Ç’është ndërgjegjja?
Ndërgjegjja është dritë, të cilën Allahu e vendosi në natyrën e njeriut. Ajo është tregues dhe “busull” me të cilën lindim. Kjo dritë na udhëzon nga të vërtetat. I gjithë roli i faktorit shoqëror, në fund të fundit reduktohet në “pastrimin” e qelqit të kësaj busulle dhe shkëlqimin e saj.
Nuk është e nevojshme të kryhen fakultete të posaçme, që të mund të kuptohet se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, çfarë është e vërtetë dhe jo, që të dallohet e lejuara nga e ndaluara. Në zemrën e secilit prej nesh Allahu ka vendosur peshoren, që nuk gabon.
Prej nesh kërkohet vetëm që t’i pastrojmë shpirtrat tanë prej mbulesës materialiste, të shikojmë, shqyrtojmë, mësojmë dhe t’i dallojmë gjërat pa shkopin, i cili quhet “përvojë sociale”, por me dritën e Zotit që quhet “ndërgjegje”.
Ndërgjegjja është e vërtetë e pandryshueshme. Edhe vlerat themelore etike-morale janë po ashtu të pandryshueshme.
Vrasja e një njeriu të pafajshëm asnjëherë nuk do të quhet vlerë, e po ashtu as vjedhja, gënjeshtra, fyerja, tradhtia bashkëshortore, hipokrizia, etj. Të gjitha këto janë të meta morale dhe të tilla do të mbeten përgjithmonë.
Nga ana tjetër dashuria, mëshira, sinqeriteti, bujaria, fjala e mirë, bamirësia janë vlera dhe të tilla do të mbeten përgjithmonë.