Ç’është feja?

Nga Ali Zaimi

Në kuptimin leksikor fjala fe mbart kuptimet: ndëshkim, shpërblim, llogari, adhurim i pranueshëm, ligj, bindje, etj.

Dijetarët islamë e përkufizojnë fenë si “manual parimesh hyjnore të cilat i shtyjnë njerëzit në të mirën absolute me vullnetin e tyre të lirë.” Këtë tërësi rregullash hyjnore Zoti i madhëruar ua ka dërguar njerëzve me anë të profetëve, njerëz të mrekullueshëm me cilësi pozitive të shkëlqyera.

Në librat e shenjtë të feve hyjnore bëhet e qartë ekzistenca e fesë bashkë me njeriun e parë. Aty shprehet qartë se Hz. Ademi ishte njeriu i parë dhe njëkohësisht profet i ngarkuar me detyrë nga Zoti.

Feja është njohja e ekzistencës dhe njësisë së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij dhe sipas urdhrave

të Tij, madje ndjerja, për llogari të Tij, e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj të gjithë ekzistencës!

Feja i drejtohet njerëzve të ndërgjegjshëm dhe me mendje të shëndoshë.

Feja është e nevojshme që njeriu të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i japin njeriut qetësi. Feja bën të mundur që njerëzit të jetojnë në paqe e siguri, sepse feja ndalon të këqijat e padrejtësitë si krimi, mëria, gënjeshtra e mashtrimi dhe urdhëron dashurinë, respektin, ndihmën e përbashkët, ndershmërinë dhe sjelljen e mirë mes njerëzve. Feja kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, këshillon jetesën në paqe. Kështu shoqëria fiton qetësi, siguri dhe lumturi.

Feja është e dërguar nga Zoti. Ndërkaq me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar nga feja që iu ka dërguar Zoti dhe kanë formuar besime të ndryshme, të bazuara në mendimet e gjykimet e veta. Si rrjedhojë, kanë lindur fe të ndryshme me burim njerëzor. Nga ky vështrim, fetë ndahen në dy grupe:

  1. a) Fetë hyjnore: Fetë e dërguara nga Zoti, të cilët kanë profet dhe libër të shenjtë. Këto janë Hebraizmi, Krishtërimi dhe Islami.
  2. b) Fetë johyjnore: Fetë e formuara nga njerëzit duke u bazuar në idetë e veta, si psh. budizmi, taoizmi, zoroastrizmi etj.

Për shkak të mbrojtjes së formës origjinale dhe duke pasur një burim hyjnor, Islami është feja e fundit e vërtetë. Megjithëse feja e të gjithë Profetëve është Islami, me Profetin Muhamed feja islame arriti përkryerjen, u vu pika e fundit mbi fetë: Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”(Maide, 5/3)

 

Postime të ngashme