Adhurimi në jetën e Profetit (a.s) dhe ekuilibri në adhurim

Në gjuhën arabe, për të shprehur adhurimin përdoret fjala Ibâdet (عِبَادَةٌ). Ky është adhurimi ndaj Allahut (xh.sh.). Termi “ibadet” vjen nga rrënja a-b-d (عَبَدَ) që do të thotë “të bësh adhurim, të adhurosh dikë”, etj. Nga e njëjta rrënjë vjen edhe fjala abd (عَبْدٌ), që do të thotë njeri i lirë ose i robëruar, por njëkohësisht ka kuptimin e jetesës si një rob i Zotit dhe kjo formë jetese me ndërgjegjshmërinë e të qenit rob i Zotit shprehet me termin ubudijjet(عُبُودِيَّةٌ). Pra shpreh një nënshtrim ndaj Krijuesit. Kështu që kjo fjalë, krahas adhurimit të institucionalizuar, si namazi, agjërimi, haxhi, etj, shpreh edhe një formë jetese.

Përkufizimi i adhurimit

Në literaturën islame, ibadeti/adhurimi ka dy kuptime, njëri i përgjithshëm e tjetri i veçantë. Kuptimi i përgjithshëm mund të shprehet kështu: Veprat që kryen ndërgjegjshmërisht nga njerëzit në përshtatje me kënaqësinë e Allahut si rezultat i respektit dhe dashurisë ndaj Tij. Sipas këtij përkufizimi, çdo vepër e bërë për kënaqësi të Allahut quhet ibadet/adhurim. Kurse kuptimin e veçantë e përkufizojmë kështu: Vepra të caktuara që kryhen prej personave përgjegjës me qëllim që të fitojnë kënaqësinë e Allahut. Kurse termi “person përgjegjës” në Islam, përfshin çdo person që ka arritur moshën e pubertetit dhe që ka një zhvillim normal mendor. Në këtë rang adhurimesh hyn namazi, agjërimi, zekati, e adhurime të tjera të ngjashme.[1] Edhe Xhurxhânî në veprën e tij et-Ta’rifât jep përkufizimin e medhhebit Hanefî duke thënë: “هو فعل المكلف على خلاف هوى نفسه تعظيماً لربه” “Ibadet quhen veprat e personit përgjegjës të bëra për të lartësuar Zotin, pavarësisht dëshirave të nefsit të tij”.[2]

Profeti (a.s) dhe adhurimet

Nëse marrim për bazë kuptimin e parë të fjalës iradet, atëherë mund të themi se e gjithë jeta e Hz. Muhammed (a.s) ishte e përqendruar në realizimin e këtij synimi. Megjithatë kur themi ibadet në fillim na vjen ndër mend kuptimi i veçantë i kësaj fjale, kështu që do të mundohemi t’i hedhim një sy jetës së Profetit (a.s) në këtë këndvështrim duke analizuar disa shembuj.

Disa shembuj nga adhurimet

Duhet të themi që Hz. Muhamed (a.s) ishte tejet i përkushtuar në adhurim. Gjithashtu ai, nga vetë Allahu ishte titulluar në krye abd/rob e më pas rasul/i dërguar. Kur sheh përkushtimin e Profetit (a.s) në adhurim, mendon se gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk kishte bërë asgjë tjetër veç adhurimit. Askush, në asnjë aspekt, nuk mund të krahasohet me të. Në namaz ai përjetonte më të thellin e adhurimeve dhe aq të plotë e ndjente dhe e shfaqte atë, sa thua se nuk kishte namaz që nuk rrënqethej e nuk derdhte lot. Dëshmitarë të kësaj të vërtete kemi shumë sahabe, ndër të cilët edhe bashkëshortja Aishja (r.anha), e cila shpesh herë e ka gjetur Profetin (a.s.) në sexhde të përlotur duke iu përgjëruar të Madhit Zot gjatë natës së zymtë.

