Urtësitë e caktimit të namazit në pesë kohë

Kuptimi që shpreh koha e sabahut
Intervali kohor nga feksja e vërtetë e dritës, e quajtur edhe fexhri sadik, që është feksja e dytë, gjer në lindjen e diellit ose, më saktë, gjer pak para lindjes së diellit, është koha e namazit të agimit. Feksja e vërtetë është ndriçimi që përhapet në horizontin e lindjes në tërë gjerësinë e tij. Në këtë çast mbaron ose del koha e namazit të jacisë dhe fillon ose hyn koha e namazit të agimit. Ky çast është, gjithashtu, çasti kur mbaron koha e syfyrit (imsak) dhe fillon agjërimi. Së bashku me zbardhjen e dritës, ne hyjmë në kohën e mëngjesit mes haresë së arritjes së një dite të re e të ndriçuar dhe themi se edhe ne lindëm si kjo ditë. Sepse kjo ditë e re na njofton edhe për ditën kur ramë në barkun e nënës, edhe për ditën e parë të gjashtë ditëve gjatë të cilave u krijua gjithësia. Ne ngjitemi nëpër një shirit të caktuar drejt orës së madhe, domethënë, nga agimi i një dite që na lind mbi krye, në çastin kur ramë në barkun e nënës dhe, prej aty, kalojmë në ditën e parë kur u krijua gjithësia, dhe, në emër të faktit që Allahu na e ka mbushur prehrin me të mirat e Tij, kujtojmë se Allahu i ka krijuar këto ditë. Pastaj, megjithëse jemi aq larg prej Tij, dalim para Tij duke e madhëruar Atë që të jetë pranë nesh me afërsinë e Tij. Ja, pra, ç’adhurim me vend është namazi i sabahut i falur me këtë kuptim!

Kuptimi që shpreh koha e drekës
Koha e namazit të drekës fillon pas çastit të quajtur zeval (zenit), kur dielli e kalon zenitin dhe fillon të rrëshqasë drejt perëndimit, dhe vazhdon gjer në kohën kur hija e çdo gjëje me qëndrim vertikal ndaj rrafshit, me përjashtim të hijes më të shkurtër të mesditës (feji zeval), arrin dyfishin e gjatësisë (lartësisë) së saj. Koha e mesditës na kujton çastin kur punët e ditës arrijnë përkryerjen dhe kur të mirat dhe dhuntitë e Allahut arrijnë kulmin. Në kohën e mesditës, njeriu vjen në gjendjen pothuaj të mbytjes nga shqetësimet e punëve të ditës. Në këto kushte, ai vrapon për në faltore me qëllim që, nga njëra anë, duke i hedhur tutje këto shqetësime, të shpëtojë prej tyre dhe, nga ana tjetër, për ta falënderuar Zotin i cili, gjer në atë orë të ditës, e ka mbuluar me të mira; vrapon për në faltore dhe gjen rast për të marrë frymë
duke u çliruar përkohësisht nga punët e kësaj bote. Të gjitha këto janë një frymëmarrje e tillë për shpirtin, që njeriu, sikur me të vërtetë ta dëgjojë shpirtin se ç’thotë dhe t’ua vërë veshin rrahjeve të zemrës, pothuajse do të ndjejë në to emocionet e nxënësit që del nga mësimi në pushim! Gjithashtu, vrapimi për në faltore kur kryet ta përvëlojë e nxehta e fortë e mesditës, për të cilën Profeti ka thënë se “të nxehtit e fortë është një bymim xhehenemi”71, bart lehtësimin e bashkimit me Zotin dhe hyrjes nën hijen e Tij atë ditë kur nuk do të ndodhet asnjë hije, lehtësimin e hyrjes nën flamurin e Profetit! Në këtë kuptim, vajtja në namazin e drekës është, duke lënë mënjanë përkohësisht truporen dhe materialen, t’ia vësh veshin thirrjes së zemrës dhe ta dëgjosh zërin e shpirtit, gjë që është i njëjti lehtësim dhe e njëjta lumturi.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: