A del nga besimi mëkatari i madh?
A ekziston thënia e Said Nursiut: “Kur një besimtar kryen një gjynah të madh, besimi merret prej tij dhe i rikthehet sërish pas përfundimit të mëkatit. Pra, duke qenë se kryerja e atij gjynahu nuk mund të bëhet me cilësinë e besimtarit, besimi e braktis zemrën përkohësisht dhe kthehet pasi ka mbaruar gjynahu”? Nëse po, për personin që vdes duke kryer një gjynah a themi se ka ndërruar jetë pa iman? Si do të jetë gjendja e tij në botën tjetër?
Ndërsa i përgjigjet pyetjes se si një person që kryen gjynahe të mëdha mund të vazhdojë të mbetet besimtar, Said Nursiu shprehet në këtë mënyrë: “Nefsi urdhërues për të liga i njeriut preferon një grimcë prej një kënaqësie të tanishme të menjëhershme mbi një ton të një kënaqësie të mëvonshme të fshehur; gjithashtu ai stepet nga frika e një shuplake të tanishme më shumë se sa dënimi i një viti në të ardhmen. Për më tepër, në qoftë se emocionet -ndjenjat- janë mbisunduese tek një njeri, ato nuk i kushtojnë vëmendje arsyetimit të mendjes. Dëshirat dhe iluzionet sundojnë dhe ai preferon një kënaqësi shumë të vogël të tanishme mbi shpërblimin shumë më të madh në të ardhmen. Dhe ai shmanget nga një shqetësim i pjesshëm i tanishëm më shumë se sa një ndëshkim i tmerrshëm i mëvonshëm. Dhe meqenëse dëshirat, iluzionet dhe emocionet nuk e shikojnë të ardhmen; madje ato mund ta mohojnë atë, dhe meqenëse ato nxiten e ndihmohen nga nefsi, atëherë zemra dhe mendja, të cilat janë vendi i imanit, heshtin dhe mposhten në çështjen e tyre. Kështu kryerja e gjynaheve të mëdha nuk buron nga mungesa e besimit, por nga mposhtja e zemrës dhe e mendjes nëpërmjet mbisundimit të emocioneve, dëshirave dhe iluzioneve”. (Shkreptima 13, f. 154-155).
Për më tepër, ka nga ata që argumentojnë se personi që kryen gjynahun është besimtar për sa kohë që nuk e quan atë të lejuar, nëse e mban për hallall ndryshon puna… Dhe veç Allahu e di më së miri këtë çështje. Gjithsesi, ashtu siç ka thënë dhe Beduizamani, këtu bëhet fjalë për rënien e besimit pre të nefsit për shkak se, mendja dhe zemra në të cilën ai ndodhet i janë nënshtruar këtij armiku më parë. Përndryshe, nuk do të thotë se personi i cili kryen një gjynah të madh ka dalë nga besimi. Në fakt, ehli suneti dhe xhemati janë të të njëjtit mendim se vepra nuk është pjesë e besimit, prandaj pranohet se, personat që bëjnë një punë të keqe nuk mbeten pa besim. Një nga argumentet në këtë pikë është edhe përmendja e imanit dhe veprave veçmas nga njëra-tjetra në Kuran duke përdorur lidhëzën “dhe” mes tyre. Nëse lidhëza e përdorur do të ishte “eu”, pra “ose”, të dyja do të vinin me të njëjtin kuptim dhe kjo do të nënkuptonte se personat që kryejnë gjynahe kanë humbur besimin e tyre.
Pas këtyre të dhënave duhet të theksojmë dhe këtë: sado që, personi që kryen një gjynah të madh nuk quhet jobesimtar, gjynahet e dëmtojnë shumë besimin. Në qoftë se personi, larg qoftë, vdes duke kryer një gjynah, edhe sikur ne të mos mund të themi se ai vdiq pa besim, gjasat tregojnë se gjendja e tij vazhdon të jetë në rrezik. Allahu i Madhëruar i ruajttë besimtarët nga një fund i hidhur. (Amin)