Gradët që fitohen me pastërti
Namazi është një adhurim i shkëlqyer që përmban katër gradë pastrimi dhe pastërtie. Në emër të përgatitjes për të, më së pari, me marrjen e abdesit dhe guslit, trupi, organet dhe gjymtyrët pastrohen prej këllirës dhe fëlliqësive. Pastrimi i trupit është grada e parë. Në radhën e dytë, sipas shprehjes së ajetit që thotë “Mbaje të pastër rrobën” (Mudeththir, 74/4), vjen pastrimi nga njeriu i veshjes së vet, i mjedisit ku ndodhet dhe i vendit (truallit) ku do të falë namaz. Në këtë mënyrë, syri që kalon nëpër këtë proces pastrimi, nuk sheh në haram, goja nuk thotë fjalë të keqe, dora nuk bën punë të keqe, këmba nuk hedh hap në drejtim të keq dhe, kështu, të gjitha gjymtyrët shmangen nga mëkati. Në një hadith të rrëfyer nga Ebu Hurejre, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e shpreh kështu këtë situatë: “Sapo një besimtar të marrë abdes, me larjen e fytyrës, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të shikimit; me larjen e duarve, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të duarve; me larjen e këmbëve, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të këmbëve; kështu, pasi ta plotësojë abdesin, del krejtësisht i pastër, i qëruar nga mëkatet!” Ndoshta për këtë arsye i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të ka marrë abdese të veçanta për çdo namaz. Madje dihet se gjer në triumfin e Mekës, ai nuk ka falur dy namaze me të njëjtin abdes.
Në gradën e tretë është pastrimi i zemrës e cila, duke ardhur në një gjendje të kthjellët me anë të zhveshjes prej ndjenjave dhe mendimeve të këqija, pas kësaj sheh pëlqimin e Zotit. Po, me anë të gjërave për të cilat i ka urdhëruar njerëzit, Zoti dëshiron të kujdeset për njerëzit dhe këtë kujdesje e bën pretekst që njerëzit të drejtohen drejt Tij: “Kthehuni ju nga unë dhe lutuni, që edhe unë të kthehem nga ju e t’i jap përgjigje lutjes suaj!” E shprehur ndryshe, nëse një njeri qëndron në namaz i përkulur më dysh para Allahut, do të thotë se edhe Allahu sheh nga ai e i përgjigjet lutjes së tij!
Në ajet urdhërohet: “Kujtomëni mua që edhe unë t’ju kujtoj ju!” (Bekare, 2/152). Kurse hadithi profetik e zbërthen kuptimin e tij: “Kujtojeni Allahun në çastin tuaj të gjerë që Ai t’ju kujtojë ju në çastet tuaja të shqetësuara!” “Kujtomëni mua në këtë botë, që edhe unë t’ju kujtoj ju në varr, në mahsher, në sirat, kur t’ju bien sipër shkëndijat e xhehenemit…” Ja, këtë e shprehin ajeti dhe hadithi. Si flutura që vërtitet rreth dritës, njeriu duhet ta kërkojë Atë duke u rrotulluar pa pushim rreth Tij, në mënyrë që ta gjejë një ditë. Ja, këtë kthim nga Allahu e siguron namazi. Besimtari që bën përgatitje për namaz, dashje pa dashje, me anë të pastrimit e rifreskon dhe e rinon veten, pastaj vrapon për të dalë para Zotit dhe kthehet në drejtim të Tij. Atëherë, edhe Zoti nuk mbetet indiferent ndaj këtij kthimi, por i hap dyert kat më kat!
Është edhe pastrimi i profetëve, që është grada më e lartë e pastrimit, e cila është zhveshja e zemrës nga çdo gjë tjetër veç Allahut, heqja nga zemra dhe hedhja tej edhe e gjërave legjitime të kësaj bote dhe shfaqja e Allahut. Ja, pastrimi që kërkohet nga Profeti ynë dhe profetët e tjerë si dhe pika finale ku kanë arritur ata në pastrim dhe pastërti. Për të arritur në këtë gradë, duhet filluar nga fillimi e duhet ndjekur radha e gjërave gjer në fund. Për shembull, pastrimi nga gjërat e tjera veç Allahut është i pamundur pa kaluar nga pastrimi i zemrës dhe pa u zhveshur nga morali i keq, sepse zemra nuk mund të ngrejë lidhje me Allahun pa u çliruar nga morali i keq dhe pa u shkëputur nga gjërat që kanë lidhje me këtë botë. Gjithashtu, pa u çliruar gjymtyrët nga mëkati, nuk mund të ndizet ndonjë dritë në zemër. E thënë ndryshe, vetëm në sajë të largimit të gjymtyrëve të brendshme e të jashtme nga mëkati, në zemrën e njeriut do të shkëlqejë rrezja e besimit. Kjo do të thotë se, pa kaluar, sipas radhës, nga një gradë në tjetrën, kapërcimi i gradëve është i pamundur. Krejt si në shkallaret, duke u ngjitur shkallë-shkallë, do të arrihet në gradën e dëshiruar dhe, në fund, do të arrihet pëlqimi hyjnor. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të është sjellë, me sa ka patur mundësi, me korrektesë të lartë edhe në abdes, edhe në namaz, në emër të pastërtisë së zemrës ka bërë pendesë njëqind herë në ditë, sipas një rivajeti tjetër, shtatëdhjetë herë në ditë, dhe për ta shprehur këtë, ka thënë: “Me të vërtetë, unë i shfaq pendesën dhe i kërkoj falje Allahut njëqind herë në ditë!”
Pendesa e Profetit paqja qoftë mbi Të duhet interpretuar si mësim për njerëzit se sa e domosdoshme është pendesa, se besimtarët duhet t’i luten Allahut t’ua falë mëkatet, se, përsa i përket ndodhjes në përparim të vazhdueshëm, duhet ta shohin të mangët gjendjen e mëparshme në krahasim me të tashmen dhe se, ndonjëherë, duhet braktisur më e mira. Ndryshe, është gabim që, duke e menduar atë si njërin ndër ne, ta kuptojmë pendesën e tij si pendesën tonë, sepse profetët janë të pafajshëm në mëkate të mëdha e të vogla.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Profeti lutej disa herë në mëngjes e mbrëmje: “O Ti që i kthen zemrat nga të duash! Mbama zemrën të qëndrueshme në fé!”
Ja, pra, kontrolli i brendshëm i tij kaq i shëndoshë ishte dhe ai ishte në shpirt kaq i kthjellët e i thellë!