Namazi

Padyshim që adhurimi kryesor në fenë Islame është namazi. Jeta dhe praktika e të Dërguarit të Allahut (s.a.s) e tregonte më së miri këtë fakt. Namazi ishte një vepër që ai e priste me dëshirën e pasionin më të madh. Asgjë tjetër nuk i falte atij kënaqësinë që i falte namazi. Ndaj, në një hadith sherif të transmetuar nga Enes b. Mâlik (r.a) ai thotë: حُبِّبَ إِلَيَّ النِّسَاءُ وَالطِّيبُ وَجُعِلَتْ قُرَّةُ عَيْنِي فِي الصَّلَاةِ. “Më janë bërë të dashura: gruaja dhe aroma e mirë, ndërsa drita e syrit tim është namazi”.[3] Sikur gëzohemi e bëhemi me krahë kur na jepet lajmi që po vjen njeriu ynë më i dashur, të cilin ka kohë që e presim, atë ndjenjë e gëzim ka Profeti (a.s) kur i afrohet namazi, vetëm se ndoshta në këtë rast ky gëzim është njëqind herë më i fortë. Sikur ai të kishte ndenjur një kohë të gjatë larg nënës sonë Fatmës, bijës së tij të dashur, pastaj dikush t’i thoshte “Fatma po vjen!” Sa do të gëzohej, sa do të lumturohej ai shpirt i shenjtë! Ashtu gëzohej e lumturohej kur dëgjonte zërin që lajmëronte ardhjen e namazit… madje edhe më tepër. Sepse namazi ishte dashuria e tij, pasioni i tij dhe gjaku i zemrës së tij. Në një hadith tjetër, të transmetuar nga Taberani, i cili e përforcon hadithin e lartpërmendur, thuhet kështu: “Allahu i ka dhënë secilit profet një dëshirë, qëllim e pasion. Sa për mua, pasioni im është namazi i natës”.[4] Kuptimi i tij është ky: Ju tërhiqeni prej pasioneve fizike, materiale e trupore, i ndiqni ato hap pas hapi dhe janë sinjalet e këtyre pasioneve që ju mbajnë në këmbë e ju tërheqin t’i ndiqni. Kurse unë, me të dëgjuar zërin e ndërgjegjes që më thotë: “Ngrihu, koha për t’u falur!” i shkoj nga pas atij sinjali që më magjeps, më merr pas vetes derisa nuk bëj dot pa namazin. Ato net që nuk falem ose nuk ngrihem dot, janë çastet më të dhimbshme, më të trishtueshme për mua.

Çfarë thonin sahabet për namazin e tij?

Ebu Dherr (r.a.) thotë: “Një natë ai u fal gjer në mëngjes. Sa herë u vinte radha ajeteve të lutjeve, ai i përsëriste ato disa herë dhe falej me respekt e përkushtim, duke e bërë namazin një mozaik përgjërimi, bindjeje, paqeje e qetësie. Ai lexonte vazhdimisht lutje gjatë namazeve nafile, në sexhde, ruku’ e në këmbë. Ai nuk kishte ngopje me faljen. Sado që të falej e të lutej, dëshira për namaz veç sa vinte e i rritej më tepër.”

Ibn Mesudi (r.a) tregon: “Një herë, vendosa të fal namaz natën bashkë me profetin. Do ta kaloja natën pranë tij dhe do të kryeja të njëjtat adhurime me të. Nisi të falej, nisa edhe unë. Por ai vazhdonte të qëndronte në këmbë, pa u përkulur në ruku’. Kur mbaroi së lexuari suren Bekare, thashë me vete: “Ja, tani do të përkulet në ruku”. Po ai vazhdoi, lexoi suren Ali Imran, pastaj suren Nisa, pastaj kaloi në ruku’. Aq u lodha gjatë atij namazi, sa e humba përqendrimin e nisa të mendoja gjëra të tjerë. Njëri nga ata të grupit që po i tregoja ngjarjen, më pyeti: “Ç’të erdhi ndërmend?” “Mendova ta prish namazin e ta lë të qetë në namazin e tij”, tha Ibn Mesudi (r.a).

Nëna jonë e nderuar Aishe (r.a) e tregonte me këto fjalë namazin e tij: “Ai qëndronte në këmbë në një mënyrë të tillë, sa s’përshkruhet dot. Ai përkulej ashtu në ruku’, sa nuk përshkruhet dot. Ai shkonte në sexhde… nuk përshkruhet dot!”[5]

Atmosfera e adhurimit të tij

Një tjetër ditë, ai ishte sërish i mallëngjyer. Qante e qante pa pushim. Erdhi Xhebraili (a.s) dhe i solli selam nga Allahu (xh.xh.): “Zoti pyet, pse qan Muhamedi im?” Allahu është njohësi i të hapurës e të fshehtës Gajbit… Dituria e Tij ka përfshirë çdo gjë. Askush, asnjë nuk mund të jetë jashtë njohjes së Tij. Por prapë, pyet. Qoftë dëshmi apo shpallje e pozitës së jashtëzakonshme që kishte Profeti Muhamed (s.a.s.) pranë Tij, nuk ka ndonjë ndryshim. Por profeti, aq shumë qante, sa nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje. Nga buzët i doli vetëm kjo fjalë: “Ummeti, ummeti” Brenga e tij ishte e qartë. Populli i vet! Xhebraili u kthye menjëherë për të raportuar gjendjen. Atëherë Allahu (xh.xh.) e dërgoi sërish atë me një tjetër përshëndetje dhe e ngushëlloi të Dashurin e Vet me këto fjalë: “Shko, (jepi selamin Tim) te i Dashuri Im dhe thuaji: “Padyshim, se edhe në çështjen e popullit tënd do të të lumturojmë e nuk do të lëmë asnjëherë në brengë e në hall!”[6]

