Pse sprovohet njeriu në jetën e kësaj bote?

Allahu i Lartësuar e di se si do të veprojmë ne në këtë botë. E di edhe nëse do tu bindemi apo jo urdhrave të Tij. Atëherë pse e shikon si nevojë sprovën dhe na sjell në këtë botë?

Po, Allahu e di si do të veprojmë, megjithatë na sjell në botë për të na provuar derisa përmes përgjegjësive të ngarkuara mbi supet tona të shquhen qartë aftësitë e përkryera dhe kapacitetet e fshehura tek njeriu. Kur na krijoi, Ai na krijoi si mineralet: minerali i bakrit, minerali i qymyrit, minerali i arit, minerali i argjendit…

Këtë Ai e bën me cilësinë e Zotit tonë që i jep ekzistencë dhe zhvillim çdo gjëje. Kjo ndodh si me aftësinë dhe mjeshtërinë estetike dhe realizuese të një artisti, i cili duke u shfaqur me veprat e artit, synon të panjohurën. Ashtu si ai, edhe Providenca Hyjnore ka disa emra-atribute dhe arte si mishërim të atyre emrave. Ja, pra, për t’ua paraqitur shikimeve të njerëzve ato arte të veta lloj-lloj, me hapjen e kësaj ekspozite në sipërfaqe të tokës, ka pasur mirësinë të urdhërojë shpalosjen e bukurive të tyre të fshehta.

Pohuar edhe më qartë, si mishërohen emrat në mineralin e qymyrit; si e tregon veten te hekuri, te ari, te argjendi e pastaj, me ndërhyrjen e njeriut, te ari i pastër, te argjendi i pastër; si shfaqet te hekuri i përpunuar… Dhe, për t’ia bërë të njohur shikimit tonë se si e tregon veten në shndërrimin me një hop të qymyrit në diamant, shpalos lojën e varianteve të emrave të Tij në etapa dhe nivele të ndryshme duke na dhënë, kështu, mundësinë për të krijuar një gjykim tërësor e për ta njohur plotësisht Atë. Po, është Ai që bën gjithçka. Madje, duke mundësuar përfitimin e mijëra e mijëra fryteve te çdo gjë.

Në përfundim, me këto punë të Tij njerëzit pastrohen, kthjellohen duke u thjeshtuar e kështu kthehen në elemente parajsore. Si të thuash, mineralet bëhen ar, diamant, argjend. Në lidhje me këtë, Profeti ynë (s.a.s.) deklaron një porosi gjithë mirësi: “Njerëzit janë krejt si mineralet. I dobishmi në injorancë është i dobishëm edhe në Islam.” Si të thuash, Omeri i nderuar dhe i respektuar në injorancë, është Omeri dinjitoz, serioz, i ndjeshëm, i madh dhe i vyer në Islam… Në të parën mjaft i ashpër, mjaft i prerë, që detyron ashtu siç do vetë; në të dytën, me flatrat e thjeshtësisë të varura gjer në tokë e nën këmbët e njerëzve, kurse ndaj qafirëve, femohuesve dhe të dhënëve pas mëkatit, një Omer i prerë e i vështirë!.. Duke vazhduar analogjinë, ç’mineral të ishte në periudhën e injorancës, i tillë do të jetë edhe në Islam… Prandaj shprehim dëshirën që njerëzit e guximshëm, të gjallë e që u vlon gjaku, të bëhen myslimanë. Sepse i vyeri në injorancë do të bëhet i vyer edhe në Islam.

Islami e merr në dorë këtë mineral-element njerëzor, e përpunon, e dendëson dhe e sjell në gjendjen e arit të pastër. Kështu qenë shndërruar sahabet, ithtarët pasues të Profetit në ar të pastër. Pastaj filloi të bjerë vlera dhe karati: 22, 21, 20, 18, 17, 15… Në shekullin e njëzetë midis myslimanëve pati edhe të tillë që ranë në 1 karat… Po, një shekull ky që i shtoi aq shumë paratë kallpe, skorjet!..

Ta themi hapur e thjeshtë, domethënë se ne në këtë botë i kushtëzohemi një provimi. Në këtë mes, Allahu (xh.xh.) e di se në ç’rrugë do të pastrohemi, pra, na kushtëzon me një provë. Zoti na ruajttë- jo që Ai të mësojë prej nesh diçka që s’di. Pra, Ai na vë në provë ne ndaj vetes tonë. Më saktë, ne provohemi mes njëri-tjetrin.

Po, kur të jemi përpjekur e sakrifikuar, kur t’i kemi hyrë udhës së pastrimit, kullimit e dendësimit, kur t’i jemi lidhur dëshirës për t’u bërë ar në se jemi mineral ari, pra, kur të kemi treguar një zell të tillë, do të jemi bërë shkak për të zbuluar, për të nxjerrë në shesh diçka që Allahu e di prej fillimit. E kështu, duke e provuar veten në një veprimtari të tillë, do të dalim në Audiencën e Tij të Lartë me atë gjendje që kemi mundur të realizojmë për vete. Ashtu siç shprehet edhe në Kur’an: “Atë ditë duart e këmbët e tyre, le të shtojmë, sytë, veshët, gjuhët, buzët e tyre do të dëshmojnë për ta!”

Nëse edhe ti e di këtë gjë, e kupton se je në provë përballë vetes tënde. Sërish, Zoti na ruajttë (!): Allahu (xh.xh.) nuk provon për të mësuar gjendjen tënde. Krejt e kundërta, ty të tregon ty dhe ty të vë në provë me veten tënde. Të mirën e çdo gjëje Ai e di!

Postime të ngashme