Shtrimi i sofrave të iftarit edhe për të tjerët

Muaji i Ramazanit, i cili shfaqet në horizontet tona me bukuritë e tij marramendëse, si agjërimi, iftari, syfyri, teravitë, dhe krijon një atmosferë të shenjtë, që është karakteristike e tij, edhe në kohërat kur tensionet ndjekin njëri-tjetrin, dhuna dhe ashpërsia ia lënë vendin njëra-tjetrës, konfliktet e krijuara njihen si meritë dhe në mes masave mbizotëron ftohtësia, ka një ndikim të veçantë, që shpirtrat të arrijnë paqen edhe njëherë, zemrat, ndjenjat dhe mendimet të bëhen të qashtra dhe çdo ngërç, ngurtësi dhe ashpërsi të bëhet e paqtë. Zaten, një e vërtetë tjetër është edhe që në këtë muaj të bekuar, kur paqja, butësia dhe ëmbëlsia janë më të ndjeshme, te myslimanët mbizotëron një ndjenjë e thellë respekti. Nga kjo pikëpamje, edhe nëse tani ne jemi të rrethuar nga çdo anë nga të këqija nga më të ndryshmet, ne mund të përdorim vullnetin dhe t’i hapim zemrat ndaj kësaj prerjeje të bekuar të kohës, të besojmë me gjithë zemër te begatia e tij dhe t’i drejtohemi me ndjenjat më të thella të respektit; edhe ai do të na përqafojë ne, do të na e zbrazë mbi krye gjithë begatinë e vet, do t’i dalë përpara ashpërsisë, egërsisë dhe inatit, e kësisoj, në shoqëri do të sundojë atmosfera e qetësisë dhe paqes.

Tani, nëse do të ndalemi tek ato që duhen bërë, për shembull, dikush që banon në një apartament, cilatdo që të jenë kultura dhe botëkuptimi i fqinjëve të tij, t’i ftojë ata në sofrën e vet të iftarit dhe me sa të ketë mundësi, të sillet me ta me bujari dhe si xhentilmen. Madje, pasi t’u japë për të ngrënë, t’u thotë: “Ju u munduat duke ardhur deri te ne. Nëse e pranoni, edhe kjo le të jetë si një farë qiraje për dhëmbët tuaj.” – dhe t’u japë nga një dhuratë të vogël të përgatitur më herët. Nëse i ka mundësitë, t’u japë nga një dhuratë të vogël edhe fëmijëve, në mënyrë që t’i kënaqë edhe ata të vegjël. Në të njëjtën mënyrë, dikush që është mësues në shkollë, apo dikush që është profesor në universitet ose dikush që punon në një institucion tjetër, mund të kontribuojë në paqen shoqërore duke ua hapur sofrën e tij të iftarit të gjithëve pa bërë dallime se cilës shtresë i përkasin ata që do të ftojë.

Ne duhet ta vlerësojmë aq mirë këtë muaj të bekuar e që vjen me shumë begati, aq sa nuk duhet të ketë asnjë sofër që nuk pret miq në iftarin e saj. Po, sofrat e iftarit duhet të pasurohen më shumë me praninë e sa më shumë miqve të shumëllojshëm, më shumë se sa me shumëllojshmëri ushqimesh. Ju e dini, Profeti ynë i Nderuar thotë: “Ushqimi që është për një person u mjafton edhe dy vetëve, ushqimi që është për dy u mjafton edhe katër vetëve, ushqimi që është për katër vetë u mjafton edhe tetë vetëve.” Nga kjo pikëpamje, në Ramazan, i cili vjen me një begati krejt të veçantë, nuk duhet të ekzistojë shqetësimi se kanë ardhur shumë miq.

Një sjellje si kjo është një rrugë e rëndësishme diplomacie tejet e rëndësishme për mbylljen e humnerave që ekzistojnë mes shtresave të ndryshme të shoqërisë, por edhe për kapërcimin e paragjykimeve të shumta që e përçajnë shoqërinë. Ka shumë probleme, të cilat nuk zgjidhen dot me forcë dhe fuqi, por zgjidhen menjëherë me anë të kësaj rruge. Nëse ju ia hapni të gjithëve zemrën, hyni në zemrat e bashkëbiseduesve tuaj me njerëzinë tuaj, përgatitni në zemrat tuaja një vend ku mund të ulet gjithkush dhe kësisoj, zemrat njerëzore fillojnë t’ju ndjekin nga pas, atëherë nuk ka urrejtje, mllef, inat, gjakderdhje dhe humbje jete që nuk ndërpritet. Përgjatë historisë së njerëzimit, asnjëherë nuk është vërejtur që problemet të jenë zgjidhur, apo shqetësimet të jenë kapërcyer nëpërmjet kanosjes. Përkundrazi, njerëzit janë nxitur edhe më shumë nga kanosjet dhe janë organizuar edhe më shumë në boshtin e tyre të inatosjes dhe shkatërrimit.

E thotë edhe një fjalë e urtë, një kafe e ka hatrin dyzet vjet. Edhe një iftar që do të shtrojmë, do të ketë hatrin e vet për dyzet vjet me radhë. Prandaj, kjo është një bujari që duhet të kryhet, sepse kthimin e ka shumë ndryshe. Nuk e dimë, ndoshta këtu fshihet një pjesë e rëndësishme e begatisë së muajit të Ramazanit. Domethënë, ne mund të fitojmë shpërblime hyjnore duke agjëruar, duke falur teravitë, por fitojmë edhe më shumë duke hyrë në zemrat e njerëzve. Nga ana tjetër, shërbëtorët e Kuranit, të cilët ngarendin në rrugën e shërbimit ndaj njerëzimit në të katër anët e botës, mund ta konsiderojnë Ramazanin si një shkas shumë të rëndësishëm për të hyrë në zemra. Njësoj siç vihen në pah ndjesitë e bujarisë në Bajramin e Kurbanit, kur kurbanët e prerë shpërndahen ngado, duke nisur që nga njerëzit në nevojë, dhe nëpërmjet kurbanit fitohen sa e sa zemra, por në to u vunë në lëvizje edhe sa e sa ndjenja besimi që mes tyre ekziston një farë vëllazërie. Po ashtu, duke ua hapur të gjithëve dyert e syfyrit dhe iftarit, mund të fitohen sa e sa zemra dhe ky muaj i bekuar të fitojë një cilësi të veçantë, me të cilën Allahu (xhel’le xhelaluhu) do të jetë i kënaqur. Veçanërisht ftesat e syfyrit dhe iftarit jashtë vendit, do të jenë mjaft të dobishme për të njohur njëri-tjetrin dhe për ndërtimin e paqes në mesin e njerëzimit. Sidomos ezanet e kënduara në çastin e iftarit do të jenë mjaft origjinale, sepse do të dëgjohen ngado si një zë surprizë. Prandaj, një mundësi e këtillë duhet vlerësuar sa më mirë që të jetë e mundur, për t’u treguar bashkëbiseduesve bukurinë tonë, por edhe për t’i njohur ata me pasuritë tona.

Ndoshta këto aktivitete te bashkëbiseduesit tanë do të krijojnë thjesht një simpati ndaj Islamit. Mirëpo edhe një fitore e këtillë nuk është për t’u nënvlerësuar. Kushedi, ata njerëz, që ndoshta e ndiejnë çdo gjë të njomë e të freskët, me kalimin e kohës do t’i ndiejnë bukuritë e Islamit dhe si në një trampolinë vertikale, do të lartësohen drejt fronit të përsosmërisë. Nga ky këndvështrim, që të arrihet ky rezultat, ia vlen të shtrohen nga tri-katër sofra në ditë, jo vetëm një sofër iftari.

Fatkeqësisht, njeriu i ditëve tona jetoi i privuar nga bukuritë e të qenit mysliman, nuk i dalloi dot sjelljet dhe qëndrimet e mirëfillta myslimane. Ja, kjo është detyra jonë më e rëndësishme, t’u tregojmë atyre cili është Islami i vërtetë, me strukturën tonë familjare, me marrëdhënien që ne kemi me nënën, babain dhe fëmijët, me ftesat tona, duke u treguar se sa xhentilmenë jemi. Nëse dikush i sheh myslimanët si armiqtë e vet, atëherë rruga e kapërcimit të kësaj është qëndrimi sa më afër me ta. Prandaj, në muajin e bekuar të Ramazanit, myslimanët duhet të bëjnë çdo përpjekje që ta bëjnë këtë punë në mënyrën më të arsyeshme, ashtu siç e kërkon pozicioni në të cilin gjenden dhe duke përdorur arsyen, logjikën, gjykimin dhe fuqinë e këshillimit me njëri-tjetrin.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: