Atë që i jep ndihmë fesë së Allahut, edhe Allahu e ndihmon
Përballë çdo të riu e plaku, femre e mashkulli, nxënësi e mësuesi, përballë profesionistëve të çdo moshe dhe të gjithë njerëzve në krye të tyre, të cilët ia kanë kushtuar veten shërbimit ndaj Zotit dhe të të Dërguarit të Tij, qëllimit për t’u bërë interpretues të së drejtës e të së vërtetës si dhe veprimtarisë orientuese, pra, të cilët kanë zbatuar kërkesat dhe kushtet që i përkasin anës tonë të marrëveshjes mes Zotit dhe nesh, përballë tyre, pra, edhe Allahu, në emër të anës së vet të kësaj marrëveshjeje, do të thotë kështu: “In tensurullahe jensurkum” (po ta ndihmoni Allahun, edhe Allahu ju ndihmon ju) (Muhamed, 7), pra, po ta ndihmoni fenë e Allahut, po t’i bëheni interpretë fesë dhe t’i qëndroni besnikë fjalës se do t’ua kumtoni atë zemrave, edhe Allahu do t’ju ndihmojë ju. Po qe se ju, duke i dalë për zot besimit dhe Kuranit, përpiqeni të mos shtypeni nën këmbët e tyre, edhe Allahu nuk ka për t’ju lënë ju të bini dhe të shtypeni nën këmbët e djallit dhe unit. Kjo është e dyanshme; po të veprosh ti, edhe Ai do të veprojë, po të vraposh ti, edhe Ai do të vrapojë… Po si? Sipas shprehjes së hadithit, porosisë profetike, po t’i afrohesh ti Atij një pëllëmbë, Ai të afrohet ty një hap; atij që i shkon duke ecur, Ai i afrohet duke vrapuar, atij që i zgjat një dorë, Ai ia zgjat të dy duart!
Përsa kohë që ne të tregohemi besnikë e t’i vëmë supet fesë së Allahut, Allahun do ta gjejmë gjithmonë besnikë ndaj nesh dhe Ai s’ka për të na lënë neve vetëm për vetëm me dyshimet e djallit dhe dëshirat e vetvetes sonë. Po, Ai nuk ka për të na braktisur të prishemi, të shuhemi, të kalbemi dhe të vdesim në duar të huaja, por do të na thotë, “o robi im!” Pa shihni kah kjo fjalë e ëmbël: “Mbajeni ju fjalën para meje, ta mbaj edhe unë para jush!” (Bekare, 40). A mund të ndodhë që, pasi ju ta keni ndihmuar fenë e Allahut, Ai t’jua lëshojë sipër djallin për t’ju shkatërruar? A mos pandehni se, ndërsa ju vraponi, djersiteni e lodheni për vdekje për t’i bërë zemrat ta ndjejnë Allahun dhe të qetësohen me Të, duke e bërë këtë punë me pasion, Zoti juaj do t’jua përplasë syve mëkatet që i bëtë me dashje a pa dashje jashtë, në rrugë a në treg, do t’ju lërë në baltovinë e në duar të djallit dhe do t’jua llogarisë të mirat vetëm një për një? Kurrsesi! Ndërsa ju vraponi në rrugën e Tij sikur të kalonit nëpër një det gjaku, ndërsa përballeni çdo çast me baltërat e mëkatit që ju spërkasin e ju ngjiten për trupi, Ai s’do t’ju lërë vetëm për vetëm me dëshirat tuaja egoistike në këtë atmosferë dhe klimë mëkati ku shpirti ju tronditet dhe zemra me ndjenjat ju rrihen sa e sa herë, pa dyshim që do t’jua zgjasë dorën e ndihmës dhe do t’jua dërgojë provën evidente! Në fakt, secili prej nesh, përsa kohë që, në jetën personale, nuk ka këmbëngulur për ta përdorur vullnetin për të keq dhe nuk ka thënë “unë do të hyj në mëkat”, është bërë shumë herë dëshmitar i mirësive dhe favoreve të tilla të Zotit. Ne kemi vënë re se në çastin kur kemi ardhur mu në skaj të greminës dhe kur kemi mbetur ballëpërballë me një mëkat, na kanë zbritur dy duar nga qielli dhe na kanë shpëtuar nga rrëzimi! Për shembull, mu kur keni qenë duke plasur nga mërzitja apo vetmia dhe keni dashur të dilni jashtë, se nga ka dalë një shok i mirë e ju ka shpëtuar nga hyrja apo rënia brenda sajimeve e gënjeshtrave. Madje, disa herë, pa e kuptuar as vetë, disave prej nesh u ka dalë në buzë një lutje, një ajet ose një dritë dhe kanë shpëtuar nga rreziku për t’u bërë shenjë dhe objekt i shigjetave të djallit dhe viktimë e dëshirave egoistike. Sigurisht, ftuesi më i madh i ndihmës dhe mbrojtjes së Allahut është, në kuadër të besnikërisë ndaj marrëveshjes me Allahun, Zotin tonë, ndihma ndaj fesë së Tij!
Pa dyshim, ka fitim në raport me humbjen dhe shpërblim, në raport me rrezikun. Sa më të mëdha të jenë vështirësitë dhe shqetësimet me të cilat përballet njeriu, aq më të mëdha dhe qetësuese janë të mirat që merr. Një orë roje e ushtarit besimtar në kufi përballë armikut, në borë dhe ngricë, i përfton atij të mirat e adhurimeve suplementare që nuk do të mund t’i kryente për vite me radhë! Sigurisht që të njëjtat të mira nuk do t’i fitojë ai tjetri që atë kohë e kalon në shtratin e ngrohtë në kapanon! Nga ana tjetër, të mirat në fjalë nuk do të jenë aq sa të mirat e atij korrespondentit që futet mu në vijën e zjarrit. Po kështu, shërbimi ndaj fesë dhe orientimi janë detyra numër një e profetëve, prandaj, siç shprehet edhe hadithi, porosia profetike, janë pikërisht profetët që vuajnë më shumë se kushdo nga ngatërresat dhe fatkeqësitë. Ajo që e pati bërë të madh Hamzanë dhe që qe bërë shkak të shkruhej në qiej “Luani i Allahut”, qe trimëria e tij, përbuzja e vdekjes, jetesa me mendimin e përjetësisë. Njeriu fiton vlerë në raport me vështirësitë që përballet dhe që i vuan. Po qe se njeriu e ruan ndjeshmërinë fetare në kohët kur dëshirat egoistike e shtrëngojnë më shumë se kurdoherë tjetër dhe kur djalli i hedh shigjeta vdekjeprurëse nga të gjitha anët, lartësohet më shumë se kurdoherë tjetër. T’i dalësh fesë për zot e të zhvillosh veprimtari orientuese si trashëgimtar i Profetit, ka përparësi sa ç’ka edhe rreziqe e vështirësi. Sado që këto avantazhe ndjehen pjesërisht qysh në këtë botë, do të shfaqen dhe zhvillohen me tërë madhështinë dhe shkëlqimin në botën përtej duke dhënë si fryte xhenetin dhe Bukurinë Hyjnore!