Agjërimi e mbron njeriun nga mëkatet

 Mëkati është një shembje, një prapësi dhe kundërvënie ndaj krijimit dhe natyrës njerëzore. Personi që hyn në mëkat është një fatkeq që ia lë veten vuajtjeve të ndërgjegjes dhe shqetësimeve të zemrës, një viktimë që ia ka dorëzuar djallit të gjitha aftësitë dhe mundësitë shpirtërore. Dhe, nëse vazhdon ta kryejë atë mëkat, e lëshon krejtësisht fillin prej dore dhe s’i mbetet më as vullnet, as qëndresë, as fuqi për ta ripërtëritur veten.

Në rrugët ku ecën njeriu gjallojnë mëkate me grumbuj. Në këto rrugë, mëkatet e vëzhgojnë njeriun si kobra. Edhe sikur të mundet të shpëtojë prej njërës, e ka mjaft të vështirë ta vazhdojë rrugën pa u kapur prej të tjerave. Duhet një vullnet tejet i fortë që njeriu të mund të shpëtojë nga dalja nga rruga ose nga rënia në ndonjë gropë siç ndodh me makinën në kthesat e forta ose në rrugën plot gropa!

Ja pra, përballë këtij rreziku, agjërimi ka vlerën e një dorëzanësi ose garantuesi. Për disa njerëz është një ledh mbrojtës nga shkarja. Eshtë një “përqëndrim trupash” kundër mëkateve. Agjërimi është si një mburojë që e mbron të zotin, si një portë e fshehtë në muret e xhenetit, parajsës, që e ndihmon agjëruesin të hyjë në xhenet, si një shok i bekuar që me gotën në dorë i ofron ilaç nga lumenjtë e parajsës.

I Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë: “O të rinj! Kush nga ju të ketë mundësi për t’u martuar, të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtës për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara), është ruajtës i vetes nga prishja e nderit. Dhe kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, të agjërojë, sepse agjërimi është për të një mburojë!”

Agjërimi është një stërvitje, zhvillon tek personi aftësinë për t’iu kundërvënë dëshirave trupore. Ashtu siç kur është i agjëruar, njeriu gjen forca për t’u bërë pengesë ndaj çdo lloj dëshire dhe prirjeje negative, ashtu dhe kur s’është i agjëruar, me këtë qëndresë të fituar, mund të gjejë forca për t’iu bërë pengesë dëshirave dhe prirjeve në fjalë. Sepse agjërim s’do të thotë vetëm ta lësh stomakun të uritur, përkundrazi, do të thotë që edhe sytë, veshët, zemrën, imagjinatën, etj., t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre t’i shtysh drejt përjetësisë sipas veçorive të secilës. Personi që agjëron në këtë mënyrë, bën një jetë me indeks hallallin, gjërat e lejuara e të bekuara. Brenda kësaj ideje duhet interpretuar hadithi në vijim i Profetit: “Kush më jep garanci se do ta ruajë gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj xhenetin!”

Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur fenë nën kontroll. Kur stomaku mbahet vazhdimisht plot, të gjitha organet e trupit arrijnë kapacitetin më të lartë të energjisë dhe kjo bën që dëshirat dhe kërkesat e nefsit (frymës, egos) të arrijnë gradën më të lartë të përqëndrimit. Atëherë, njeriut i zgjidhet gjuha dhe i bëhet e pakontrollueshme. Ndërkaq, gjuha e pakontrolluar është njëra nga rreziqet më të mëdha për njeriun për jetën e pasme (ahiret). Mënyra e vetme për ta vënë nën kontroll gjuhën është shkurtimi dhe prerja e dëshirave dhe kërkesave të nefsit. Dhe agjërimi është receta më e mirë për t’u këshilluar si kryerëse e këtij funksioni. Këtë e mbështesin edhe këto hadithe të Profetit: “Në ditët kur dikush nga ju është i agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtasë. Po qe se dikush e shan ose e godet me dorë, t’i thotë, “unë jam i agjëruar”. “Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë i agjëruar, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për ndenjjen e tij pa ngrënë e pa pirë!”

Shkurt, forma më e përsosur e agjërimit është edhe “agjërimi”, domethënë, kufizimi i syve, veshëve, zemrës, imagjinatës, mendimit, etj. Me fjalë të tjera, pengimi dhe largimi i tyre nga haramet dhe mëkatet duke i shtyrë në adhurimin e Zotit në mënyrën që është e posaçme për secilën. Dhe rruga e kësaj është kufizimi i stomakut. Po qe se stomaku mund të vihet nën kontroll me anë të agjërimit, edhe të tjerat mund të vihen lehtësisht në ndjekje të tij.66

Postime të ngashme

%d bloggers like this: