Po ti, si e fal namazin?
Hatem el-Esami u pyet për mënyrën se si e falte namazin dhe ai u përgjigj: “Kur hyn koha e namazit marr abdes në formën më të mirë dhe shkoj te vendi i faljes. Pres pak, derisa trupi të qetësohet dhe më pas çohem për t’u falur. Imagjinoj sikur para meje gjendet Qabja, poshtë këmbëve Sirati, në të djathtë Xhenneti dhe në të majtë Xhehennemi.
Pas meje mendoj sikur po më vjen engjëlli i vdekjes për të më marrë shpirtin dhe ky do të jetë namazi i fundit që fal. Përpiqem të jem në një gjendje frike dhe shprese dhe në atë formë marr tekbirin fillestar për të filluar namazin.
Lexoj në mënyrë të rregullt suren Fatiha dhe një sure tjetër pas saj. Bie në ruku në gjendje modestie dhe më pas shkoj në sexhde si i përulur. Në çdo veprim që bëj brenda në namaz përpiqem që të jem i sinqertë. Në fund, nuk e di a është pranuar apo jo, namazi që kam falur.