Gjithë jetën e tij ai e kishte kaluar me adhurim e përkushtim. Namazi ishte drita e syrit të tij. Dashuria e tij më e madhe. Ai u fal ditë e natë, gjatë gjithë jetës së vet. Ai kishte jetuar duke thënë “Namaz, Namaz”, e duke thënë Namaz, do t’i linte lamtumirën kësaj bote. Jetonte ditët e fundit. Nuk kishte më fuqi as të hapte sytë. Mund t’i hapte paksa, veç kur i derdhnin një kovë me ujë përsipër dhe atëherë arrinte të thoshte vetëm një fjalë: “A e fali xhemati namazin?” Por edhe ky sforcim ia shpenzonte ato pak energji të mbetura e ai i humbte ndjenjat sërish. Kur vinte në vete pasi i hidhnin ujë përsipër, sërish pyetja që bënte ishte e njëjtë: “A e fali xhemati namazin?” Jo, xhemati kishte orë të tëra që priste atë. Ndërkohë, si e kuptoi se nuk i kishte mbetur më fuqi të drejtonte namazin, profeti urdhëroi e tha: “Çojini fjalë Ebu Bekrit, le ta drejtojë ai namazin!” Sa e ndjeu veten pak më mirë, “vrapoi” në faltore. Nga njëri krah e mbante xhaxhai, Abasi, nga krahu tjetër dhëndri i tij, Aliu. Ndërsa ai thuajse ecte zvarrë drejt faltores. U ul pas personit që do të drejtonte namazin e do të bëhej imam pas tij dhe u fal ndenjur. Në këtë mënyrë, mundi të shkonte në mesxhid të falej vetëm dy herë. Kështu ai gjer në çastin e fundit nuk e kishte braktisur faljen me xhemat, edhe pse deri në xhami kishte shkuar në krahët e të tjerëve e thuajse duke u tërhequr zvarrë…

Agjërimi

Adhurimi i tij përbënte një tërësi në vetvete. Ndërsa falte më së miri namazin, Ai nuk neglizhonte kurrsesi një adhurim tjetër, për shembull, agjërimin. Agjërimi, i quajtur saum (صَوْمٌ) në gjuhën arabe, është farz në muajin e shenjtë të ramazanit [7] dhe përbën një nga adhurimet më të rëndësishme për lartësimin shpirtëror të besimtarit. Në një hadith profetik thuhet: “Islami është ngritur mbi pesë parime: dëshmimi se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe profeti Muhamed është robi dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit, vizita në Qabe për ata që kanë mundësi.” [8]

Kështu që edhe Profeti (paqja e begatia e Allahut qofshin mbi të) i ka kushtuar rëndësinë e duhur adhurimit në fjalë, si në këshillat e si në veprat e tij. Ai e shpreh kështu rëndësinë e agjërimit: I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka thënë: “Allahu ka urdhëruar kështu: “Çdo akt i njeriut është për vetë atë, me përjashtim të agjërimit. Shpërblimin e agjërimit e jap unë, sepse njeriu i braktis ngrënien dhe dëshirat trupore vetëm për mua. Për agjëruesin ka dy çaste të gëzuara. Njëri, kur ha iftarin dhe i dyti, kur bashkohet me Zotin. Kundërmimi i gojës së agjëruesit është pranë Allahut më i këndshëm se aroma e parfumit!” [9]

Të paktën, një ose dy ditë në javë (të hënë e të enjte), ai i kalonte me agjërim. Herë pas here, ai agjëronte pa iftar e pa ndërprerje (Savmi Visal), duke agjëruar kështu ditë me radhë, pa futur gjë në gojë. Profeti (s.a.s) e vazhdonte agjërimin edhe në ditët më të nxehta të verës arabike. Ai thoshte gjithmonë: “Agjërimi është një mburojë që e mbron njeriun nga mëkatet.”[10]

Gjithashtu ne kemi mësuar nga Profeti (s.a.s) edhe shumë agjërime të tjerë si agjërimi i nedhrit (kushtimit), agjërimi i Davudit (a.s), agjërimi i ditëve pasuese të netëve 13, 14, 15 të çdo muaji të kalendarit hënor, agjërimi në ditën e Arefesë dhe në muajin dhilhixhe, gjashtë ditë agjërim në muajin sheval, agjërimi në ditën e Ashures, agjërimi në muajin e shabanit, për të cilin Hz. Aishe (r.anha) na tregon që ishte muaji në të cilin Profeti (s.a.s) agjëronte më tepër pas ramazanit, pra e kalonte të gjithin me agjërim[11].

Duaja/Lutja

Lutja gjithashtu është adhurim. Lutja është bërthama e përkushtimit, është emri i kthimit e drejtimit total nga Zoti. Kur flitet për adhurim, është e pamundur të mos përmendet lutja. Allahu shprehet kështu:قُلْ مَا يَعْبَأُ بِكُمْ رَبِّي لَوْلَا دُعَاؤُكُمْZoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj” (Furkan 25/77), e na sugjeron: وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْZoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 40/60) Lutja është një relacion i fortë mes robit e Zotit. Me të tjera fjalë, lutja është mënyra e shfaqjes së botës së mendimit e apasionatave të robit, para Zotit.

Çdo veprim i Profetit (a.s) ishte i mbështetur në një dua. Ai nuk dilte në udhë pa iu mbështetur fort të Plotfuqishmit. Në librat e hadithit vërejmë lutjet e tij në namaz, para gjumit, kur hynte në shtrat, kur ngrihej për tehexhud, kur zgjohej në mëngjes, kur bëhej darkë, kur nis ushqimin e kur e përfundon atë, madje edhe kur hyn e del nga banja për të kryer nevojat e tij personale… Të përmendim disa shembuj rreth lutjeve të tij kuptimplota:

Një nga lutjet që lexonte në ruku: “O Zoti im, para Teje u përkula në ruku’, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Veshi im, syri im, palca e kockat e mia, sistemi im nervor e gjithë ç’mbajnë këmbët e mia, janë përkulur e i janë bindur Zotit të botërave, Allahut!”[12]

Sapo zgjohej në mëngjes thoshte: “O Zoti im, u gdhiva duke pohuar se: Ti je Allahu, nuk ka zot tjetër veç Teje dhe se Muhamedi është robi Yt e Profeti Yt dhe për këtë të mbaj Ty dëshmitar dhe mbaj dëshmitarë të gjithë banorët e gjithësisë, gjithë engjëjt e gjithë krijesat”[13].

Kur bëhej darkë shprehte falënderimin e tij me këto fjalë: “O Zoti im! U ngrysa duke dëshmuar e duke mbajtur dëshmitarë të gjithë ata që mbajnë kupën e qiejve, engjëjt e gjithë krijesat, se nuk ka zot tjetër veç teje, se nuk ke shok e as ortak dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt”[14]

Të gjitha këto shembuj që përmendëm deri këtu janë disa nga fragmentet e një jete të përkushtuar Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Ai është shembulli më i madh për ne në të gjitha këndvështrimet e jetës, ndër të cilat përfshihet edhe adhurimi. Kur vështrojmë jetën e Profetit (a.s) kuptojmë se ditën e fillonte me namaz dhe e gjithë veprimtaria e tij ditore ishte e gërshetuar me adhurim.

Shembull dhe kriter për njerëzinë

Nga ana tjetër duhet të përmendim edhe që Hz. Muhamed (a.s) ishte profet i ndërgjegjshëm për natyrën njerëzore. Allahu dhe vetë Profeti (a.s) e dinin mirë që njerëzit kanë një kufi të caktuar, të cilin nuk mund ta kalojnë edhe sikur ta sforcojnë jashtë mase veten e tyre. Prandaj adhurimet ndahen në kategori të ndryshme si farz, vaxhip, sunet, etj. Disa prej tyre janë të detyrueshme në grada të ndryshme e disa të tjera janë të pëlqyeshme apo suplementare. Ai (s.a.s), duke qenë shembull për të gjithë njerëzinë, shpreh edhe kriteret e pranueshme në adhurim, duke theksuar ekuilibrin që njeriu duhet të ruajë në adhurim. Hadithi më i njohur në këtë çështje ndoshta është si më poshtë:

