Muaji i mëshirës  dhe adhurimit

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë:

“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje i falen të gjitha gjynahet e kaluara.”

Ramazani është muaji i agjërimit, muaji ku besimtarët shtojnë adhurimet e tyre, është muaji i namazeve të natës, muaji i leximit dhe i këndimit të Kuranit, muaji i bujarisë, mëshirës, muaji i shpëtimit, muaji i së drejtës, virtytit dhe dhembshurisë.

Në këto 30 ditë të sakrificës, krahët e mëshirës janë shtrirë anekënd dhe nuk ka lutje a pendim që nuk pranohet. Portat e qiellit janë hapur duke pritur lutjen e agjëruesit, nga ku drejtohet thirrja e Allahut: “A ka ndonjë që Më lutet, T’ia pranoj lutjen?

Agjërimi është një disiplinë shpirtërore që i obligohet çdo të rrituri mysliman, qoftë burrë apo grua. Agjërimi është lartësim i shpirtit, ushtrim për forcimin e trupit dhe nxitës për bamirësi. Ai është mbrojtës i njeriut. Agjërimi si adhurim afron njeriun me Zotin.

Gjatë këtij muaji, më tepër se kurrë njerëzit e besimit, me përulësi të plotë dhe dëshirë të zjarrtë kthehen te Zoti me tërë qenien e tyre, ndërkohë, çdo gjë tjetër veç kënaqësisë së Zotit zhduket nga vështrimi i tyre.

Ramazani shërben si një periudhë vetedukimi për fuqizimin e ndjenjave njerëzore. Duke agjëruar hiqet dorë prej gjërave të zakonshme, që janë e drejta jonë më e natyrshme, hiqet dorë prej gjërave të ndaluara si gënjeshtra, shpifja dhe thashethemet.

Agjërimi është akti më intim i devotshmërisë. Ai edukon, formon, rilind, disiplinon, fisnikëron dhe zhvillon të bukurën, atë që është humane dhe e dobishme.

Ramazani është muaji i durimit, kurse shpërblimi i durimit është Xheneti. Ramazani është muaji i barazisë, i shtimit të mirësisë.

Mbarë myslimanët, të rinj e të vjetër, gra e burra, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, drejtues e të drejtuar, nëpunës e tregtarë, vijnë e bashkohen në klimën zbutëse, formuese e të magjishme të Ramazanit e me një përzemërsi, pastërti, ngrohtësi ndajnë së bashku një lumturi që vetëm krijesat qiellore e njohin.

Qëllimi i fesë Islame është të gatuajë një shpirt të dashuruar me besimin, njeriun dhe lirinë, dhe pikërisht Ramazani luan një rol të rëndësishëm në ripërtëritjen e këtij ideali.

 

© URTESI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: