Bashkimi i dy namazeve – Xhem
Në medhhebin hanefi bashkimi i namazeve bëhet vetëm në Arafat dhe Muzdelife. Në Arafat bëhet xhemi takdim (bashkim në avancë) duke i falur së bashku namazin e drekës me namazin e ikindisë në kohën e namazit të drekës, kurse në Muzdelife bëhet xhem-i tehir (bashkim në kohë të shtyrë) duke i falur namazet e akshamit me të jacisë në kohën e namazit të jacisë. Në medhhebin hanefi nuk bëhen bashkime të tjera namazesh veç këtyre.
Juristët hanefi i kanë konsideruar si “bashkime eventuale” namazet që Profeti i ka falur të bashkuara në disa situata përjashtimore dhe i kanë menduar këto të veçuara nga bashkimi i vërtetë dhe absolut. Kështu, në fund të një kohe të caktuar është falur namazi i asaj kohe bashkë me namazin e kohës pasardhëse dhe kjo është kuptuar si bashkim namazesh.
Sipas medhhebeve shafi, maliki dhe hanbeli, bashkimi i namazeve nuk ka ndonjë kohë të caktuar. Bashkimi në avancë dhe bashkimi në kohë të shtyrë mund të bëhen në kohë të ndryshme. Sipas atyre që e pranojnë bashkimin, shkaqet që e bëjnë të lejueshëm bashkimin e dy namazeve, po të lihen mënjanë dallimet në hollësitë, janë këto:
Udhëtimi. Shumica e dijetarëve veç hanefive, duke e pranuar udhëtimin si justifikim, e kanë parë të lejueshme që gjatë udhëtimit të bëhet bashkimi i namazeve.
Shiu, bora, breshëri. Në medhhebet maliki, shafi dhe hanbeli shiu është pranuar si justifikim për vendasit (jo udhëtarët) dhe në ditët me shi të dendur e të fuqishëm, bashkimi i namazeve është parë i lejueshëm në kushte të caktuara.
Sëmundja. Sipas malikive, po qe se personi i sëmurë ka frikë se gjer në namazin tjetër gjendja do t’i keqësohet sa të mos jetë në gjendje të falet ose se do t’i bjerë të fikët, mund të bëjë bashkim namazesh. Edhe hanbelitë e kanë parë të lejueshëm bashkimin e namazeve në kushte vështirësish për shkak sëmundjeje dhe gratë në periudhën e laktacionit (me fëmijë në gji), femrat me gjakrrjedhje të zakonshme (istihade), personat e gjymtuar dhe personat e paaftë për të marrë abdes në çdo kohë, i kanë trajtuar si të sëmurë. Kurse sipas shafive, bashkimi i namazeve nuk është i lejueshëm për shkak sëmundjeje.
Personat të cilët për shkak të kushteve ku ndodhen nuk kanë mundësi të falin namaz në kohë, me anë të bashkimit të namazeve të paktën shpëtojnë nga mëkati i lënies së namazeve pa falur si dhe e çojnë në vend përgjegjësinë e tyre si adhurues.
Namazi i sabahut në asnjë mënyrë s’mund të bashkohet me namaz tjetër. Bashkim mund të bëhet vetëm mes namazit të drekës dhe ikindisë dhe mes namazit të akshamit dhe jacisë. Kur bëhet bashkim në avancë, për shembull, bashkim i namazeve të drekës dhe të ikindisë në kohën e drekës, duke filluar namazin e drekës duhet bërë nijet për bashkimin e këtyre dy namazeve. Sipas disa dijetarëve, mund të bëhet nijet edhe pa e mbaruar namazin e parë. Kurse kur bëhet bashkim i shtyrë, për shembull, bashkim i namazeve të drekës dhe ikindisë në kohën e ikindisë, nijeti për bashkimin duhet bërë brenda kohës së namazit të parë, ndryshe, namazi i parë, si rrjedhojë, shtyhet tej kohës së vet, gjë që është haram.
Në bashkimin në avancë duhet respektuar radha e namazeve. Po qe se bashkohen dreka me ikindinë, në fillim falet dreka, pastaj ikindia. Namazet ndërmjet tyre nuk falen. Edhe në bashkimin e shtyrë duhet respektuar radha. Sipas shafive, po të mos respektohet radha, namazi i dytë konsiderohet i falur kaza.
Në kushtet e bashkimit në avancë të namazeve të akshamit dhe jacisë, pra, faljes së tyre në kohën e akshamit, është që namazi i vitrit ndjek namazin e jacisë, për rrjedhojë, falet pas faljes së namazit të jacisë.