A është kusht nijeti gjatë marrjes së abdesit?

Nijeti është qëllim i zemrës. Të shprehurit e tij me fjalë nuk mjafton pa u bërë njësh me synimin në zemër. Sipas shkollës juridike hanefite, bërja e nijetit para abdesit është një sunnet i pëlqyer. Ndërsa tek shafitë, abdesi në vetvete konsiderohet adhurim, prandaj deklarimi paraprak i nijetit është i detyrueshëm. Si rrjedhojë, kjo shkollë është e mendimit se abdesi nuk vlen pa nijetin.

Meqenëse tek hanefitë bërja e nijetit për abdesin është sunnet, mos thënia e tij nuk e dëmton vlefshmërinë e abdesit. Por braktisja e nijetit me qëllim nuk është një sjellje e lavdërueshme, sepse bie ndesh me sunetin e Profetit (paqja qoftë mbi Të!). Kështu që, më e mira e mundshme është të merret abdes mirë e bukur, siç i ka hije dhe në përputhje me zbatimet dhe etikat profetike.

Nëse shqiptimi i nijetit me gjuhë është një çështje që paraqet kompleks për ju, atëherë mbajeni qëllimin në zemër. Por nëse ky kompleks buron nga vesvese, apo nga shqetësime të vazhdueshme, atëherë mos ia vini veshin. Përpiquni ta largoni duke e sforcuar veten për ta pohuar me zë nijetin.

Postime të ngashme