Çdo profet është dërguar te populli i tij me mrekulli për të vërtetuar se është i dërguar nga Allahu. Duke qenë se ne nuk i kemi parë këto mrekulli si mund t’i besojmë ato?
Në këtë pyetje ka dy dilema: 1) A ka mundësi të ndodhë mrekullia dhe 2) A është i vërtetë lajmi i mbërritur deri te ne rreth asaj mrekullie. Fillimisht duhet të themi se mrekullia në kuptimin terminologjik islam është një ngjarje që ndodh jashtë ligjeve të natyrës të cilën Allahu (xh.sh.) e krijon për të mbështetur një profet prej profetëve të Tij. Mbështetur në zakonin e ligjeve të natyrës mrekullia është e pamundur të ndodhë. Por mbështetur në logjikë ajo është lehtësisht e realizueshme, kjo sepse Ai që krijoi gjithësinë, natyrën dhe vendosi ligjet natyrore në të ka fuqinë dhe mundësinë t’i ndryshojë këto ligje në një moment për të mbështetur profetësinë e të dërguarve të Tij. Ai që krijoi ligjin e gravitetin ka mundësi të urdhërojë detin të çahet në dysh për të kaluar Musai (alejhi selam) me popullin e tij, Ai që bëri të vdes një njeri ka mundësi të urdhërojë shpirtin e tij të kthehet te ai trup për ta ringjallur me dorën e Isait (alejhi selam) për të mbështetur profetësinë e këtyre profetëve. Krijuesi dhe Sunduesi i gjithësisë vepron në të si të dojë, për Të nuk është e rëndë asnjë punë. “Kur Ai dëshiron diçka, mjafton t’i thotë: “Bëhu!”- dhe ajo bëhet.” (Jasin: 82)
Përsa i përket dilemës së dytë rreth vërtetësisë së lajmit të mbërritur te ne rreth kësaj ngjarje themi se besimtari musliman kushtëzohet t’i besojë ngjarjeve që i kanë mbërritur atij me anë të transmetimit “teuatur”. Teautur do të thotë dokumentimi i pjesëmarrjes në transmetim brez pas brezi të një grupi personash (në çdo brez) që është e pamundur të bien dakort në gënjeshtër. Kurani kështu është transmetuar nga Profeti (alejhi selam) deri më sot, dhe po kështu shumë hadithe, ndër to edhe hadithe që flasin për mrekullitë.
Së fundmi mund të shtojmë se Profetit Muhamed (alejhi selam) i është dhënë si mrekullia e tij më e madhe Kurani, fjala e Allahut (xh.sh.). Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi ve selem) ka thënë: “Secilit prej profetëve i është dhënë mrekulli të cilat i kanë besuar njerëzit, ajo që më është dhënë mua është shpallja prej Allahut, Kurani. Kështu shpresoj që të jem me më tepër pasues ditën e Kiametit.” (Buhari, Itisam, 1).
Kurani është libri i fundit i dërguar nga Allahu, që është i vlefshëm për çdo kohë dhe çdo vend. Për të Allahu thotë: “Atij (Kuranit) nuk mund t’i afrohet e kota (gënjeshtra) nga asnjë anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që Meriton të gjitha lavdet.” (Fussilet: 42).