GJËRAT QË NUK E PRISHIN AGJËRIMIN

– Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi ha ose pi nga harresa se është agjërueshëm, mirëpo, sapo t’i bjerë ndërmend se është agjërueshëm duhet menjëherë ta ndërpresë dhe ta vazhdojë agjërimin e tij. Harresa në agjërim nuk ka dallim ndërmjet agjërimit të Ramazanit apo atij nafile (vullnetar). Lidhur me këtë, Ebu Hurejreja tregon se si Profeti a.s. ka thënë:

من نسِيَ و هو صائمٌ، فأكل أو شرب ، فلْيُتِمَّ صومَه ، فإنما أطعمه اللهُ و سقاه

“Kush ha ose pi duke harruar se është agjërueshëm, le ta plotësojë (vazhdojë) agjërimin e tij, sepse Allahu e ka ushqyer dhe e ka shuar etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).

– Agjërimi nuk prishet gjithashtu nëse agjëruesi bën marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij duke harruar se është agjërueshëm.

– Agjërimi nuk prishet nëse personi gjatë kohës së agjërimit fle dhe ndërkohë ka derdhje të lëngjeve seksore apo dhe nëse e puth gruan e tij e nuk ka derdhje të lëngjeve seksore.

– Agjërimi nuk prishet nëse pas marrëdhënieve seksuale bashkëshortore e lë larjen e trupit (guslin) pas syfyrit, ose në kohën pasi të ketë filluar agjërimi i asaj dite.

– Agjërimi nuk prishet nëse dhuron gjak.

– Agjërimi nuk prishet nëse femra i grimon sytë ose fytyrën.

– Agjërimin nuk e prish as larja e trupit ose hedhja e ujit në sipërfaqe të trupit.

– Nuk e prish agjërimin nëse personi që agjëron iu merr erë trëndafilit ose sendeve erëmira apo parfumeve.

– Përdorimi i ilaçeve që futen në fund të zorrës së trashë (anus).

– Përdorimi i pikave në sy, në hundë apo në vesh me qëllim shërimi nëse agjëruesi arrin ta pengojë depërtimin e tyre në lukth, ose nëse dikush plagën e tij e shëron me ilaç të lëngët sa që ajo lagështi arrin në brendi të kokës së tij.

– Agjërimin nuk e prish gëlltitja e jargëve të gojës-pështymës ose këlbazës dhe të vjellat spontane.

– Nuk e prish agjërimin as përdorimi i pompës së oksigjenit, të cilin e përdorin ata që kanë probleme me frymëmarrjen – astma.

– Kurimi i dhëmbëve, nxjerrja e dhëmbit, madje as pastrimi i dhëmbëve me pastë nuk e prish, megjithëse po të lihet ky veprim pas iftarit do të ishte më mirë.

E, pra, le të konstatojmë edhe një herë se rregulli i përgjithshëm me këtë rast është se agjërimin e prish ajo që  hyn në trup dhe jo edhe ajo që del nga ai, siç ka thënë Ibn Abasi.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: