A do t’u mungosh njerëzve pasi të jesh larguar?

Çdo njeri kërkon që të lërë disa gjurmë pas vetes pasi të jetë larguar nga kjo botë. Dikush e arrin këtë duke lënë pas vetes pasardhës të mirë, dikush duke lënë pas një dituri të dobishme e dikush duke ndërtuar diçka që do t’iushërbejë njerëzve pas vdekjes së tij. E rëndësishme është që ta kemi synim në jetën tonë, që të përkujtohemi për mirë sa jemi gjallë dhe pasi të kemi vdekur. Shërbimi ndaj njerëzve është mënyra më e mirë për t’u përkujtuar për mirë dhe për të mos u harruar kurrë.

Një nga njerëzit që kishin kontribuar më së shumti në këtë drejtim ishte edhe pasardhësi i Profetit Muhamed (a.s), Ali Zejnelabidini. Ai ishte një njeri që përkujdesej shumë për të varfrit që kishte rreth e qark vetes. Çdo natë shëtiste nëpër rrugët e Medinës me thesin mbi shpinë dhe u shpërndante nevojtarëve ushqimin për ditën e nesërme. Sa herë që ata zgjoheshin dhe hapnin derën gjenin aty në mënyrë të vazhdueshme ushqimin e shpërndarë nga ky njeri i mirë, i cili ishte i panjohur për ta. Në një ditë prej ditëve njerëzit nuk gjetën më ushqim në dyert e shtëpive të tyre. Ç’kishte ndodhur me këtë njeri të mirë?

Atë ditë u mësua se Ali Zejnelabidini kishte ndërruar jetë. Kjo ishte një nga arsyet që të shtynte të mendoje se ishte ai njeriu që çonte ushqimin në shtëpitë e të varfërve. Një arsye tjetër e qartë ishte edhe shenja që thesi kishte lënë mbi shpinën e tij. Të gjithë e kuptuan se personi që shpërndante ushqim natën në rrugët e Medinës kishte qenë Zejnelabidini.

Ky njeri ishte vënë nën shërbimin e njerëzve me të gjitha mundësitë që zotëronte. Për familjet e varfra ai ishte një ndihmë e madhe dhe mungesa e tij u ndie sapo ndërroi jetë. Tani, le t’i shtrojmë vetes disa pyetje dhe të japim përgjigje të sinqerta. Sa të dobishëm jemi për njerëzit? A e kemi vendosur veten në shërbimin e tyre? A do të na kërkojë dikush pas vdekjes sonë? A do të ndihet mungesa jonë në shoqëri pasi të kemi vdekur?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave duhen dhënë duke i provuar ato me veprat tona. Nëse vërtet duam të fitojmë përgëzimin që jep hadithi; “Njeriu më i dobishëm për njerëzit është më i dashuri tek Allahu”, atëherë duhet të përveshim mëngët dhe të japim kontributin tonë në shoqërinë ku jetojmë. Shembulli i njerëzve të mirë duhet të shërbejë si motivim për ne dhe duhet të përpiqemi të ecim në gjurmët e tyre.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: