Arkitektët e së ardhmes

Punëtorët e mendimit që do të ndërtojnë të ardhmen dhe do ta lartësojnë atë janë ata fatlumë që kanë arritur të fitojnë njëherë ekzistencën e vet brenda shpirtit të tyre. Këta heronj të së vërtetës, që ia kanë dorëzuar materialen e tyre thellësive të shpirtit, që e kanë fshirë veten e tyre, ndaj edhe shfaqen si shumë të zbehtë. Ndaj edhe, nga kjo pikëpamje, ata që i kanë pritur ata duke u argëtuar në një jetë të madhështisë së kësibotshme janë zhgënjyer saherë dhe asgjë nuk ka rezultuar ashtu siç ata e kanë imagjinuar.

Kur i sheh nga jashtë, ata duken të ashpër. Por nga zemrat u avullojnë erëmime nga më të llojlloshmet, që krijohen prej mijëra avullimesh të vlimit në zemrat e tyre. Është shumë e vështirë që t’ua tregosh atyre që nuk i përkasin të njëjtës botë me ta, lëkurën e tyre të zambaktë dhe aromën e tyre të jasemintë. “Ai që nuk hyn nuk e ndien, ai që nuk e provon nuk ia di shijen.” Barrë më e rëndë se mali i Kafit është, t’ua paraqesësh shurdhmemecëve këtë gjendje…

Ata nuk e njohin famën dhe dekoratat, e nuk i dorëzohen as postit, as pozitës. Zjarri i përjetësisë që kanë ndezur thellë brenda vetes, i ka bërë që të mos kenë pritmëri ndaj asgjëje. Në egon e tyre të shkrirë si parafina e qiririt, botët mbyten nga drita, por ata as dritën e syve nuk duan ta përdorin për hesap vetjak të tyre. “Ne falna mundësi që të çelim rrugë, të tjerëve që të ecin lehtësisht; ne mund e përpjekje, përfitimet të tjerëve…” Nuk e di, por natyra e tyre si prej misteri, nuk e di a mund të shprehet kësisoj, në kaq pak rrokje…?

 

Ata nuk janë të dhënë pas pamjes, e nuk kanë kurrfarë imazhi madhështie… Për të shprehur ndjenjat dhe mendimet që kanë, ata nuk ndiejnë nevojë pas për podiume të larta, e as për sallone madhështore. Ndjenjat e thella u rrezatojnë në fytyra dhe kjo është rruga më madhështore dhe më e sinqertë përmes së cilës ata u drejtohen njerëzve.

Natyra e tyre është një “përzierje” e arrirë e materies me shpirtëroren. Ndaj ata nuk bien asnjëherë ndesh me natyrën. Me një materie në delikatesën e një gjergjefi, plotësisht nën urdhërimin e shpirtërores.

Ata janë të aftë të përballojnë shumë dhe nuk dinë të hidhërohen me asgjë. Çdo regëtimë inati e mllefi që përplaset me atmosferën e tyre shkrihet e shpërbëhet menjëherë, një t’u përplasur me klimën e tyre të nxehtë e shkrirëse, pa lënë as shenjën më të vogël. Nëse do ta shprehim me gjuhën e Junusit, ata janë “pa duar ndaj atyre që i qëllojnë dhe të pagjuhë e pa zemër ndaj atyre që i

shajnë”. Dhe, kur themi pa zemër, të mos keqkuptohemi sikur ata të mos kishin zemër; sepse brenda tyre do të dallosh dilemën e njëmijë e një trishtimeve dhe gëzimeve.

Lumturia vetjake është e huaj për ta dhe ata do t’i gjesh përherë duke menduar veç për të tjerët. Me një zgjatim që duket sikur e ka burimin në thelbin e profetësisë, duket sikur ata janë të përbërë veç nga gëzimi dhe hidhërimet e njerëzve që i rrethojnë.

Ata janë të vendosur dhe këmbëngulës. Edhe sikur njëmijë pranvera të zhbëhen përpara këmbëve të tyre, ata nuk do të ndryshojnë, as rrugë, as drejtim. Për ta posti nuk është tjetër veçse një kolovajzë mashtrimtare, pozita si një shkrim mbi akull, e pasuria asgjë më shumë se sa një mbeturinë që e ndërron drejtimin karshi çdo furtune që ia beh.

Këto personalitete që janë të dashuruar pas bukurive që nuk zbehen nuk e humbin shikimin e ai nuk u turbullohet as nga lëvizjet sylëbyrëse të Xhenetit të amshuar. Mirëpo ekzistenca që rrokulliset nëpër të përkohshmen drejt fundësisë, nuk lë as shëmbëlltyrën në të bardhën e syve të tyre…!

Fama dhe nami i mirë janë gjërat më të urryeshme për ta. Çdo luftë të bërë për hir të famës ata e konsiderojnë komedi, e çdo betejë veçse nga një donkishotizëm të pastër. Dhe, me komplimentin e marrë prej matanë, “Edhe më parë, cilësinë e atyre ‘që iu dorëzuan më të Drejtit’, Ai jua pati dhënë.”[1] ata nuk ndiejnë nevojë as për çmime Nobel, as për reklama nëpër faqet e gazetave. Jo që nuk ndiejnë asfare nevojë, por çdo përpjekje në kërkim të famës dhe dekoratave, në sytë e tyre, është një atentat mizor kundër natyrës njerëzore dhe nuk ka se ç’të të ofrojë, pos poshtërimit.

Ata janë heronjtë e zemrës: Të ndritur përbrenda, me ndjenja të kulluara, me mendimet të thurura si hoje të përkryera njohjeje dhe në një atmosferë që vetëm me Xhenetin mund të ngjasojë për nga qetësia. Ata që rrinë në një mjedis me ta gjejnë lumturinë. E ata që largohen prej tyre privojnë veten prej saj.

Zemrat i kanë më se të lira dhe të çliruara nga çdo lloj vargoi. Asgjë kalimtare nuk u bëhet dot prangë, e asgjë nuk u është bërë dot kular qafave të tyre si të fazanit. Megjithatë, robërimi ndaj Zotit është shenja më madhështore që i bën ata të dallueshëm. “Rob t’u bëra, rob t’u bëra... Çdo rob veç kur lirohet e gjen paqen. Unë e arrita harenë e gëzimin kur Ty t’u robërova.” Kjo, nëse do ta themi me fjalët e Mevlanës, i cili me këto fjalë ka shkruar eposin e lirisë dhe robërimit. Ambicia e nuk ua njollos dot horizontin. Epshet e kanë të pamundur që të gjejnë dot vend për të bujtur në botën e tyre. Netët i kanë në qashtërsinë e agimeve, e ditët si ditët e Xhenetit.

U bënë sa e sa vjet, që njeriu i Anadollit e ka zemrën të djegur e të copëtuar, e rri në pritje të këtyre arkitektëve të zemrave. Dhe e ka shumë të vështirë që ta hamendësojë se edhe për sa kohë do t’i duhet që të presë. Andaj ne, pa humbur asfare prej shpresës sonë, t’i drejtohemi horizontit prej nga presim lindje dhe të vazhdojmë t’i përgjërohemi Mëshirës së Pashtershme…

Ai mos na lëntë që të presim edhe shumë, për të restauruar bedenat e zemrës dhe shpirtit që na janë rrënuar.

[1] Haxh, 22/78.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: