Puna është formë e adhurimit
Për njeriun, puna përbën një nga elementet thelbësorë të jetës. Vetë ndërtimi atomik i tij është përshtatur punës dhe lëvizjes. Këtë ligj jetësor, Islami e ka përqafuar si realitet të tij, si një nga themelet mbi të cilin fillon rruga e drejtë. Puna nuk është vetëm porosi, por ajo konsiderohet edhe si pjesë e adhurimit.
Fëmijët duhet të mësohen me nevojën e punës dhe disiplinës që në moshën e njomë, ashtu siç mësojnë të hedhin hapat e parë për të ecur. Në zemrat e tyre duhet mbjellë kuptimi i drejtë dhe dashuria për punën, që ajo të bëhet pjesë përbërëse e qenies së tyre, që ata të ndiejnë gëzimin që jep puna dhe të mos kthehen në përtacë.
Kur fëmija arrin të kuptojë, i duhet thënë: “Biri im, Allahu i Madhëruar, me vullnetin e Vet ka dëshiruar të jesh këtu, në tokë. Ai të ka dhuruar një detyrë të shenjtë në jetën tënde. Ti duhet të punosh e të arrish qëllimet e caktuara dhe qëllimet arrihen vetëm me punë.
Në arritjen e një suksesi investohet shumë punë dhe mundim. Kjo është lufta për një të ardhme më të lumtur. Çdo sukses është një shkallë e ngritur drejt dritës së shpirtit. Për të arritur suksesin, duhet që kur të mësosh, të mësosh me themel dhe kur të punosh, të punosh me themel.
Asnjë ditë nuk duhet kaluar pa bërë asnjë gjë. Askush nuk duhet ta kalojë ditën pa përmbushur asnjë detyrë. Mësimi dhe puna kanë një kuptim të lartë fisnik në jetën e njeriut.