Kurani, përmbajtja dhe historiku i Tij

 Përbërja dhe origjinaliteti i Kur’anit

Kur’ani është i përbërë prej sureve dhe ajeteve.

Sure: Është emërtimi i secilës kaptinë – pjesë të Kur’anit. Surja përbëhet prej ajetesh, që janë vazhdim i njëri-tjetrit. Në Kur’an ka gjithsej 114 sure të shkurtra apo të gjata. Kur’ani fillon me suren “El Fatiha” dhe përfundon me suren “En-Nas”. Radhitja e Kur’anit në këtë formë është bërë me urdhrin e Allahut xh.sh.

Ajet: Çdo fjali e sures quhet ajet. Disa ajete janë të gjata aq sa mund t’i kenë disa fjali, ndërkaq disa janë më të shkurtra.

Profeti ynë, ajetet e Kur’anit që ia sillte Xhebraili a.s., fillimisht i mësonte vetë përmendësh dhe pa humbur kohë ua komunikonte myslimanëve, shumica e të cilëve, gjithashtu, i mësonin përmendësh. Ajetet që i vinin, Pejgamberi a.s. ua jepte menjëherë për t’i shkruar myslimanëve që kishin shkrim të bukur, të cilët u quajtën “qatipët e Shpalljes”. Kështu, ajetet e Kur’anit u ruajtën në po atë formë që i erdhën Pejgamberit a.s. Në këtë mënyrë Kur’ani ka ardhur gjer në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim! Në ajetin e 9-të të sures Hixhr, Allahu siguron ruajtjen e autenticitetit të Kur’anit:

إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ

Pa dyshim, Ne e kemi zbritur Dhikrin (Kur’anin) dhe, pa dyshim, Ne do ta mbrojmë atë.

 Grumbullimi i Kur’anit në trajtën e librit

Kur’ani i zbriti Muhamedit a.s. pjesë-pjesë gjatë rreth 23 vjetëve. Zbritja e tij filloi në vitin 610 e përfundoi në vitin 632. Fillimisht sahabët (shokët e Profetit a.s.) shkruanin vullnetarisht ajetet që vinin, më pas vetë i Dërguari i Allahut i urdhëroi ata që ta shkruanin shpalljen e radhës fill pas zbritjes së saj. Në kohën kur Pejgamberi Muhamed a.s. ishte në jetë, ajetet i regjistronin në gjethet e palmës së fikut, në pafta guri, në copa lëkure, në eshtrën e shpatullës së deveve e të tjera. Pejgamberi a.s. u bënte shkruesve vërejtjet e nevojshme se ku duhej futur ajeti i sapozbritur. Që të gjitha ajetet e Kur’anit kanë qenë të regjistruara me shkrim, që kur ishte gjallë vetë Pejgamberi a.s., por jo të mbledhura së bashku në një libër të vetëm.

Pasi Pejgamberi a.s. ndërroi jetë, u bë e qartë se me kalimin e kohës numri i memorizuesve të Kur’anit mund të vinte duke u pakësuar, kishte një rrezik potencial që të gjendeshin përpara faktit të humbjes së plotë apo të pjesshme të tekstit të tij. Ruajtësi i Vërtetë i Kur’anit pa dyshim që është Allahu, por edhe kjo ruajtje hyjnore do të realizohej sipas ligjeve tokësore shkak-pasojë. Omer bin Hatabi r.a., që u ndërgjegjësua lidhur me këtë më përpara se të gjithë të tjerët, e bindi kalifin e parë Ebu Bekrin r.a. për nevojën e grumbullimit të Kur’anit në dy kapakë. Ebu Bekri r.a. e mbështeti nismën e Omer bin Hatabit r.a. dhe ngarkoi Zejd bin Thabitin r.a. që t’i mblidhte regjistrimet e Kur’anit nga të gjithë banorët e Medinës, t’i rendiste dhe t’i shtjellonte suret dhe ajetet në atë radhë, që ua kishte bërë të ditura sahabëve të tij më të afërt me gojën e tij vetë Pejgamberi a.s., pas kësaj ta ballafaqonte tekstin me ato regjistrime, që i zotëronin dijetarët e tjerë myslimanë. Për ta bërë këtë, atij iu desh një vit punë. Pas këtij afati, teksti i krahasuar, i plotësuar dhe i saktësuar iu paraqit kalifit, Ebu Bekrit r.a. Kështu, Kur’ani u mblodh me një kujdes dhe korrektësi të madhe dhe u bë libër i shkruar i përmbledhur në Mus’haf.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: