A është e lejuar shkëputja e marrëdhënieve farefisnore me ata që bëjnë të këqija?

Era, 21, Korçë

Sapo kam filluar të praktikoj fenë, jam shumë e entuziazmuar dhe kam dëshirën të zbatoj çdo gjë që mësoj rreth fesë. Pyetja ime është në lidhje me të afërmit të cilët kryejnë mëkate dhe bëjnë të këqija. A është e lejuar shkëputja e marrëdhënieve farefisnore me ata që bëjnë të këqija?

E nderuar Era, në radhë të parë i lutem Allahut të të japë kurajë, besim dhe durim për ta vazhduar devotshmërinë dhe entuziazmin që ke. Në fenë Islame, lidhja farefisnore është vaxhib ndërsa prerja e lidhjeve me ta konsiderohet si gjynah i madh. “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa 1), thotë Allahu i madhëruar në Kuran. Ndërsa profeti Muhamed (a.s) duke thënë “Kush beson në Allah dhe ditën e gjykimit le t`i ruajë lidhjet farefisnore” Buhârî, Edeb 85.

Ruajtja e lidhjes farefisnore ka grada të ndryshme. P.sh. Nëna dhe babai janë në radhën e parë të ruajtjes së lidhjeve farefisnore. Madje dhe sikur nëna dhe babai ta shkëpusin lidhjen, ajo që i takon fëmijës është që t`i vazhdojë lidhjet. Kjo ka një rëndësi të veçantë pasi ka prindër të cilët mund të përdorin alkool apo të mos i kenë të plota njohuritë dhe fesë dhe të mos jenë praktikantë. Ka raste në të cilat prindërit mund të braktisin fëmijën për shkak të praktikimit të fesë, por ajo që i takon fëmijës është që me çdo kusht t`i vazhdojë vizitat dhe kontaktet me prindërit e tij/saj. Pikërisht këtë na mëson dhe Krenaria e njerëzimit profeti ynë i dashur (a.s) “Nuk i mban lidhjet farefisnore ai që këmben vizitat, por është ai që kur e bojkoton farefisnia ai i rivendos lidhjet me ata.” (Buhariu 5991).Buhârî, Edeb 15.

Ruajtja e lidhjeve farefisnore ka nivele të ndryshme; vizitat, ndihma e ndërsjellët, plotësimi i nevojave dhe dhënia e Selamit. Profeti na mëson të mos i shkëpusim lidhjet farefisnore plotësisht dhe t`i vazhdojmë ato qoftë dhe me një selam. Kjo është grada më e ulët dhe duhet të ketë arsye shumë të forta që lidhjet farefisnore të shkojnë deri në këtë nivel.

Nëse në vazhdimin e lidhjeve farefisnore ka probleme, prishet qetësia familjare, ndikohet morali i fëmijëve apo morali i vetë personit, duhet të vazhdohet të paktën përshëndetja e farefisit. Mund të mbahet një lloj distance për të ruajtur moralin apo rregullin e familjes.

Nga ana tjetër nuk duhen harruar dhe mirësitë dhe begatitë e shumta që ka në ruajtjen e lidhjeve farefisnore. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557).

Rregulli i artë në lidhje me këtë çështje është “nëse nuk arrihet i plotë suksesi në diçka, nuk mund të braktiset e tëra”.

 

 

Postime të ngashme