Ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve familjare dhe farefisnore

Në një hadith, Profeti ynë i dashur thotë kështu: “Mësoni të ruani e të forconi marrëdhëniet familjare e farefisnore, sepse kjo sjell dashuri mes të afërmve, shtim të pasurisë dhe zgjatje të jetës.”[1] Në këtë hadith, si dhe në hadithe të tjera me përmbajtje të ngjashme, pohohet se ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve familjare dhe farefisnore të zgjat jetën.

Veç kësaj, prej shumë e shumë kohësh është e ditur se si njerëzit e afërt të Allahut ia kanë kushtuar e dhuruar jetën njëri-tjetrit. Në çdo rast, kjo gjen zbatim vetëm kur dhënësi e marrësi qetësojnë indet shpirtërore, shkëmbejnë të njëjtën frekuencë dhe Allahu i përgjigjet me vullnetin e Vet hyjnor kësaj duaje të bërë me fjalë e me vepra.

Duke qenë se jo çdokush që dëshiron do të mund të dhurojë dhe jo çdokush që dëshiron do të mund të marrë, në përfundim të këtij shkëmbimi, çështja është e lidhur me përmbushjen e të gjitha kushteve të zbatimit praktik (il’letut tamme) dhe me vullnetin e Zotit të Madhëruar për të.

Një tjetër interpretim i mundshëm për zgjatjen e jetës mund të jetë edhe ky: Zoti i Madhëruar dhuron bereqet për mirësitë që kryen njeriu dhe duke shtuar e begatuar, ia shton jetëgjatësinë atij njeriu. Nëse zgjatja e jetës vlerësohet të jetë ndonjë simbolikë për të shprehur përfitimet e njeriut në pafundësinë e Ahiretit, atëherë duhet thënë se njeriu përfiton shumë për jetën e vet të përjetshme. Për shembull, një prej përfitimeve është Nata e Kadrit, që është shkruar të jetë më e mirë se njëmijë muaj. Nëse njeriu, në atë natë, a kap orientimin hyjnor, është njëlloj sikur vetëm në atë natë të ketë kaluar tetëdhjetë vite në adhurim ndaj Zotit. Kjo do të thotë që ai të fitonte shpërblime hyjnore sikur jeta e tij të zgjatej e ai të jetonte edhe tetëdhjetë vjet të tjera. E pra, zgjatja e jetës prej sadakasë, prej mirësisë, prej silau rrahim-it, mund të jetë edhe në këtë kuptim.

Në lidhje me arsyen se pse çështja e zgjatjes së jetës është lidhur në mënyrë të veçantë me ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve familjare e farefisnore mund të thuhen këto që vijojnë: në ditët e sotme, nuk ka asnjë dyshim se njëri ndër parimet islame të cenuara më rëndë është ai që preket prej harresës së farefisnisë së afërt. E pra, në një kohë kur janë lëkundur rëndë tradita e vizitave të herëpashershme tek të afërmit, e të gjendurit pranë tyre, respekti në radhë të parë për prindërit, pastaj i prindërve për fëmijët, më pas për vëllezërit, për gjyshet e gjyshërit, për dajallarët e tezet, për xhaxhallarët e hallat e të tjerë të afërm, përqendrimi tek çështja e mësipërme mbart një rëndësi shumë të madhe.

Nëna jonë, Hz. Hatixhe, ishte një grua shumë e mençur dhe dukej sikur të ishte krijuar vetëm e vetëm për të qenë bashkëshorte e një profeti. Teksa Profeti i dashur, pasi mori ajetet e para prej Xhebrailit (paqja qoftë mbi të!), tha: “kam frikë për veten”, kjo grua e madhe, duke ndarë me Profetin emocionin e zbulesës së parë hyjnore, i tha: “Jo, Allahu ty nuk të braktis kurrsesi. Pa dyshim që ti u qëndron pranë familjes dhe të afërmve, i jep dorën atij që është nevojtar, kujdesesh për të varfrin…”[2]

Nga kjo thënie e nënës sonë, Hz. Hatixhes, si dhe pas konfirmimit të kësaj prej Varaka bin Neufelit, kuptohet se respekti e kujdesi për të afërmit ishte diçka e vështirë dhe nevoja për të ishte e ndjeshme. Hz. Ebu Bekri, kur i doli për zot Profetit tonë pas gjithë atyre vuajtjeve që po i shkaktonin mizorët, i tha atij: “Kjo nuk i bëhet një njeriu si ti, që i shtrin dorën të varfrit e nevojtarit e që ruan lidhjet familjare e farefisnore!” Edhe kur deshi ta merrte nën mbrojtje për arsye fqinjësie, u dha kurejshëve sërish silau rrahim-in si referencë. Nga të gjitha këto del qartë se ruajtja e marrëdhënieve familjare e farefisnore, në atë kohë, ishte një pikësynim e ideal për të gjithë dhe vlerësohej si diçka shumë e rëndësishme. Nga një tjetër anë, në histori është e mundur të shihen forma të familjes së madhe patriarkale. Në të shkuarën edhe shoqëria jonë ishte e tillë. Përreth një prindi a gjyshi gjendeshin plot nuse e bij. Ende në disa vende kjo traditë ruhet. Këto u ngjajnë, në të vërtetë, qelizave të një shoqërie. Sa më e fortë dhe e shëndoshë të jetë lidhja mes tyre, aq më e shëndetshme është shoqëria që lind prej tyre.

[1] Tirmidhi, Birr, 49; Musned, II, 374.

[2] Buhari, Bed’ul-Vahj, 3, Menakibu’l-Ensar, 45; Muslim, Iman, 252.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: