Cilat janë esenca dhe cilësitë e Zotit?

Zoti është krejt tjetër nga çdo gjë që Ai ka krijuar, nga e vërteta dhe relativiteti i tyre. Në këtë botë të kufizuar, njeriu mendon, sheh dhe dëgjon në mënyrë të kufizuar. Gjërat që njeriu arrin të shohë në këtë botë, janë në raportin pesë për një milion. Po kaq edhe gjërat që arrin të dëgjojë. Për shembull, ai nuk e dëgjon tingullin me frekuencë 40 Herc. Nuk dëgjon as tingujt me frekuencë që e kalojnë mijëshin. Kjo do të thotë se ai e ka të kufizuar mundësinë e perceptimit të tingujve që është përsëri një numërues tepër i vogël ndaj milionit. Shumë të ngushta janë edhe fushat e tij të mendimit dhe ndijimit. Atëherë, përpjekja e këtij njeriu që sheh, dëgjon, ndien dhe kupton në mënyrë kaq të kufizuar, për të gjykuar mbi Zotin duke e kufizuar Atë, duke i atribuuar Atij relativitet sasior dhe cilësor me anë të pyetjeve të trajtës “Si është Zoti”, “Pse nuk e shohim Zotin”, etj., do të thotë të mos e njohësh veten. E ç’je ti dhe ç’di ti, o njeri, që të dish edhe Zotin! Zoti s’ka të bëjë me kufizime sasiore dhe cilësore si dhe është aq i madh e sublim sa që nuk mund të matet me kriteret e tua të mangëta! Edhe sikur të shkosh ti përtej largësive një trilion vite dritë e t’i shohësh ato universe dhe pastaj t’i vësh njëra mbi tjetrën, ato nuk do të përbënin as diç të vogël e mikroskopike në raport me qenien e Tij! Kur ne nuk e njohim ende kontinentin e Antarktidës, si do të mund të kemi njohuri për madhësinë dhe cilësinë e Zotit që i vërtit të gjitha universet brenda fuqisë së Tij? Pikërisht pse është Zot, Zoti është i shenjtë e i pakarakterizueshëm në madhësi e cilësi. Ai është përtej çdo lloj përfytyrimi që ne mund të bëjmë! Teologu thotë: Zoti është i ndryshëm nga çdo gjë që mund të të shkojë ty nëpër mend. Kurse mistiku thotë: Zoti është përtej së përtejmes së përtejmes së asaj që të shkon ty nëpër mend!.. Dekarti thotë: Njeriu është i kufizuar në çdo gjë. Dhe ai që është i kufizuar nuk mund ta mendojë atë që është i pakufizuar. Ndërsa qenia e Zotit është e pakufizuar, është eternale. Si rrjedhojë, njeriu, i cili mendon në mënyrë të kufizuar, nuk mundet ta rrokë apo ta konceptojë Atë! Shkrimtari gjerman Gëte na flet me këto fjalë për Zotin, për këtë Qenie të panjohur: Të kujtojnë Ty me një mijë emra, o i Panjohur! Edhe sikur të të kujtoja Ty jo me një mijë, por me mijëra emra, prapë nuk do të quhesha se do të të lartësoja, sepse Ti qëndron përtej çfarëdolloj përshkrimi! Mendimtarët e vlerësojnë Zotin si qenie, por si një qenie që nuk mund të njihet. Zoti nuk është ndër ato gjëra që mund t’i konceptojë e që mund t’i njohë njeriu. Syri nuk mund ta shohë, veshi nuk mund ta dëgjojë, ndërkaq, ti, o njeri, duhet ta besosh Atë ashtu siç profetët të kanë mësuar! E si mund të njihet Zoti, kur Ai është burimi i parë, shkaku i parë, edhe i trupit tënd, edhe i diturisë tënde! Qenia jonë është hija e dritës së qenies së Tij, dituria jonë – një grimcë e diturisë hyjnore, që është mjedisi i Tij! Po, në një nivel të caktuar, rruga e njohjes së Zotit dhe e zotërimit të diturisë ekziston, vetëm se kjo është krejt e ndryshme nga rruga e njohjes së materies. Ata që nisen ta njohin Atë përmes një rruge të gabuar, janë veç disa fatkeqë që s’kanë mundur ta thyejnë krenarinë e egos së vet, që s’kanë mundur të ndiejnë e të shijojnë se ç’është vëzhgimi i vërtetë, të cilët, me përçartjen e kërkova Zotin, po s’e gjeta dot, nxjerrin në shesh perversitetin e tyre në emër të shkencave të natyrës e të filozofisë! Allahu është një Zot i atillë që e tregon qenien e Tij, qoftë në botën të brendshme, ashtu edhe atë të jashtme, dhe në miraxhin, lartësimin e shpirtit dhe të zemrave, na tregon se qenia e Tij është e domosdoshme dhe e detyrueshme, si dhe na bën ne që ta ndiejmë Atë në thellësinë e shpirtit tonë. Ja, pra, kjo ndjenjë që buron prej ndërgjegjes sonë, që është rrënja e të gjitha diturive tona, është më e fuqishme se të gjitha shkencat, vetëdijet, mendjet, dhe idetë e kufizuara! Prandaj edhe shpesh, duke e lënë mënjanë trupin tonë dhe këtë parandjenjë të brendshme, biem në gabime e perversitete! Gjithësia është mijëra gjuhë dhe mijëra akorde që na e kujtojnë këtë. Kurani, me gjuhën e Tij oratorike, është përkujtuesi më i madh, kurse Profeti ynë – kumtuesi më i shkëlqyer i saj!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: