sipas moshës dhe horizontit njohës të tij, termat atdhe, tokë, flamur, liri, pavarësi, etj. Kur fëmija të jetë në vitet e para të shkollës, do t’i jepen njohuri sipas asaj moshe. Kur të shkojë në të mesmen, ku do të merret me filozofi, shkenca sho­qërore, etj, do të mbë­shtetet dhe përforcohet me materialet e atij niveli. Po qe se në një shtëpi ka respekt ndaj Allahut dhe bisedohet shpesh për Të, mund të konsiderohet se kemi kapur synimin për ta bërë fëmijën të thotë atë që kërkojmë të thotë. Sigurisht, po qe se në një shtëpi bihet në ruku e në sexhde me emrin e Allahut dhe ndjehet një impresionim i thellë kur përme­ndet emri i Tij, nuk do të jetë e vështirë që fjala e parë që do të thotë fëmija në mënyrë të vullnetshme, të jetë “Allah”! Se­pse në një shtëpi të tillë çdo gjë mendohet se ecën në or­bitën e vet!

  Rregullimi i dozës së dashurisë

Kur Allahu të na dhurojë një fëmijë, ashtu siç thotë edhe Kur’ani, nuk duhet të ndodhë që, duke u lëshuar pas tij me të gjithë zemrën dhe me një dashuri të pakufishme, të ka­lojmë në ekstrem duke shfaqur, larg qoftë, ndaj fëmijës një dashuri si ndaj Allahut!

Një sjellje e këtillë, në vështrimin e Allahut (xh.xh.), mund të quhet një lloj politeizmi. Po, nuk ka dyshim se shtënia drejt­përdrejt pas dashurisë për fëmijën duke e ha­rruar Allahun është një gabim i madh. Veçanërisht, në një aspekt, edhe një dashuri që do t’ju shtynte ju në veprime të tilla të pallogaritura ndaj fëmijës është e dëmshme. Ja, pra, kjo duhet të jetë dashuria e ndaluar sipas Allahut (xh.xh.). Po qe se dashurinë që duhet të tregoni ndaj Allahut (xh. xh.), e ktheni ndaj një qenieje tjetër çfarëdo, të vdekshme, kjo mund ta prekë, ndonjëherë, durimin hyjnor.

Prandaj, maturia në dashuri është shumë e rëndësishme sepse:

1. Mbreti i zemrave është Allahu (xh.xh.). Askush nuk duhet ta zërë në zemër vendin e dashurisë për Të.

2. Duhet ta dimë pa dyshim se fëmija është amaneti i Alla­hut (xh.xh.) për ne. Dashuria dhe interesimi që ndjejmë ne për fëmijën është një paradhënie dhe stimul për ne me qëllim që të kujdesemi për atë amanet. Po, dashuria juaj për fëmijën është vetëm një dhuratë e Allahut Mëshirues e Shpërblyes që ju të kujdeseni pa të metë për atë amanet që jua la në dorë.

  Shembulli i mirë

Ndjenjat që ushqejmë për fëmijët që po rrisim, men­dimet, fjalët, jeta ndjesore, sjelljet tona duhet të kenë gjith­monë për synim të bëhen shembull. Po deshëm që ata të rriten në mënyrë të përkryer, jemi të detyruar t’i kushtojmë jashtëzakonisht vëme­ndje kësaj veçorie. Për shembull, po dëshiruam që ata të falin namaz, duhet të falemi në sytë e tyre me kujdesin më të madh duke treguar me sjelljen tonë kufijtë e edukatës ndaj Allahut (xh.xh.). Duhet të themi gji­th­monë të drejtën duke u shmangur nga gënjeshtra. Po de­shëm që ata të mos thonë fjalë të papër­shtatshme, nuk du­het të përdorim në shtëpi asnjë fjalë të papër­shtatshme dhe në kujtesën e tyre nuk duhet të shkruhet asnjë fjalë e tillë. Po menduam që të bëhen të vyer, që të jetojnë të nder­shëm, që të jenë të ndjeshëm ndaj nderit të të tjerëve sa ndaj nderit të vet, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kë­saj ata ta marrin në shtëpi duke u bërë ne heronjtë e parë të kësaj pune.

Po deshëm që fëmijët tanë të këndojnë Kur’an, që të bë­hen të afërt të të vërtetave kur’anore, duhet që në shtëpi të disku­tohet Kur’ani nga mëngjesi në mbrëmje, duhet të tre­gojmë res­pekt për pozitën e lartë të Kur’anit në mënyrë që të mos i shtyj­më ata në kundërshti.

Prandaj, fjalët, ndjenjat, emocionet dhe sjelljet janë në shtëpi faktorët edukativë më me ndikim dhe duhet të vlerë­sohen pa­tjetër. Ndryshe, po qe se çështjen ua lini vetëm të tjerëve duke u thënë, “tregojini diçka këtij”, s’keni bërë as­gjë.

  Edukimi i fëmijëve me ndjenjën e vlerësimit dhe të dashurisë për Allahun

Siç dihet, në vitet e shkollës tetëvjeçare, më saktë gjer në moshën e pubertetit, fëmija nuk është i detyruar të kryejë detyra fetare, prandaj, nëse kryen ndonjë detyrë të tillë, por me të me­ta, kurrsesi nuk duhet qortuar.

Ndërkaq, duhet ditur edhe se gjithçka që do t’i themi a tre­gojmë fëmijës gjatë kësaj periudhe kur ai s’ka përgjegjësi fetare, do t’i mbetet për jetë në mendje e në zemër. Edhe ndjenja e vlerësimit është ndër gjërat që duhet t’i edukohen dhe nguliten atij në këtë periudhë. Kjo ka shumë rëndësi. Fëmija duhet t’i njohë të mirat që i vijnë dhe, para të mira­ve, duhet ta falënde­rojë edhe Allahun (xh.xh.), edhe njerë­zit. Ndjenja e vlerësimit, e edukuar në këtë perudhë, do të bëjë që në të ardhmen ai të bë­het një njeri mirënjohës dhe falënderues. Madje, me kohë, kjo ndjenjë do të kthehet në cilësi të karakterit të tij.

Në këtë mes, një çështje të veçantë përbën tregimi fë­mijës i dhembshurisë, mëshirës dhe bamirësisë së Allahut (xh.xh.) që na ka ushqyer e rritur me të mirat e Tij. Duhet t’i tregojmë fë­mijës se si na ka ushqyer Allahu, si është kuj­desur për ne, si na ka dhënë dashuri dhe, duke i thënë, “Allahu është shumë i dhembshur, na mbron ne nga të gjitha të këqiat e fatkeqësitë”, të nxisim te fëmija ndjenjat e besimit, sigurisë dhe dashurisë ndaj Tij. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë fëmijës se edhe kafshët më të vogla ushqehen me mëshirën e Tij.

Kështu, në mendjen e fëmijës, gjithësia do të formësohet si një qenie që shqipton emrat Mëshirues e Bamirës dhe ai do të ndjejë se të gjitha të mirat brenda shtëpisë i ka dër­guar dikush dhe zemra e fëmijës do të mbushet plot dashuri e mirënjohje për Krijuesin dhe Dhuruesin e atyre të mirave!

  Tregimi me qëndrim ose komunikimi pa fjalë

Mënyra më me ndikim në procesin e mësimit dhe edu­kimit është tregimi dhe komunikimi me qëndrim, sjellje e gjeste. Rre­gullimi i përshtatshëm i jetës në shtëpi është pa­krahasimisht më me ndikim në komunikimin e një ideje dhe në edukimin e fë­mijës.

Kështu, sikur ta sillte rasti që fëmija t’ju shihte ju në një na­maz të pasmesnatës duke u falur me një përkushtim të thellë, kjo do t’i tregonte atij, në një mënyrë prekëse e të pa­shlyeshme dashurinë tuaj të thellë ndaj Krijuesit. Por po qe se do të përpi­qeshit t’ia tregonit ndjenjat tuaja vetëm me fja­lë, nuk do të arri­nit dot të bëheshit i besueshëm dhe i ndi­kueshëm mbi të.

Hz. Aishenë (r. anha) e patën pyetur se cili ishte morali i të Dërguarit të Allahut dhe ajo u qe përgjigjur: “A nuk kë­ndoni Kur’an ju? Morali i tij është Kur’ani!”

Nga ky hadith ne kuptojmë këtë: i Dërguari i Allahut, profeti Muhammed (s.a.s.), kishte atë mënyrë jetese që përputhej me atë çka kërkonte Kur’ani.

Kështu, duke na e përcjellë ne Kur’anin, na e përcillte të je­tuar, të kthyer në jetë nga ai vetë. Në mes kishte një Kur’an të jetuar në jetë dhe një jetë të kënduar në Kur’an. Prandaj ato që thoshte Profeti me fjalë dhe praktikisht, gjenin refle­ktim në zem­rat dhe ndërgjegjet e pastra, pranoheshin nga të gjithë dhe të gjithë përpiqeshin t’i vinin në jetë ato.

Prandaj, qëndrimet tona nuk duhet të jenë të ndryshme nga fjalët tona. Ky dallim quhet hipokrizi praktike. Ndry­shimi bre­nda-jashtë e shtyn fëmijën në dyfytyrësi, hipokrizi dhe në një men­dësi dualiste. Sipas shprehjes së Kur’anit, e bën atë të paqën­drueshëm.

Kur ju t’i flisni fëmijës për të mirat dhe dhuntitë e Allahut, ba­shkë me ju edhe ai do të mbushet me ndjenjën e mirë­njohjes dhe falënderimit dhe do të thotë: “Mijëra herë falë­nderuar qoftë Allahu (xh.xh.) që na ka krijuar, na ka bërë njerëz dhe na ka pajisur me dhunti të panumërta, që na ka favorizuar shëndet, na ka dhënë prindër, që na dërgon çdo ditë sofra të mirash të ndryshme, që ka krijuar ajrin, ujin, dheun, pemët dhe na i ka dhënë neve!”

Sidomos po t’i sugjeroni këto herë pas here e po t’i fusni në një orbitë bisedat dhe konsultimet që bëni në shtëpi, çdo gjë arrin një bukuri të veçantë.

  Dhembshuria

Në edukim, dhembshuria ka një vend të veçantë. Profeti si­llej me aq dhembshuri ndaj atyre që i kishte pranë e që i bënin shërbime të posaçme, saqë e linte në hije dashurinë dhe intere­simin prindëror!

Enes b. Malik (r.a.) rrëfen: “I shërbeva të Dërguarit të Allahut dhjetë vjet, por nuk më kujtohet që të më ketë thënë “pse s’e bëre” për një gjë që s’e pata bërë dhe, “pse e bëre” për një gjë që e pata bërë. Ai kurrë nuk më qortoi.” Po, ai sillej kështu, me dhembshuri edhe ndaj të tjerëve duke i trajtuar më mirë se një prind. Kurse ndaj bijve dhe nipërve ishte jashtëzakonisht i butë e i dhembshur sa s’kishte ku shkonte.

Po qe se fëmija duhet të ketë frikë prej diçkaje, duhet të ketë frikë jo nga druri, kërcënimi, ndëshkimi, por nga hu­mbja e dhe­mb­shurisë së prindërve. Po qe se thartimi i fy­tyrës së të atit, përlotja e syve të nënës bëhen për të faktorët më veprues për ta sjellë në rregull, pandeh se kjo gjë mja­fton dhe tepron. Ndër­kaq, ka shumë rëndësi që fëmija t’ju besojë, të jetë i bindur se i ndjeni dhe bëheni pjesëtar i dhi­mbjeve apo vuajtjeve të tij. Kë­shtu, kur ai të qajë, në e bëfshi, edhe ju uluni e përlotuni, të pa­ktën merrni pjesë në dëshpërimin e tij. Ashtu siç qan qielli për disa njerëz, ashtu dhe ju, kur fëmija juaj është i prekur, kini mirësinë dhe pre­kuni si ai. Atëherë ju do të lartësoheni në sytë e tij, fjalët tuaja do të fitojnë vlerë dhe ndikim të madh mbi të dhe aq shumë do të hyni në zemrën e tij, saqë asnjë forcë s’do të mund t’ju shkulë prej aty.

  Autoriteti

Eshtë shumë jetësore që në shtëpi të mos ketë boshllëk au­toriteti. Po qe se në shtëpi nuk ka një autoritet që do të sigu­ro­nte harmoninë e saj, shtëpia nuk do të shpëtonte dot nga tur­bullia e drejtimit dhe fëmijët, nga dualizmi i persona­litetit.

Allahu (xh.xh.) urdhëron kështu në Kur’an: “Meqë Allahu i ka bërë një pjesë njerëzish të ndryshëm nga pjesa tjetër dhe meqë burrat shpenzojnë nga malli i tyre, burrat janë kujdestarët dhe mbrojtësit e grave. Prandaj gratë e mira janë të bindura dhe e ruajnë të fshehtën dhe e mbrojnë nderin e tyre. Nëse i druheni kryelartësisë dhe kundërshtimit të tyre, këshillojini dhe, po qe nevoja, ndajeni shtratin me to ose i rrihni lehtë pa i lën­guar. Por po t’ju binden, mos u sillni keq ndaj tyre sepse Allahu është i lartë e i madh!” (Kur’ani, Nisa, 4/34)

Brenda shtëpisë, nisur nga disa veçori të caktuara, burri ësh­të përgjegjës për rregullin dhe harmoninë e përgjithshme. Madje mund të thuhet se ai është përgjegjës në shkallë të parë në shu­më çështje. Në të vërtetë, edhe fëmijët kanë ne­vojë për një njeri të tillë përgjegjës. Fëmija që sheh qartë ve­tëdijen e përgjegjësisë brenda shtëpisë, sa të ketë jetën, s’ka për ta lëshuar veten në rrëmujë dhe papërgjegjësi. Në të ku­ndërt, prania në shtëpi e dy vetëve të papërgjegjshëm dhe ardhja e urdhrave nga dy vende do ta bëjë rrëmujë men­di­min e fëmijës.

Veçanërisht, kur fëmija të ketë frikë njërin nga prindërit, du­het të ketë mundësi të strehohet tek tjetri dhe ky tjetër duhet të jetë prehri i nënës. Kështu, fëmija nuk do të ndjejë vetmi. Në të kundërt, po qe se jeta familjare në shtëpi nuk mbështetet në një unitet të tillë, kundërshtitë dhe përplasjet do të vazhdojnë dhe në familjen ku gruaja është një kokë më vete dhe burri, një ko­kë më vete, fëmijët do të rriten pa ndjenja e të egër.

Para së gjithash, familja duhet të lidhet pas Allahut. Kur prindërit ose njëri prej tyre do ta ma­rrë në dorë këtë çështje si një zëvendës i Allahut, pjesëtarët e familjes, si rrjedhojë e besnikërisë ndaj Allahut, do të jenë aq të denjë, aq të vyer dhe zotërues të çështjeve, sa s’mund të ketë më tej dhe në atë familje s’do të ketë më asnjë problem.

Postime të ngashme