Asnjë gjynaqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit.

Jetojmë në një kohë, kur duhet të vuajmë dhe justifikojmë barrën e veprimeve të njerëzve të tjerë, përveç barrës së veprimeve tona. Nëqoftëse do ta shohim individin (njeriun) me syrin e të qenit unik në mendime, ide, besim dhe veprime, atëherë qasja jonë ndaj gjykimit të të tjerëve do të ishte më ndryshe dhe kujdesi i treguar do të ishte më i madh. Fatkeqësisht, njerëzit po gjykohen sipas ideologjisë, grupacionit, vendit apo shkollës ku ata bëjnë pjesë. Kur vjen puna për merita, askush nuk dëshiron t`i ndajë ato me të tjerët dhe ato i adresohen pronarit të tyre. Kjo vlen më shumë kur vjen fjala për akuza, ofendime, kur askush nuk dëshiron të përjetojë vuajtje për hir të kolektivit, veprime që ai person as nuk ka menduar t`i ndërmarrë.

Duke u nisur nga disa persona, të cilët paragjykojnë edhe vendin e shkollimit apo edhe atë të banimit, shohim se bëhet fjalë për kritika, që nuk mbështeten mbi baza të shëndosha dhe për më tepër, bien ndesh me parimet e gjykimit, të cilat i ka vendosur feja jonë, Islami. Parimi kryesor, të cilin dijetarët e kanë konsideruar si parim të drejtësisë dhe barazisë dhe që në Kur`anin Famëlartë përsëritet në disa vende është ai se; askujt nuk i ngarkohet barra e tjetërkujt. Pra, çdo njeri gjykohet për mendimet, veprimet e tij dhe ai nuk ka pse të vuajë dëmet e veprimeve të njerëzve të tjerë, qofshin këta edhe njerëz të tij të afërm. Në komentin e këtij verseti kuranor, përveç kësaj kanë thënë se e njëjta gjë vlen edhe për veprën e mirë, ku merita dhe shpërblimi shkon vetëm për vepruesin e saj.

Por, cilat janë disa nga shkaqet kryesore, që e shtyjnë njeriun t`ia ngarkojë barrën e gabimit shumë njerëzve njëkohësisht, edhe pse do të ishte dashur që secili të gjykohej në mënyrë të veçantë. Të fajësosh dikënd për diçka që nuk e ka kryer dhe të folurit në mënyrë të përgjithshme, në radhë të parë është një problem që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me moralin e njeriut. Një njeri, që nuk ka kultivuar në moralin e tij ndjenjën e drejtësisë dhe barazisë, mund të bjerë shumë lehtë në gabimin e paragjykimit të të tjerëve. T`i bësh të tjerët të vuajnë për shkak të paragjykimeve të tua, tregon një ndjenjë superioriteti të theksuar, gjë që e bën palën tjetër të duket inferiore para syve të tu. Gjithashtu, Kur`ani Famëlartë kur na fton të mos i qasemi asaj që nuk kemi njohuri të mjaftueshme, nuk e përjashton kuptimin e të mos qasurit ndaj (para)gjykimit të njerëzve, të cilët nuk i njohim mirë.

Sëmundja e paragjykimit bën që t`i mveshësh njerëzve cilësi që ata nuk i kanë në të vërtetë, duke luajtur kështu me dinjitetin e tyre. Profeti Muhamed (s.a.s.) në një këshillë të tijën na fton: “Ruajini vetet tuaja ndaj paragjykimit, sepse ai është fjala më e gënjeshtërt.“  Padyshim që është vetëm Zoti ai që do të bëjë gjykimin absolut dhe të drejtë për të gjithë njerëzit dhe gjithësecili do të gjykohet në mënyrë të veçantë dhe jo të përgjithësuar. Atëherë neve na takon t`i ruajmë vetet tona nga paragjykimi dhe të mos i akuzojmë njerëzit për mëkate, të cilat ata as nuk i kanë kryer.

Postime të ngashme