Braktisja e gjërave të kota
Fjala “malajani” ka kuptimin e fjalëve e të sjelljeve të padobishme e të pakuptimta, që nuk mbartin ndonjë interes për njeriun. Çdo vepër, fjalë, shikim e mendim që nuk i intereson njeriut është “malajani”, pra e kotë. Pra, të kotën duhet ta shmangim jo vetëm në sjellje e fjalë, por edhe në ato çka shohim, mendojmë e ëndërrojmë.
Të kotën është më mirë që ta kuptojmë në kuadrin e konceptit të përgjegjësisë që Islami i ka sjellë njeriut. Duke qenë se njeriut do t’i kërkohet llogari për të gjitha organet dhe veprimet si zemra, gjuha, syri, veshi, mendja e ëndërrimet, është e nevojshme që t’i shmangim ato gjëra që nuk mund të vihen në anën e sevapit në peshoren e veprave. Një koncept i tillë për të kotën e nxit njeriun që të sillet i vullnetshëm edhe kur të jetë duke ëndërruar, të ëndërrojë për çështje të dobishme, të kërkojë mirësinë dhe ta kthejë këtë në zakon e pjesë të karakterit.
Hadithi i mëposhtëm tërheq vëmendjen në disa sëmundje të përhapura në ditët tona, mes të cilave edhe kotësia.”Unë i garantoj një saraj në Xhenet atij që, edhe kur ka të drejtë, braktis të debatuarit. Unë i garantoj një saraj në Xhenet atij që braktis gënjeshtrën edhe në qoftë shaka. E atij që zotëron moral të mirë i garantoj një saraj në më të lartin vend të Xhenetit.”[1]
Në një tjetër hadith, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur njeriu braktis atë çka nuk mbart interes, kjo përbën argumentin se ai e kupton dhe e zbaton mirë Islamin.”[2] Ibrahim ibn Ed’hemi tregon për rëndësinë e kësaj çështjeje kur e lidh atë me përkufizimin për veranë si shkallën më të lartë të përkushtimit: “Me vera kuptojmë braktisjen e gjërave të dyshimta. Të braktisësh gjërat e pavlera do të thotë që të qëndrosh larg së kotës.”[3]
Njerëzit joseriozë e karagjozë nuk kanë seriozitet as në ibadetet e tyre. Një njeri i tillë, ndoshta, kur ndalet të falë namaz mund të duket serioz, por nëse nuk ka arritur seriozitetin në zemrën dhe në shpirtin e vet, ai s’është tjetër veçse një xixëllonjë i dhënë pas dëshirës për t’u dukur si yll. Dhe nuk është e mundur që të duket i tillë për një kohë të gjatë. Karakteri nuk mund të fshihet. Çdo njeri, herët a vonë, do të vërë në vend atë që i kërkon karakteri (Isra, 84). Po kështu ndodh edhe kur serioziteti arrin të kthehet tek ai në një pjesë të karakterit. Duke u ushtruar dhe duke u vetëkontrolluar me rreptësi, është e mundur të arrihet një shkallë e tillë. Nëse ekziston një ushtrim e vetëkontroll i tillë, “të qenit” del mbi “të dukurit”. Një trumcak nuk mund të hiqet për një kohë të gjatë si të ishte pallua. Domethënë, njeriu është bir i vetëdijes dhe i pavetëdijes së vet. Nuk mund t’u ikë e të shpëtojë prej tyre. Pra, duhet të gëzosh mirësi brenda vetes që të mund të dukesh i përkushtuar nga jashtë. E jashtmja duhet të gjejë kurdoherë mbështetje tek e brendshmja. Bota e brendshme e njeriut duhet të jetë serioze që kjo të mund të kalojë e të shfaqet edhe në botën e tij të jashtme.
[1] Ebu Davud, Edeb, 7.
[2] Tirmidhi, Zuhd, 11; Ibn Maxhe, Fiten, 12; Musned, I, 201.
[3] Kushejrî, Risale, 247.