Ngjarje nga jeta e Imam Hasan Basriut
Një ditë Imam Hasan Basriu ishte duke u dhënë mësim nxënësve të tij dhe pranë tij vijnë disa njerëz, të cilit kishin disa pyetje. I pari i thotë Imamit se në atë kohë po bënte shumë thatësirë dhe kishin nevojë të madhe për shi. Ai po kërkonte një zgjidhje rreth kësaj. Hasan Basriu i tha që të bënte shumë istigfar, pra t’i kërkonte falje Zotit dhe ai njeri u largua. Personi tjetër iu ankua Imamit prej varfërisë dhe kërkoi një zgjidhje për këtë. Edhe këtij i tha të bënte shumë istigfar, pra t’i kërkonte falje Zotit dhe ai njeri u largua. Personi tjetër u ankua për mungesë të pasardhësve të tij dhe Imami i ofroi sërish të njëjtën zgjidhje; “Kërkoi falje Zotit!”
Nxënësit që ishin përreth tij u çuditën me përgjigjet e Imamit. Çdo njeri që erdhi dhe i shfaqi problemin, ai e udhëzoi të bënte istigfar. E pyetën për shkakun e kësaj dhe ai u tha: A nuk e lexoni ju fjalën e Allahut: “E u thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 10-12)