Pendesa dhe vetëllogaria si fryt i meditimit 

Pas kryerjes së një mëkati, njeriu e shkëput lidhjen me Krijuesin e tij. Kjo ndodh sepse krijesa po humb dashurinë e Krijuesit, sepse njeriu me mëkatin që bëri, hodhi një hap për t’iu larguar Allahut (xh.sh.). Mungesa e vëmendjes dhe nënvleftësimi i gjynaheve është mëkati më i madh… Parë në këtë këndvështrim, nuk duhet të harrojmë dhe duhet të jemi të vëmendshëm që, nëse bëjmë një gjynah, të mos vazhdojmë të bëjmë të dytin… sepse gjynahu është si shkëndijë dëmtuese, që ndërpret lidhjen e njeriut me Zotin dhe është një goditje e rëndë për besimin. Madje, në këtë pikë, Said Nursi thotë se “brenda çdo gjynahu ka një rrugë që të çon në mohim”. Për rrjedhojë, njeriu duhet të bëjë teube sa më parë, duke ndjerë brenda vetes një pendesë të sinqertë. Nëse gjynahu është një shformim në krijim, pendimi dhe pendesa janë rikthim në origjinalin e krijimit.

Gjynahu duhet ndjerë në shpirt si një ankth, ndërsa ndërgjegjja duhet të ndjejë urrejtje, neveri dhe përbuzje ndaj atij gjynahu. Nëse njeriu nuk shqetësohet e nuk vuan për shkak të gjynahut edhe sikur ta shprehë me gojë si rutinë, kjo lloj pendese nuk është pendesë, ajo mbetet thjesht një varg fjalësh të padobishme. Siç thotë edhe Profeti (a.s.): “En-nedmu (en-nedametu) teubetun – Ndjenja e pishmanllëkut, shenja e pendesës, në vetvete, është teube”.

Kur ne dalim prej rrugës së Tij, Zoti na i mbyll të gjitha dyert e kalimet nga të cilat Ai sheh kah ne. Por kur ne ndjejmë pendesë dhe fillojmë të marrim në llogari veten tonë e themi: Pse e bëra këtë? Pse veprova kundër urdhëresave të Krijuesit tim? Kjo do të thotë që ne filluam ta korrigjojmë veten dhe, sapo të fillojmë të meditojmë mbi këtë gjë, sapo nisim të angazhohemi nën shtypjen e ndjenjës së pendesës, menjëherë shohim se kanë nisur të hapen të gjitha “portat e dritaret”.

Shkurt, nëse ne mbajmë lidhje të vazhdueshme me Zotin tonë, edhe Ai nuk do të na braktisë në dorë të djallit, të armikut tonë. Personit, i cili e rinon vazhdimisht lidhjen me Zotin e vet me anë të meditimit, djalli nuk gjen dot rrugë për t’i shtënë dyshim e lëkundje. Për këtë arsye, duhet të kërkojmë rrugët për rinovimin e vetes. Kjo mund të bëhet disa herë me anë të meditimit, disa herë me anë të mendimit për vdekjen, disa herë me anë të leximit, disa herë duke kënduar Kur’an… Nuk ka ndonjë kufi për këtë gjë, por ne kemi shumë nevojë për këtë, po aq sa kemi nevojë për ajrin, ujin dhe bukën.

Në botën e tij të brendshme, njeriu është një krijesë që ka nevojë të emocionohet çdo ditë, madje disa herë në ditë. Parë në këtë këndvështrim, detyra jonë në këtë mes është të mos rrimë larg shokëve të mirë, sepse shoku i mirë, në çdo kohë, me këshillat dhe porositë e tij të dobishme, mund të na zgjojë emocione dhe të na e ngrejë zemrën peshë.

Në çdo kohë, lutja jonë, me të cilën i drejtohemi Allahut, duhet të jetë që të na mbrojë nga e keqja e egos dhe e djallit, në mënyrë që të mund ta vazhdojmë jetën në atmosferën e mirësisë hyjnore. Njëkohësisht lusim Allahun (xh.sh.), që nëpërmjet meditimit, t’i kuptojmë dhe t’i konceptojmë mirë, në pikëpamje shumëdimensionale, mesazhet e Islamit dhe duke i përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, të fitojmë kënaqësinë e Krijuesit tonë.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: