Kush e përfaqëson njeriun, trupi apo shpirti?

Materialistët pohojnë se njeriu në të vërtetë është trupi i tij, i cili ka rol parësor karshi çdo gjëje tjetër që zotëron. Të gjitha të tjerat: arsyeja, përfundimi logjik, ndjenjat (estetike dhe etike), ndërgjegjja, qenia, uni njerëzor, janë vetëm shtojca të trupit dhe kanë rëndësi të dorës së dytë, sepse sipas tyre i nënshtrohen dhe i binden trupit. Një pohim i tillë është krejtësisht i gabuar.

Në të vërtetë trupi i njeriut i është nënshtruar shpirtit të tij. Ai ndjek shpirtin dhe jo shpirti atë. A nuk ndodh që trupi kërkon ushqim, kurse ne e privojmë atë nga ky, sepse paraprakisht kemi vendosur që atë ditë të agjërojmë në emër të Allahut? A nuk fillon trupi ynë, kur zgjohemi në mëngjes, të zbatojë atë plan pune, të cilin e kemi përpunuar me arsyetimin dhe mendjen tonë, deri në hollësitë më të vogla? Atëherë cili këtu është ai që vërtet ndjek dhe cili është i ndjekur?

Ka shumë dëshmi, që trupi i njeriut ka rëndësi dytësore në krahasim me shpirtin e tij. Mjafton të ndalemi me atë çka ndodh në fushën e mjekësisë; transplantohen organe të trupit dhe zëvendësohen me artificiale. Shohim se trupi “zbërthehet” deri në atë shkallë, pas pasur frikë se do të humbasë gjë nga personaliteti i tij. Është shpirti ai që mban “timonin” dhe drejton makinën, që quhet “trup”.

Si përfundim njeriu ka dy natyra: parësor është shpirti, kurse trupi i tij dytësor.  Pas vdekjes, natyra e dytë zhduket. Kurse parësorja, shpirti, i bashkëngjitet botës së amshueshme.

Postime të ngashme