أَنَسَ بْنَ مَالِكٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ يَقُولُ :جَاءَ ثَلَاثَةُ رَهْطٍ إِلَى بُيُوتِ أَزْوَاجِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَسْأَلُونَ عَنْ عِبَادَةِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَلَمَّا أُخْبِرُوا كَأَنَّهُمْ تَقَالُّوهَا فَقَالُوا وَأَيْنَ نَحْنُ مِنْ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَدْ غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ وَمَا تَأَخَّرَ قَالَ أَحَدُهُمْ أَمَّا أَنَا فَإِنِّي أُصَلِّي اللَّيْلَ أَبَدًا وَقَالَ آخَرُ أَنَا أَصُومُ الدَّهْرَ وَلَا أُفْطِرُ وَقَالَ آخَرُ أَنَا أَعْتَزِلُ النِّسَاءَ فَلَا أَتَزَوَّجُ أَبَدًا فَجَاءَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِلَيْهِمْ فَقَالَ أَنْتُمْ الَّذِينَ قُلْتُمْ كَذَا وَكَذَا أَمَا وَاللَّهِ إِنِّي لَأَخْشَاكُمْ لِلَّهِ وَأَتْقَاكُمْ لَهُ لَكِنِّي أَصُومُ وَأُفْطِرُ وَأُصَلِّي وَأَرْقُدُ وَأَتَزَوَّجُ النِّسَاءَ فَمَنْ رَغِبَ عَنْ سُنَّتِي فَلَيْسَ مِنِّي

Një ditë erdhën tek Profeti (a.s) tre të rinj të cilët pyetën për adhurimin e të Dërguarit të Allahut dhe pasi dëgjuan se sa shumë adhurim bënte ai dhe pasi arritën në përfundimin që ndodheshin tepër larg Profetit (a.s), të cilit megjithëse i ishin falur të gjitha mëkatet që mund të kishte bërë ose që mund të bënte në të ardhmen kishte një jetë tepër aktive në adhurim, respektivisht u shprehën në këtë mënyrë: i pari tha që nuk do t’u afrohej më grave, i dyti që do të agjëronte çdo ditë dhe i treti që do t’i kalonte të gjitha netët me namaz. Kur Shembulli më i Bukur (a.s) i dëgjoi këto fjalë i dha pasuesve të tij një këshillë të artë e të vlefshme për të gjithë njerëzimin: “Në mes jush, unë jam ai që e njeh Zotin më së miri e që i druhet Atij më shumë. Por, unë edhe adhuroj, edhe u ndaj kohë grave, edhe pushoj, edhe falem gjatë natës, edhe agjëroj, po edhe ushqehem. Rruga ime është kjo. Kush i kthen krahët kësaj rruge, nuk është prej meje”.[15] Ai ishte njeriu i ekuilibrit të vërtetë, i cili ishte dërguar me parime objektive.

Madje edhe këto që bënte Profeti (a.s) ishin tepër të vështira për shumë njerëz. Në këtë këndvështrim, ashtu siç mund të jetë e realizueshme një jetë e ngjashme me atë të Krenarisë së njerëzimit, paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk duhet të harrojmë që përveç detyrës së tij si Profet, Hz. Muhamed (a.s), mundohej që të plotësonte falënderimin ndaj Allahut[16].

Përgatiti: M.A. Elton Karaj

 

[1] DİA, artikulli “Ibadet”.

[2] El-Xhurxhani, et-Tarifat, artikulli “el-Ibâde”, fq. 123.

[3] Nesâî, Ishratu’n-Nisâ 1; Ahmed İbn Hanbel, el-Musned 3/128, 199, 285.

[4]Mexhmeu’z-Zeuâid, 2/271.

[5]Buhari, Tehexhud, 16; Muslim, Musafirin, 125.

[6]Muslim, Iman, 346.

[7] O ju që keni besuar, ashtu siç u bë mbajtja e agjërimit farz për paraardhësit tuaj, u bë edhe për ju që të ruheni!” (Bekara 2/183.)

[8] Buhari, Iman, 1; Muslim, Iman, 20; Tirmidhi, Iman, 3.

[9] Buhari, Saum, 2; Muslim, Sijam, 152; Tirmidhi, Saum, 54; Nesai, Sijam, 41; Ibni Ma­xhe, Sijam, 1.

[10]Buhari, Saum, 2. Tevhid, 35; Muslim, Sijam, 162-163.

[11] Shih: Buhari, Savm, 52; Muslim, Sijam, 176; Ebu Davud, Savm, 59.

[12]Muslim, Musafirin, 201.

[13]Ebu Davud, Edep, 101; Tirmidhi, De’auât, 79.

[14]Ebu Davud, Edeb, 101.

[15]Buhari, Nikah, 1; Muslim, Sijam, 73.

[16] DİA, artikulli “Muhammed, Jeta adhurimore”.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: