Abdesi është cilësi e posaçme e myslimanëve

Nuk e dimë se si ka qenë abdesi i bashkësive të kaluara. Nëse ka një gjë që e dimë, kjo është se nuk ka fé tjetër që t’i japë rëndësi pastrimit sa ç’i jep Islami, pasi Islami i jep rëndësi shumë të madhe
pastërtisë materiale e shpirtërore. Allahu ka urdhëruar abdesin para namazit që është adhurimi më i rëndësishëm i njeriut ndaj Zotit: “O ju që keni besuar! Kur të ngriheni për të falur namaz, lani fytyrën dhe duart gjer në bërryla, fërkojeni kokën dhe lani këmbët bashkë me thembrat. Po qe se jeni xhunub, lajeni gjithë trupin. Po qe se jeni të sëmurë ose udhëtarë, po qe se keni dalë nga nevoja ose keni hyrë në marrëdhënie me gratë dhe nuk gjeni ujë, bëni tejemum me dhé të pastër duke fërkuar duart dhe fytyrën me të me qëllim pastrimi shpirtëror…” (Maide, 5/6). Me këtë ajet, Allahu ua ka bërë ligj myslimanëve abdesin dhe tejemumin, e ka quajtur haram ndenjjen në një gjendje që do të bëhej shkak për lënien e namazit dhe ka kërkuar bërjen e tejemumit në kushtet e mungesës së ujit. Mos e quani abdesin si diçka të zakonshme, ai ka një kuptim të madh në vetvete. Ndoshta për ne është bërë diçka e zakonshme sepse jemi mësuar me të, ndoshta nuk ia shohim dot shkëlqimin, por po të dalim nga radhët e atyre që marrin abdes e falin namaz dhe ta shohim detin nga jashtë, do ta rrokim dhe kuptojmë më mirë vlerën e tij. Të bën të rrëqethesh gjendja e njerëzve që marrin abdes në ngricë me ujërat si akull. Është shumë e vështirë ta shprehësh kuptimin e kësaj. Abdesi është cilësi e posaçme vetëm për myslimanët. Nuk ka tjetër veç myslimanëve që të marrë abdes pa pyetur për të ngrohtë e për të ftohtë!

Postime të ngashme