Ç’është edukata? Ç’do të thotë të jesh i edukuar?

Edukata është një natyrë e dytë e fituar në shpirt në sajë të parimeve fetare ose, në kuptimin më të gjerë të saj, është një qëndrueshmëri e fituar nga njësimi i shpirtit me fenë. Ç’e do se njeriun të edukuar nuk e bën çfarëdo feje, kurse Islami, po.

Në të vërtetë, kur themi fe, mendja na shkon menjëherë tek feja Islame. Në të njëjtën kohë, edukata është emërtimi i shkallës së lartësimit shpirtëror të quajtur ihsan, domethënë të asaj shkalle ku njeriu i edukuar i kryen të gjitha punët dhe detyrimet e veta brenda kritereve që presupozojnë qenien nën vëzhgimin e Allahut (xh.xh.) e sillet po ashtu; dhe kjo, në edukatë, është vetëdija e njeriut të favorizuar.

Në një kuptim më të ngushtë, edukata nënkupton t’u lidhesh të njëjtave sjellje e veprime (përveç detyrimeve e domosdoshmërive)* të profetit tonë (s.a.s.) dhe të rregullosh në praktikë jetesën sipas tij. Të vjetrit tanë, duke shënuar të gjitha këto kuptime, kanë thënë gjithë ato fjalë të bukura si margaritarë për edukatën:
Edukata është rroba e përhershme e njeriut. I paedukatë do të thotë lakuriq.
Edukata është një kurorë. Kush e vë atë kurorë, shpëton nga çdo ngatërresë.
Edhe ti, po deshe të sigurohesh e të shpëtosh nga ngatërresat dhe të këqijat, duhet të përpiqesh të jesh gjithmonë i edukuar.
Ku ka edukatë, do të thotë se ka edhe kulturë. Njeriu pa edukatë, edhe sikur të përpijë të gjitha bibliotekat, nuk mund të quhet i kulturuar. Ashtu siç ka thënë edhe Junus Emre:

Dituri do të thotë të dish,
Do të thotë veten ta kuptosh,
E nëse veten s’e ke njohur,
Është e kotë të lexosh.

Është i dërguari i Allahut ai që e përfaqëson edukatën në formën e saj përfundimtare. Edhe sikur të nënkuptojmë sjelljen e edukuar, edhe sikur të flasim për fuqinë shprehëse dhe forcën e fjalës, përfundimi mbetet po ai: Profeti ynë mbetet prapë në majë!
E pyet Hz. Ebu Bekri (r.a.) të Dërguarin e Allahut:
– O i dërguar i Allahut, kush të edukoi ty kështu?
– Zoti im më edukoi dhe më mësoi sjelljet e mira, – i përgjigjet ai.
E pyesin Hz. Aishen (r.a.), të bijën e Hz. Ebu Bekrit, bashkëshorten e Profetit dhe nënën tonë gjer në kiamet e gjer në amshim:
– Si ishte morali i të dërguarit të Allahut?
– A nuk lexuat Kuran ju? – ua kthen ajo me pyetje.
– Po, lexuam.
– Kurani ishte morali i tij, – përgjigjet Hz. Aishja.

Ja pra, Profeti ynë (s.a.s.) që ka për edukator Allahun, qëndron në pikën e horizontit të edukatës. Kjo do të thotë se ai kërkon të mësojë edukatë, duhet të shohë nga Ai dhe edukata në atë pasqyrë në këmbë, duhet parë në përshtatje me përmasat e veta. Providenca Hyjnore e pati krijuar atë me një edukatë që të bëhej shembull për të gjithë njerëzit. Ndryshe, si mund të përballonte ai një ngarkesë të tillë si profetësia? Po qe se s’do të ishte kjo edukatë e po të supozonim se edhe te ai do të shfaqeshin të meta si tonat, ato nuk do të mbeteshin të kufizuara tek ai, e meta më e vogël do t’u reflektohej miliarda njerëzve. Pikërisht për këtë arsye Zoti e pati edukuar atë në mënyrë të posaçme dhe e pati bërë shembull për ne.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: