Pse dënimi i mohimit të Zotit është qëndrimi përjetësisht në Zjarr?

Fjala “kufër” është e kundërta e besimit. Bota e mohuesit është e mbushur plot me errësira. Për sa i përket njeriut që i ka shkëputur lidhjet me Zotin, ai jeton në errësirë në aspektin shpirtëror dhe atë psikologjik. Në Kuran bota e mohuesve shpjegohet në këtë formë:

“Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur njeriu e nxjerr dorën e vet, pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.” (Nur, 24:40)

Mohimi është një lloj talljeje ndaj të gjitha krijesave, sepse çdo krijesë e adhuron Allahun. Çdonjëri prej tyre është porsi një letër e shkruar dhe një ushtar i bindur i Krijuesit. Mohimi i mbulon këto lloj aspektesh dhe krijimin e tyre të mahnitshëm ia atribuon kotësisë dhe rastësisë. Kësisoj është kryer një krim i jashtëzakonshëm, i cili sjell si pasojë të domosdoshme një dënim të përjetshëm.

Ndjenjat dhe veçoritë që gjenden tek njeriu na çojnë që me të njëjtat apo me të kundërtat e tyre të njohim Allahun. Për shembull, njeriut i është dhënë shqisa e të parit dhe të dëgjuarit. Nga kjo kuptohet që Allahu është Ai që sheh dhe dëgjon gjithçka. Me anë të këtyre cilësive që gjenden te ne, e dimë që Allahu dëgjon dhe sheh. Por, është e pamundur që ne ta kuptojmë “thelbin, esencën” e këtij shikimi dhe dëgjimi. Njeriu është shumë larg të kuptuarit me anë të logjikës së tij të kufizuar përsosmërinë e pafundme të këtyre cilësive hyjnore. Njeriu që është pafundësisht i dobët, e ka të pamundur të perceptojë fuqinë e pafundme. Mendja vetëm sa arrin ta pranojë këtë fuqi dhe mbetet e mahnitur pas atyre që sheh të ndodhin.

Njeriu i cili mbetet i mahnitur përballë pasqyrimeve të fuqisë së pafundme, po i tillë duhet të jetë edhe përballë diturisë dhe urtësisë së pafundme. Por është më se e qartë që shumë njerëz nuk e kalojnë dot me sukses këtë fazë. Këtu futen në mes nefsi, ndjeshmëria, mangësia e diturisë dhe dobësia e logjikës. Kështu, njeriu në vend që të dorëzohet përballë çështjeve hyjnore që nuk ia kupton dot urtësinë, ai zgjedh që të kundërshtojë.

Allahu i dha njeriut cilësinë e vullnetit si një domosdoshmëri e provimit të tij në këtë botë dhe njeriu është lënë i lirë ta përdorë atë në rrugën që ai dëshiron. Vullneti ynë është një thesar i madh për të kuptuar vullnetin e Allahut dhe më pas për t’i besuar Atij.

Allahu e krijoi gjithë këtë gjithësi dhe çfarë ka në të për qëllime madhore. Kjo shprehet në Kuran si më poshtë: “Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim).” (Enbija, 21:16) “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në Zjarr!” (Sad, 38:27)

Të gjitha krijesat e lavdërojnë dhe e madhërojnë Allahut sipas “gjuhëve” të tyre. Ato e bëjnë me emocion dhe dashuri të madhe detyrën që ju është ngarkuar. Njerëzit dhe xhindet janë në një kategori tjetër për sa i përket këtij aspekti. “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 51:56)

Ata janë përgjegjës për ta adhuruar Allahun. Vetëm se ata janë të lirë ta bëjnë ose jo diçka të tillë. Pozita ndryshe që u është dhënë njerëzve dhe xhindeve varet drejtpërdrejt nga vullneti që u është dhënë atyre. Me anë të këtij vullneti, ata mund të zgjedhin mes besimit dhe mohimit, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shpifurës, bindjes dhe kundërshtimit, etj. Zoti na e tregon kështu këtë: “Dhe thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj: Prandaj kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë!” (Kehf, 18:29) “Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.”   (Insan, 76:3)

Postime të ngashme