Bota islame

Bota islame, që nga dita kur ka filluar të ekzistojë e deri më sot, pothuajse në asnjë periudhë të historisë së vet nuk ka përjetuar një fat të keq sa ky mjerim i ditëve të sotme dhe me aq sa di, kurrë nuk ka ngelur prapa horizontit të saj në këtë lloj niveli që është sot. Për më tepër, ajo gjithashtu nuk është në gjendje të vlerësojë e shikojë distancën në mes vendit të mjerë ku qëndron sot dhe pikës ku duhet të ndodhej. Ajo, pavarësisht çdo lloj gjëje është goxha e pa shqetësuar dhe moskokëçarëse, nuk zotëron as edhe një hall, as e vret mendjen, as ka një mendim konstruktiv (të dobishëm, ndërtimor), as një qëllim e as një emocion të dalë prej zemre. Përkundrazi, horizontin porsi mjegulla e ka të mbuluar me mospërfillje, vendosmëria për të jetuar mbetet brenda ngushtësisë së ndergjegjes personale… dhe në emër të së nesërmes, perveç deshirave të veta shtazore, as ka ndonjë shpresë e as ndonjë shqetësim. Nganjëherë ndodh që t’u bëjë shërbëtorin atyre që janë të fuqishëm, nganjëherë bëhet një lypës modern, nganjëherë përpëlitet nën kthetrat e varfërisë dhe nevojës e nganjëherë zvarritet me fanatizmin dhe injorancën…

Fare nuk i intereson qe feja islame u urdhëron pjesëtarëve te vet të jenë të virtytshëm, të jetojnë me nder, të jenë të hapur ndaj diturisë, ta studiojnë mirë ekzistencën, t’i shqyrtojnë hollësisht universin dhe sendet, si dhe të komentojnë e të bëjnë vlerësime në mënyrën më të përsosur rreth bazave të shkencave të natyrës, siç bëjnë rreth porosive fetare. Edhe nëse ka ca persona që u intereson, ata e kanë gojën të lidhur me zinxhir dhe janë të dënuar të mos dëgjohen. Për më tepër, në këtë botë, shthurja e trashëguar prej shoqërive të tjera është produkti më i preferuar dhe mundësitë teknologjike janë mobilizuar për të përhapur tregtueshmërinë e tij. Udhëkryqe përjetojnë masat e hallakatura, me ëndrrat “do jetoj siç ma do zemra” vyshken e thahen të gjithë brezat e rinj në rrjetën e drogës dhe të imoralitetit.

Kur njeriu shikon fuqinë dhe pasurinë e dinamikave islame, kërkon të shohë shtete të zhvilluara nga të gjitha anët, qytete sikur janë prozhektorë të xhenetit, fshatra dhe qyteza që përngjajnë me firdeuset, njerëz të lumtur e me shpresë dhe shpirtra studiues të gjallëruar me dashurinë e së vërtetës. Kërkon të shohë ata që levizin natë e ditë mes laboratorëve dhe librave me dashurinë për dije, ata që qëndrojnë zgjuar natën dhe reduktojnë minutat e gjumit në rrugën e punës, si dhe shpirtrat e përkushtuar ndaj Allahut… Por, fatkeqësisht, gjërat ç’ka duken janë totalisht kundër atyre ç’ka dëshirohej të dukeshin. Tanimë, në këtë gjeografi kaq të madhe, s’mund të tregohen më as disa dhjetra intelektualë të barazvflefshëm me arkitektët e atij shpirti, të cilët një herë e një kohë ndërtuan botën nga një cep në tjetrin, e as disa çirakë që të rregullojnë anët e prishura tonat…

Nga ana tjetër, pritej që pjesëtarët e kësaj feje të ishin më fatlumët se cilido tjetër në botë, kurse në lidhje me botën tjetër të ishin gjithmonë me shpresë, në çdo çështje të qëndronin përpara të gjithë botës, ta udhëhiqnin atë me projektet e tyre origjinale në emër të së nesërmes, vendosmërisë, vullnetit dhe besimit, si dhe të ishin në një koherencë dhe pozitë për të zgjidhur problemet e ditëve të sotme. Ç’është e vërteta, edhe ne prisnim që dituria dhe intuita të kërkoheshin në klimën e saj dhe në çështjen e moralit të bukur dhe të vlerave universale njerëzore prisnim që ajo të merrej shembull..! Kur të shqiptohej drejtësia, epërsia e ligjit, liria e mendimit dhe e besimit prisnim që kjo botë të lulëzonte në imagjinatën e gjithsecilit. Por, a është kështu tani.? Jo, nuk është! Besimi është plagosur prej defekteve të ndryshme te myslimanët e sotëm, vendosmëria e mbërthyer në qafë nga litari me lak, vullneti me krah të thyer, dituria dhe intuita u janë lënë amanet ideologjive. Sado që të flitet shpesh për moralin e bukur dhe karakterin, realitetet gërthasin “Puna e tregon njeriun, nuk shikohet fjala.”, drejtësia sikur është send që mund të shitet, ligji nën mbikëqyrjen e forcës brutale, forca një mjet agresioni dhe sundimi që mjafton për të shtypur të dobëtit. Liria, vëllazëria dhe barazia janë një e treta e ekipit të panjohur të cilin s’kemi patur fatin ta shohim. Respekti ndaj njeriut, ndaj vlerave njerëzore, temat e konferencave dhe të paneleve që s’kanë parë dritë me sy.

Krahas këtyre të gjithave, një tjetër realitet është se kjo zonë e madhe gjeografike gjendet në fund fare në dije, teknologji, art dhe tregti. Diçka e tillë është edhe mirëbesimi (të qenurit i besueshëm) ynë në botë… përkundrejt tërë këtyre negativeteve, të paktën të kishim qenë paqësorë me njëri-tjetrin, vaj.! Në ditët e sotme, kjo botë e madhe po prodhon gjëra të çuditshme, në të cilat askush s’do mund të garonte me të në prodhimtari: mllef, urrejtje, fyerje, shpifje ndaj njëri-tjetrit dhe formim i të gjitha planeve mbi bazën e armiqësisë. Kështu është çdo popull brenda vetes dhe kështu janë popujt mes tyre. Po, për shumë vite, brenda vetes sonë formuam vazhdimisht vetëm fronte armiqësieje, shpikëm armiq dhe rreziqe të rreme, masat i kthyem në krimba të njëri-tjetrit dhe atë zonë të bekuar gjeografike një herë e një kohë, e shndërruam në luginë vampirash.

Feja jonë e lartë na premtonka lumturinë kësaj bote dhe të tjetrës, na tregonka horizonte të larta njerëzore, na e bënka me kuptim jetën tonë.. asnjëra prej tyre me ato ndikimet e veta të veçanta dhe magjepsëse nuk i shpreh diçka njeriut të kësaj bote, ose unë nuk e shikoj dot që po i shpreh diçka. Ajo që shikoj dhe di është dobësia e besimtarëve, pabesia e tyre dhe armiqësia e tmerrshme e të pafeve.. saqë, po të bëni një aktivitet në emër të fesë, që në hapin e parë përballeni me ateizmin, në hapin e dytë bëheni objekt talljeje për shkak të besimeve, shpresave dhe ideve transcendentale (metafizike) dhe më e pakta bieni pre e fjalëve të pahijshme të disa rretheve të pacipta. Kur thoni dialog, mirëkuptim dhe gjithëpërfshirje, kapeni prej zjarrit të propagandës së një shtrese dhe kërcënoheni prej personave që mund t’u themi harixhitë e të sotmes. Nëse përpiqeni ta jetoni plotësisht fenë tuaj, behëni subjekt i ofensivës së disa fuqive prej të cilave derimë sot nuk duket ndonjë sukses pozitiv i arritur prej tyre dhe përballeni me çfarëdo lloj kurthi… Krahas të gjitha këtyre, ndodhen edhe veprimet e pacipta, të cilat s’kanë të sosur, të atyre që shajnë fenë, shpifin ndaj të shkuarës suaj, i shumëzojnë me zero vlerat tuaja kombëtare, lëshojnë breshëri ofendimesh ndaj të parëve tuaj, veprime këto që bëhen gjak e qelb dhe rrjedhin brenda jush, si dhe ju përjetojnë momente plot me hidhërim.

Kundrejt tërë këtyre ndodhive, mbase disa varrosen në moçalin e dëshpërimit duke thënë “Tashmë kjo botë s’bën më hajër, më keq ka për të qenë pas kësaj!”, mbase disa të tjerë humbasin shpresën për të jetuar dhe e braktisin tërësisht veten e tyre..! Në fakt, kjo gjendje mund të quhet normale për një shpirt që nuk ushqehet me besim dhe shpresë. Po, n.q.s ato ç’ka bëhen sot, do shemben nesër një e nga një; n.q.s shërbëtorët vullnetarë të njerëzores do përndiqen si hajdutë; n.q.s secili do ngrihet të formojë një botë sipas dëshirave dhe tekave të veta dhe teksa i kryen këto do rrafshojë çdo gjë që shikon kundër kritereve të veta -ku në këtë gjeografi të mjerë që prej dy shekujsh punët kanë ecur në këtë rrjedhë- nuk mbetet më shpresë, vullnet dhe vendosmëri te askush.

