Çfarë është Kefareti (kundërshpërblimi)?
Kefareti (kundërshpërblimi) përputhet me lirimin e një skllavi, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet agjëruar dy muaj hënorë (60 ditë) pa ndërprerje. Në qoftë se edhe këtë nuk ka mundësi që ta bëjë, atëherë duhen ushqyer 60 të varfër (dy vakte ushqimi: drekë dhe darkë ose mëngjes dhe darkë). E tërë kjo bëhet në këmbim të një dite agjërimi të prishur me qëllim gjatë muajit të Ramazanit. Mbështetje për këtë është veprimi i Profetit a.s., siç transmeton Ebu Hurejreja r.a.:
“Një ditë, teksa ishim ulur afër Profetit a.s. erdhi një njeri (te Profeti a.s.) dhe i tha: – O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova! Profeti a.s., e pyeti: – Ç’është ajo që të shkatërroi ty? Ai iu përgjigj: – Kam bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten time duke qenë agjërueshëm! Pasi Profeti a.s. e kuptoi rastin, e pyeti: – A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav? Njeriu iu përgjigj: – Jo! Profeti a.s. prapë e pyeti: – A mund të agjërosh dy muaj pandërprerë? Njeriu iu përgjigj: – Jo, madje kjo fatkeqësi më ndodhi sepse nuk durova sa duhej! Pejgamberi e pyeti sërish: – A mundesh t’i ushqesh 60 të varfër? Njeriu i tha shkurt: – Jo! Në këtë moment Profeti a.s. heshti për disa çaste, derisa ia sollën një sasi hurmash, të cilat ia ofroi atij duke i thënë: – Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka. Mirëpo ai i tha: – A ka më të varfër se ne, ja ResulAllah?! Atëherë Profeti a.s. duke qeshur i tha: – Shko dhe jepja familjes t’i hajë.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi).
Prishja e agjërimit me qëllim ose mosagjërimi pa ndonjë arsye është mëkat i madh, prandaj të tillët edhe meritojnë ndëshkim të rëndë siç është kundërshpërblimi (kefareti).
Renditja e përmendur e tri alternativave si në hadithin e sipërcituar, sipas shkollës juridike hanefite, duhet respektuar. Meqë tashmë skllavëria nuk ekziston, duhet kërkuar mundësia e agjërimit të dy muajve pa ndërprerje. Kjo ua pamundëson të pasurve që ditët e prishura t’i kundërshpërblejnë me para, prandaj ata duhet që të mos prishin asnjë ditë, sepse në të kundërtën, duhet t’i agjërojnë 60 ditë për një. E, në qoftë se këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë duhet t’i ushqejnë 60 të varfër një ditë (dy vakte ushqimore) ose një të varfër për 60 ditë.
Me rastin e agjërimit të kundërshpërblimit (kefaretit) duhet ditur se:
– Kur dikush agjëron duke qenë i detyruar me kundërshpërblim, duhet ta llogarisë mirë se atë duhet ta bëjë dy muaj pa ndërprerje, kështu që në mes të këtij agjërimi ose në mes të kësaj kohe nuk duhet të hyjë Ramazani, por as ditët kur është i ndaluar agjërimi (p.sh. dita e Fitër-Bajramit dhe ditët e Kurban-Bajramit). Në të kundërtën, duhet ta rifillojë agjërimin nga fillimi.
– Në qoftë se gjatë kohës sa është duke agjëruar për kundërshpërblim, i duhet të udhëtojë, me këtë rast duhet ta vijojë agjërimin e filluar, sepse, nëse e prish, atëherë duhet rifilluar nga e para.
– Kur femrës që është duke agjëruar për kundërshpërblim-kefaret i paraqiten të përmuajshmet femërore ose ndodhet në periudhën e lehonisë, kjo nuk ia prish kushtin e pandërprerjes, prandaj, kur t’i kalojë ato ditë, do të vazhdojë aty ku ka mbetur dhe nuk ka nevojë të rifillojë nga e para.
– Me një kundërshpërblim-kefaret mund të mbulohen më shumë se një ditë e prishur me qëllim e agjërimit. Nëse qëllimisht nuk i ka agjëruar tri ditë gjatë Ramazanit, ai duhet t’i agjërojë 63 ditë. Përjashtim nga ky rregull bën personi i cili nuk e ka agjëruar një ditë dhe menjëherë i ushqen 60 të varfër dhe vazhdon të agjërojë, por prapë nuk e agjëron një ose më shumë ditë, prapë detyrohet me kefaret, sepse dënimi i parë nuk mund të vlejë për ditët e prishura më vonë.