Ç’është Islami?
Islami është një rrugë e kompletuar e mënyrës së të jetuarit. Ai është udhërrëfyesi i dërguar nga Allahu, Krijuesi i Gjithësisë për njerëzit.
Ai u jep zgjidhje të gjitha gjërave, me të cilat njerëzit ndeshen në jetën e tyre të shkurtër mbi tokë. Islami na mëson qëllimin e krijimit tonë, ekzistencën dhe vendin që zëmë midis krijesave të tjera.
“Islam” do të thotë paqe, nënshtrim dhe dëgjueshmëri, zbatim i pakundërshtueshëm i porosive të Krijuesit të Gjithësisë, të shpallura të dërguarit të Tij, Muhamedit (s.a.s).
Myslimani i beson Allahut dhe përpiqet ta organizojë jetën e vet sipas Shpalljeve të Allahut dhe thënieve të Profetit Muhamed (a.s).
Islami është rruga e paqes dhe e harmonisë. Çdo gjë në të, i bindet ligjeve të Allahut. Në to nuk gjejmë asgjë të parregullt, por vetëm një harmoni të madhërishme dhe një rregullsi të përkryer në sistemin e natyrës dhe të të gjitha gjërave të krijuara prej Tij.
Islami i ofron njeriut qetësi shpirtërore, e ruan atë nga shkatërrimi i shpirtit, nga frika e dëshpërimi…
“Islam”, është emri i përcaktuar në Udhëzimin e Allahut për njerëzimin, i shpallur nga të gjithë profetët, i fundit nga të cilët ishte Muhamedi (a.s).