Çfarë sjell dhe largon kërkimi i faljes (istigfari)?
Të gjitha gjërat që na urdhëron, apo na sugjeron Kur’ani, kanë shumë dobi dhe urtësi. Njeriu duhet të përpiqet që ta zbukurojë veten e tij me këto vlera dhe mirësi. Nëqoftëse do të analizohen disa vepra, shihet se istigfari vjen ndër të parat, përsa i përket mirësive që i përfton njeriut. Allahu i Lartësuar ka bërë që istigfari të jetë çelësi i shumë dyerve dhe ilaçi i shumë sëmundjeve.
Dera për te falja, pendimi dhe mëshira
Njeriu pasi të ketë vepruar një të keqe dhe pasi t’i ketë bërë padrejtësi vetes së tij, me dashje apo pa dashje, duhet që ta pranojë gabimin dhe në atë gjendje t’i drejtohet derës së faljes hyjnore. Kur’ani thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nisa, 4/110) Hz. Salihu për shpëtimin e popullit të tij, për shkak të veprave të këqija dhe kundërshtimit të urdhërave i thotë atyre: “O populli im, adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet lutjeve. (Hud, 11/61)
Istigfari është rruga më e mirë për të fituar faljen hyjnore dhe për të përfituar prej mëshirës së Tij të gjerë. Shoqëritë nuk duhet që asnjëherë ta humbasin shpresën, por ta dijnë se me kërkimin e faljes dyert e mëshirës dhe ndihmës janë gjithnjë të hapura. Nëse duan që në botën tjetër të shkojnë fytyrëndritur dhe të gëzuar, atëherë rruga mbi të cilën ecin, duhet të jetë ajo e istigfarit.
Istigfari është mburojë ndaj sprovave dhe vështirësive
Allahu i Lartësuar i shkatërroi shumë popuj me fatkeqësi të ndryshme, për shkak të mosbindjes së tyre ndaj Tij dhe të dërguarve. Historitë e profetëve janë të mbushura me shembuj të tillë. Edhe njerëzit që ecin në hapat e tyre i pret i njëjti fat. Kur’ani premton largimin e fatkeqësive si shkak të qenit gjallë të Profetit Muhamed (pqmt) dhe me kërkimin e faljes. Profeti (a.s.) sa herë që ndodhte diçka e jashtëzakonshme, si përshembull një eklips i diellit apo hënës, menjëherë lidhej për namaz dhe kërkonte falje. Pasi falte namazin hipte në mimber dhe i thoshte shokëve: “Dielli dhe hëna janë argumumente të madhështisë së Allahut. Kur të ndodhë eklipsi i tyre, lutjuni Allahut, kërkoni mbrojtjen e Tij, kujtoni madhështinë e Tij, falni namaz dhe përmendeni Atë, jepni lëmoshë dhe kërkoni falje tek Ai.”
Shkak i fuqisë dhe shtimit të furnizimit
Fuqia dhe furnizimi i bollshëm ka qenë synimi i shoqërive, dje edhe sot. Për të arritur këto është derdhur shumë gjak, janë tejkaluar shumë të drejta dhe janë flijuar shumë shpirtra. Por Allahu i Lartësuar na ka mësuar sesi t’i arrijmë ato, nëpërmjet rrugëve të ligjshme. Vështirësitë më të mëdha që hasen në këto çështje janë si shkak i largimit nga rruga e drejtë. Allahu thotë: “Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm.” (Xhinn, 72/16) Shpëtimi prej devijimeve tona është sërish te përqafimi i istigfarit.
Në këtë kontekst Hz. Hudi (a.s.) i drejtohet popullit të tij: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës. (Hud, 11/52)
Edhe i Dërguari ynë na tregon të njëjtën rrugë. “Kush nuk largohet prej istigfarit, Allahu i jep rrugëzgjidhje për çdo problem dhe e furnizon prej nga ai nuk e llogarit.”
Gjynahet tona bëhen pengesë për të fituar mirësitë dhe favoret hyjnore. Ai që i hap këto perde dhe bëhet shkak për lumturinë tonë në jetën e kësaj bote dhe atë të botës tjetër, është istigfari.