Çlirohu nga prangat e dëshirave…
Deri në arritjen e momentit të vdekjes, njeriu mundet të jetë i pavetëdijshëm mbi kuptimin e këtij realiteti. Por, kur ai ka rastin që të marrë vesh rëndësinë e saj, ai duhet të rishqyrtojë jetën dhe shpresat e tij. Asnjëherë nuk është vonë të pendohesh ndaj Allahut dhe t’i drejtosh të gjitha veprat dhe sjelljet e tua nënshtrimit dhe dëshirës së Allahut.
Jeta është e shkurtër, shpirti i njeriut është i përjetshëm. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, njeriu mund të bjerë nën pushtetin e pasioneve të përditshme. Njeriu që do, duhet dhe mund t’i rezistojë tundimit dhe të mbajë veten larg çdo gjëje, që do ta mbajë të lidhur me pranga në këtë botë. Është me të vërtetë e pakuptimtë, të neglizhosh botën tjetër për hir të gëzimeve të përkohshme të kësaj bote.
Ata të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë këtë fakt, shpenzojnë jetën e tyre në kotësi dhe e lënë vetveten që të harrohen nga Allahu. Aq më tepër, kur edhe ata vetë e dinë, që nuk mund të arrijnë plotësimin e gjithë dëshirave të tyre. Njerëz të tillë janë gjithmonë të pakënaqur dhe kërkojnë të zotërojnë gjithnjë e më shumë nga çka kanë arritur. Ata kanë dëshira të pafundme. Ata nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë, se bota ku jetojnë nuk është një arenë, ku mund të plotësohet çdo dëshirë e tyre…