Në këtë botë me fat të nxirë janë të çuditshëm ata që shohin me dyshime çdo shërbim pozitiv të shpalosur në emër të fesë, moralit dhe vlerës; ata që i regjistrojnë nëpër lista, si fajtorë, personat aktivë në këtë rrugë dhe janë të çuditshëm disa mizorë dhe duartrokitësit (mbështetësit) e tyre që shohin çdo njeri si hajdut. Për çudi, këta ose nuk e shikojnë gjendjen e dhimbshme të kësaj bote të madhe ose nuk e marrin parasysh. Ndërkohë që në këtë gjeografi vërehet një depresion i tmerrshëm; prej shekujsh mendjet nuk prodhojnë gjë, burimet energjike janë jo funksionale… çdo anë është rrënuar dhe bufat festojnë të vetmuar.. për më tepër kjo botë e madhe sikur është vendi me erë të pisët i të papunëve, të dobëtëve..!

Tani, nëse dëshironi, duke i vendosur një pikë të përkohshme fjalëve të mia, le t’ua lëmë vendin vargjeve emocionuese të të ndjerit Akif, të cilat gjithmonë shkaktojnë rrenqethje në ndërgjegje dhe përshkruajnë gjendjen e trishtuar që ka kapluar zemrat e botës islame:

Perëndimi si makth i përgjakur mbi krye pa e lënë t’i hapë sytë;
Islamit prej shekujsh pothuaj i kanë shteruar mendtë, fuqitë.

“Botën e Lindjes e shëtite – më thonë – ç’pe?” Pashë, këtu-atje,
Shtete të shkatërruara, kombe pa krye, vatra të shtrira përdhe;

Ura të shembura, kanale të çara, rrugë pa udhëtarë,
Fytyra të rrudhosura, balle të padjersitura, krahë të tharë;

Shpina të kërrusura, gjaqe që nuk vlojnë, qafa të holluara,
Kokë pa mendim, zemra pa ndjenjë, ndërgjegje të ndryshkura;

Padrejtësi, dhunë, robëri, urdhra, poshtërsi,
Shprehi të neveritshme, sëmundje të ndryshme, dyfytyrësi;
……………………………………..
Imamë pa xhemat, fytyra të palara, krye sexhde pa parë,
Besmitarë të mjerë që, në emër të fesë, vrasin të tjerë besimtarë;

Shtëpi të shkreta, fshatra pa njeri, çati të shembura,
Ditë pa punë, mbrëmje pa mendim për të nesërmen, të mekura!..

Eca dhe qava duke ecur; ndenja e qava duke ndenjur,
Shumë vendeve të shkatërruara iu drejtova pa m’u përgjigjur;
………………………………………
Klithmat e qindramijra dhimbjeve vijnë nga thellësitë,
Në qafën e përkulur të islamit, horizontet një rreth i kuq i zjarrtë
………………………………………
Zoti im, a mos vendet që pashë u bënë djep për njerëzimin?
A prej këso shkretëtirash historia mori përparimin?

A ky është vendi i atyre që besonin në një Zot, sot pa vizitorë,
A nga këto rëra dolën, Zoti im, aq pejgamberë?

E vërtetë, nuk është i pakët numri i atyre që e ruajnë vendosmërinë dhe shpresën në këtë botë pikëllimesh. Sot, pothuajse në çdo vend, ka shumë njerëz që mund t’u themi të dashuruar pas së vërtetës, të pasionuar ndaj diturisë, burra të shërbimit dhe brezi ideal. Por, është e dhimbshme se zërat edhe të këtyreve ndodhen para lëvizjeve dhe veprimtaritë gjenden shumë prapa zhurmave të tyre. Për shkak se ecin duke bërtitur e gërthitur, nganjëherë bëhen shkaktarë më shumë për të këqija se sa të mira. I bëjnë të hyjnë në dyshime personat që ulen e ngrihen me fiksime. Shpirtrat e kyçur në ateizëm i bëjnë të shqetësohen dhe gjithmonë nxisin ata që urrejnë islamin. Kështu pra, në çdo anë fillojnë të ngrihen ca zëra të kuptimtë apo të pakuptimtë dhe gërnjitjet ndjekin njëra-tjetrën. Vjen koha që shërbimet e huaja dhe ushtri të ndryshme vihen në lëvizje. Si përfundim, shkatërrohet çdo gjë e kryer derimë atë ditë, bllokohen rrugët, shemben urat, çdo gjë kthehet shumë prapa dhe tërë ato punë dhe shërbime humbasin prej smirës, urrejtjes dhe shpërthimit të xhindosjes.. Derimë sot, përherë kështu ka ndodhur, brenda të njëjtës shoqëri u formuan kampe.. ndërmjet kampeve u përjetuan diskutime e grindje me fjalë.. erdhi koha që duelet me fjalë u shndërruan në përplasje fizike dhe kështu pra, e bardha me të zezën u përzien tërësisht më njëra-tjetrën.

Mirëpo, mendja, njohja dhe urtësia zënë një vend të rëndësishëm në thelbin e islamit. Të menduarit sintetik, analitik, argumentues dhe shkencor janë medoemos ndër bazat e shoqërive islame. Zotëria i Profetëve (bekimet më të përsosura të Allahut qofshin mbi të!) e fton bashkësinë e vet që të ndjekë udhëzimin e mendjes dhe arsyes duke qenë nën kujdestarinë e Kur’anit, si dhe porosit që në çdo punë tonën të veprojmë me logjikë dhe arsyetim duke thënë: “Shtylla bazë dhe arritja e të qenurit i përplotësuar e njeriut është me mendje; Ai që ka humbur mendjen, nuk bart përgjegjësi fetare.” (Dejlemi, el’Musned 3/217; Hejthemi, Zewaidu Musnedi’l-Harith 2/803) Ai (s.a.s) ka qenë gjithmonë në krah të dijes, i ka nderuar dijetarët -mund të zgjerohet në vazhdim- dhe ka thënë i pari në botë që dituria është obligim për këdo, mashkull-femër. Gjithashtu shprehet se: “Urtësia është pasuria e humbur e myslimanit. Kudo ku ta gjejë atë, ta marrë.” (Tirmidhi, ilm 19; Ibnu Maxhe, zuhd 15)

Por, sa e çuditshme është që, edhe pse ai ka urdhëruar dhe insistuar për dituri dhe urtësi duke përmendur qindra ajete dhe hadithe, prej disa shekujsh myslimanët nuk kanë arritur ta kuptojnë dot këtë! Gjithmonë qëndruan të mbyllur duke mos u përzier me diturinë, njohjen dhe artin. Më tepër se kaq, përsa i përket mendimit dhe kërkimit aq shumë shterpë e pa gjallëri janë bërë dhe aq shumë janë shfrenuar, saqë erdhi dita dhe, as hyrja në tutelën e të tjerëve nuk i paralajmëroi dot – gjendja e sotme e botës quhet tutelë – nuk u zgjuan dot që të vërenin se ç’ndodh përreth tyre. Shumica s’ka të bëjë fare me të vërtetën, me dashurinë për të vërtetën dhe me merakun e kërkimit. Unë nuk kam rastisur ndonjërin në këtë botë të turpërohet me jetesën i varur nga të tjerët në dituri dhe teknologji. Edhe n.q.s ka disa njerëz, ata nuk janë në pozitën që t’u dëgjohet zëri. Kurse nënshtrimi jonë ndaj Allahut dhe sinqeriteti ynë në besim janë ekuivalenti i plotë i anëve të tjera negative tonat. Kur vijmë te adhurimet tona, edhe ato në pjesën më të madhe janë shndërruar si folklor i llojit të aktiviteteve tona kulturore ose si zakon prej zakoneve tona. Të paktën zakoneve tona t’u kishim treguar respekt, as atë s’e kemi , edhe ato i janë lënë amanet kohës…

Ndërkohë që gjendja është e tillë, absolutisht, në këtë botë s’mund të flitet as për thelbin e islamit, as për konceptimin saktë të porosive fetare e as për studimin dhe interpretimin drejtë të bazave të shkencës. Kësisoj, në një gjeografi të errët si kjo, ku ngjyra dhe figura janë prishur, si dhe gjuha është bërë e pakuptueshme, ne nuk kemi nevojë për gjë tjetër veçse për rizgjimin edhe një herë të dashurisë për të vërtetën, dashurisë për dije dhe kërkim, dhe transmetimit edhe një herë të fesë me origjinalitetin e saj në ndërgjegje. Këtë botë, nga skëterra e tmerrshme që ka rënë mund ta shpëtojnë vetëm mendjet e gjalla (e freskëta) që janë rritur me sistemin tonë të edukimit, vetëm shpirtrat e përkushtuar ndaj Allahut që ndajnë të njëjtin besim dhe qëllim, vetëm heronjtë e dijes, njohjes dhe vullnetit që janë të vendosur në kapërcimin e çdo lloj vështirësije, si dhe vetëm burrat e vullnetit që vrapojnë dhe thonë shërbim pa ligësi dhe pa pritje vlerësimi. Ata janë trima vullneti, njohjeje dhe diturije që nuk presin shpërblim material dhe shpirtëror e as të kësaj dynjajeje dhe dynjasë tjetër. Derimë sot kemi jetuar vazhdimisht me shpresën e ardhjes së tyre dhe të këtillë synojmë të jetojmë deri në pafundësi.
***

Përgatiti: Adnan Merja

© URTËSI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: