Ringjallja sipas Kuranit
Ringjallja 3
Nga Ali Zaimi
Argumentimi më i shkëlqyer i jetës së përtejme është pikërisht argumentimi kuranor. Gati një e treta e këtij libri hedh dritë mbi argumentet, specifikat dhe veçoritë e botës tjetër, duke na ftuar në besimin e saj, por ndërkohë duke na përgatitur për udhëtimin përtej. Kurani nuk është mjaftuar vetëm me njoftimin se ringjallja pas vdekjes do të ndodhë patjetër. Ai ka sjellë argumente kategorike që e vërtetojnë ringjalljen pas vdekjes dhe grumbullimin (hashr) e duke i parashtruar argumentet në fjalë, ka dhënë shembuj të gjallë që rrëzon kundërshtimet e mohuesve. Le të japim vetëm disa shembuj:
“Ai që i ka krijuar qiejt dhe tokën, a nuk është i aftë t’i krijojë të ngjashmit e tyre? Sigurisht që është! Ai është Krijues i Gjithëditur!” (Jasin, 36/81)
“A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i qiellit, të cilin Allahu e ka bërë dhe e ka ngritur?” (Naziat, 79/27)
A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i të gjitha sistemeve, përfshi njerëzit dhe xhindët? Allahu që ka ngritur pallatin e gjithësisë, a nuk mundet të shpikë dhe të ngrejë për ju në parajsë pallate më të vegjël?
“Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh të thatë, të plasaritur e të tkurrur. Por kur lëshojmë shi mbi të, ajo fillon të dridhet e të fryhet. Allahu që e ringjall atë, pa dyshim që i ringjall edhe të vdekurit! Ai ka mundësi për çdo gjë!” (Fussilet, 41/39)
Ju e shihni tokën të tharë, të tkurrur, të mbaruar nga thatësira, e shihni si një njeri që ka përkulur qafën me respekt ndaj Allahut dhe i kërkon shpëtim. Në atë çast Allahu lëshon shi nga qielli dhe menjëherë fillon në të një lëvizje dhe gjallëri. Farërat mbijnë dhe filizat e rinj nxjerrin kryet jashtë. Toka kthehet në blerim. Ja pra, Allahu që e ringjall tokën kështu çdo pranverë, kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Allahu që ju tregon juve çdo pranverë ringjalljen e bimësisë, edhe të vdekurit do t’i ringjallë!
Sigurisht Allahu, siç i ringjall në pranverë një sërë kafshësh, insektesh e zvarranikësh që bien në prag të dimrit në gjumin letargjik dimëror si dhe pemët e drurët e tharë, do t’ju ringjallë edhe ju një ditë, pasi të keni rënë në tokë të vdekur në stinën tuaj të dimrit!
“O njerëz! Po qe se dyshoni në ringjalljen tuaj pas vdekjes, dijeni se ne ju krijuam ju në fillim nga dheu, pastaj nga sperma, pastaj nga embrioni, pastaj nga një copë mishi pa formë që t’jua tregojmë haptas fuqinë tonë. Sipas dëshirës sonë, ju mbajmë një kohë në mitrën e nënës, pastaj ju nxjerrim që atje si foshnjë. Pastaj ju rrisim që të bëheni të fortë e të aftë. Pastaj dikush vdes duke qenë ende fëmijë, kurse dikush rron gjer në pleqëri të thellë kur të mos dijë e të mos kuptojë asgjë (duke u kthyer përsëri në gjendjen fëminore kur s’dinte asgjë). E shihni edhe tokën sesi është tharë e ka vdekur. Por kur i lëshojmë ujë sipër, lëviz, dridhet, fryhet dhe prej saj mbijnë çifte bimësh nga të gjitha llojet!” (Haxh, 22/5)
Ashtu siç bëhet e qartë edhe në pjesën e fundit të ajetit, ju e shihni tokën të tharë e të djegur, si hi, ku është e pamundur të mbijë e të bëhet ndonjë gjë. Por kur fillon të bjerë shi i dendur nga qielli, fillon një gjallëri, një lëvizje. Pastaj fillojnë të mbijnë bimë të ndryshme. Duke i krijuar të gjitha gjallesat çifte, Allahu ju nxjerr para sysh pamje e peizazhe që jua kënaqin syrin dhe zemrën!
Siç e sqaruam edhe më lart, në të gjitha këto ajete, Zoti i tregon së pari shenjat e vdekjes dhe të ringjalljes në tokë. Ashtu siç i ringjall Zoti në pranverë farat e rëna në tokë dhe të mbetura ashtu gjatë dimrit të gjatë të vdekjes, ashtu do t’i ringjallë edhe njerëzit në pranverën e dytë të tyre!
E parë nga ky këndvështrim, edhe sikur çështja të trajtohet nga një filozof, edhe nga një çoban, nuk mund të bëhet më e qartë se sa ç’ bëhet me këtë metodë bindëse të Kuranit. Përfshi edhe hadithet e profetit Muhamed (s.a.s.) lidhur me këtë çështje, të gjitha ç’ janë thënë, janë shtjellime dhe komente të thënieve të Kuranit.
Duke e provuar ringjalljen e madhe me argumente subjektive dhe duke na i kthyer shikimet në botën subjektive, Kurani i përfton çështjes qartësi me këto shembuj:
“Siç ju krijoi në fillim, përsëri te Ai do të ktheheni!” (A’raf, 7/29)
Ashtu siç ju krijoi në fillim nga dheu, nga sperma, nga gjaku i mpiksur dhe nga një copë mishi pa formë, përsëri, do t’i mbledhë atomet tuaja thelbësore, do të bëjë një sintezë dhe do t’ju krijojë nga e para.
“A nuk e di njeriu se e kemi krijuar nga një spermë që tani na u bë armik i hapur? Dhe, duke e harruar krijimin e vet, na paraqiti Neve argument: “Kush do t’i ringjallë këto eshtra të kalbura?” Thuaju: “Do t’i ringjallë Ai që i krijoi për herë të parë! Ai njeh çdo lloj krijimi!” (Jasin, 36/77-99)
Edhe mohuesi i shekullit të parë, edhe mohuesi i fundit i shekullit të njëzetenjë thonë të njëjtën gjë: “Kush do t’i ringjallë këto eshtra të kalbura të bëra hi?”
Kurani u përgjigjet atyre kështu: “Kush ta ketë dhënë jetën në fillim, Ai do t’i ringjallë!”
Me të njëjtën metodë, Kurani e vërteton ringjalljen duke na shfaqur para syve edhe mikrobotën e përbërë prej atomeve dhe grimcave më të vogla:
“O njerëz! Po qe se dyshoni në ringjalljen tuaj pas vdekjes, dijeni se ne ju krijuam ju në fillim nga dheu, pastaj nga sperma, pastaj nga embrioni, pastaj nga një copë mishi pa formë që t’jua tregojmë haptas fuqinë tonë. Sipas dëshirës sonë, ju mbajmë një kohë në mitrën e nënës, pastaj ju nxjerrim që atje si foshnjë. Pastaj ju rrisim që të bëheni të fortë e të aftë. Pastaj dikush vdes duke qenë ende fëmijë, kurse dikush rron gjer në pleqëri të thellë kur të mos dijë e të mos kuptojë asgjë (duke u kthyer përsëri në gjendjen fëminore kur s’dinte asgjë). E shihni edhe tokën sesi është tharë e ka vdekur. Por kur i lëshojmë ujë sipër, lëviz, dridhet, fryhet dhe prej saj mbijnë çifte bimësh nga të gjitha llojet!” (Haxh, 22/5)
Po qe se keni dyshim në ringjalljen, vëzhgoni dukurinë që ndodh në natyrën tuaj dhe analizoni këtë argument. Në fillim, Allahu (xh.xh.) ju krijoi nga dheu. Përbërja juaj thelbësore është prej një sëre elementesh të marra nga sipërfaqja e tokës. Pastaj elementët janë përzierë dhe prej tyre është formuar një ekstrakt proteinik. Një shkallë më tej, domethënë në nivelin e gjallesës, përbërja juaj ose ekstrakti proteinik u bë një pikë ujë, madje e ndyrë. Pastaj, një droçkë gjaku dhe, më tej, një copë mishi me formë a pa formë. Pasi arrin në këtë gjendje, ose krijoheni, ose nuk krijoheni. Ose bini si një dështak, ose zhvilloheni më tej sipas farës që ndodhet në përbërjen tuaj për t’u bërë një qenie e përsosur e quajtur njeri. Pastaj Zoti ju mban në mitër të nënës sa të dojë dhe ose dështoni 3-4 muajsh, ose lindni gjashtë, shtatë ose nëntë muajsh.
Dhe ju, që ju solli në gjendjen e një fëmije të njomë, pastaj përpiqeni të rriteni e të bëheni të aftë gjer në një pikë të caktuar. Dikush nga ju vdes pa u pjekur, kurse disa të tjerë nga ju arrijnë gjer në pleqëri të vonë. Mund të liheni në jetë gjersa t’ju thyhet mesi, të mos ju mbajnë dot këmbët e koka t’ju bjerë në gjoks, gjersa t’ju thinjen flokët dhe të plakeni aq shumë, sa, pas gjithë atyre që ju kanë ndodhur në jetë, të mos mbani mend asgjë. Kështu, e filloni jetën si fëmijë dhe, më në fund, po si fëmijë, por mjekërbardhë, ikni e mërgoni nga kjo botë!
Apelin e pabërë në këtë botë të të mirëve dhe të të këqijve, do ta bëjë në anën tjetër Allahu, i Drejti Absolut, që do t’u drejtohet kështu grupit të të këqijve dhe mizorëve:
“Veçohuni sot o ju fajtorë!” (Jasin, 36/59)
Ja, kjo ndarje dhe ky apel nuk bëhet praktikisht në këtë botë. Mirëpo mes të gjitha llojeve të tjera të materies, i miri dallohet nga i keqi, i bukuri dallohet nga i shëmtuari, i përsosuri nga i mangëti qysh në këtë botë. Ndërkaq, nuk mund të mendohet që qenia më e përsosur, më e mrekullueshme e gjithësisë dhe esenca e saj, njeriu, të përjashtohet nga rregulli. Meqë ndarja, dallimi dhe apeli për njeriun nuk bëhen këtu, do të thotë se do të bëhen në një botë tjetër.
Në lidhje me çështjen e ringjalljes, mohuesit e quajnë të pamundur këtë, duke thënë kështu: “Le ta pranojmë mundësinë e një jete të re vegjetative pas vdekjes; si do të mund të fillojë jeta jonë njerëzore pasi të na jenë prerë lidhjet e ndjenjave dhe vetëdijes me trupin?” Përballë këtij kundërshtimi të mohuesve, Kurani ka kujtuar gjumin, një përvojë të përditshme. Gjendjet e gjumit dhe zgjimit që ndjekin njëra-tjetrën, përbëjnë për ne një shembull të bukur për çështjen e jetës pas vdekjes. Për vërtetimin e ringjalljes nuk kërkohet një forcë bindëse më tepër se kaq. Në Kuran thuhet kështu:
“Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën, duke e ditur ç’ keni bërë ditën, pastaj ju zgjon që të plotësoni kohën tuaj të caktuar për të jetuar. Në fund, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju njoftojë gjithçka që keni bërë.!”
Allahu jua kompenson dhe rinovon në gjumë, pa e ditur ju, pjesët e trupit që ju janë dëmtuar ose që ju kanë vdekur dhe, duke jua kthyer përsëri në mëngjes vetëdijen dhe aftësinë njohëse që jua pati marrë, ju ringjall dhe ju zgjon me jetën tuaj materiale e shpirtërore të mëparshme. Vetëm atëherë ju i dalloni ditën dhe natën, i njihni veten dhe arritjet tuaja sikur të mos i kishit humbur fare, sikur në mes të mos kishte ndodhur asnjë ndërprerje. Të dyja jetët materiale-shpirtërore që ka njeriu ndodhen çdo ditë e çdo natë, madje, çdo çast në një “ringjallje” të tillë materiale-shpirtërore. Edhe nëse shumë njerëz e pranojnë këtë si një ringjallje me kuptim të figurshëm, po qe se çështja shihet seriozisht me një sy shkencor, del në shesh se kjo është një ringjallje me kuptimin e vërtetë të fjalës!
Këto ajete shpjegojnë ngjasimin mes vdekjes dhe ringjalljes, domethënë, ngjasimin mes zgjimit nga gjumi dhe ringjalljes pas vdekjes. Gjumi është një vdekje e lehtë dhe e vogël, kurse vdekja, një gjumë i madh dhe i rëndë. Në të dyja gjendjet ndodh kalimi i shpirtit të njeriut nga një jetë në një jetë tjetër.
Ngjashmëria mes rënies në gjumë-zgjimit dhe vdekje-ringjalljes është theksuar edhe në hadithet Profetike. Për shembull, në një deklaratë Profetike është dhënë kjo porosi: “Kur të bini për të fjetur, thoni “Allahu im, me emrin tënd vdes dhe ringjallem!” dhe, kur të ngriheni nga gjumi, thoni “Lavdi Allahut që na ringjall pas vdekjes!”
Allahu i Lartë, krijuesi i ngjarjes së gjumit dhe zgjimit, edhe me anë të realitetit të “ëndrrës” e cila ndodh mes këtyre dy gjendjeve, u hap mendimeve tona një horizont të veçantë për shpërndarjen e dyshimeve mbi këtë çështje. Duke na i hequr ndjenjat nga një botë për të na i lidhur me zërat dhe ngjyrat e një bote tjetër e për të na shëtitur në të, i tregon njeriut, duke e bërë t’i jetojë personalisht, ekzistencën edhe të botëve të tjera të ndryshme nga kjo botë e rrethuar me membrana tredimensionale. Njeriu i cili kridhet çdo natë në gjumin që është një lloj vëlla i vogël i vdekjes dhe i cili çdo mëngjes hap sytë në këtë botë sikur të ringjallej, do të thotë se i vëzhgon çdo ditë shenjat e kiametit dhe ringjalljes.
Nuk mund të mendohet që Allahu t’i lërë pa shpërblyer aktet e robve të Tij të mirë, sepse kjo do të thotë shfaqje e një situate që s’përputhet me urtësinë e Tij:
“A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Rrahman, 55/60)
Gjithashtu, me këtë rast, në suren Murselat, Allahu i Lartë e ka deklaruar kështu faktin se atyre që e kanë kryer detyrën e robit ndaj Zotit sipas qëllimit dhe orientimit të krijimit, do t’u jepet xheneti me të gjitha të mirat dhe bukuritë e tij si shpërblim për sjelljen e tyre:
“Kështu i shpërblejmë Ne ata që bëjnë vepra të mira…” (Murselat, 77/44)
Si përfundim, mund të themi se jeta e ahiretit do të ndodhë patjetër, së pari si një mirësi hyjnore, e më pas, si shpërblim i adhurimit të kryer nga njeriu dhe marrje prej tij e vlerës së vërtetë të akteve dhe veprimeve të tij, ashtu dhe si realizim i qëllimeve dhe synimeve të krijimit.
“Atë Ditë, njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre!” (Zilzal, 99/6).
Kurani, i cili na e vë në lëvizje mendimin/arsyetimin duke na e tërhequr vështrimin në rregullin e pashoq që sundon në gjithësi dhe përsosmërinë që shfaqet në të, na e bën të ditur se çdo pjesë e ekzistencës është e krijuar mbi një të vërtetë, gjithashtu, se krijimi dhe ngritja mbi të vërtetën të bën të mendosh e të besosh mbi ekzistencën e një jete të re pas vdekjes. Kjo specifikë mbi të cilën një ajet qëndron me përparësi, shprehet kështu në të:
“Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t’i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen gjer në një kohë të caktuar. Ja, kështu i tregon Ai provat e Tij!” (Rad, 13/2)
Ndërkaq, ne shohim se kjo botë është e paqëndrueshme, e ndryshueshme dhe kalimtare. Hyjniteti i shkëlqyer dhe i përjetshëm i Allahut të Lartë, Zotit të botëve, sundimi madhështor dhe gjithëpërfshirës i Tij nuk mund të ngrihet e të qëndrojë mbi një botë të tillë. Domethënë se duhet një botë tjetër e përhershme, e qëndrueshme, e pashkatërrueshme, e përsosur dhe e shkëlqyer, që të jetë e denjë për Të! Prandaj themi se Allahu i Lartë ka një vend tjetër të përhershëm dhe për të e vë në punë njeriun!
Si përfundim, nuk mund të mendohet që kjo botë e cila nuk e kënaq dhe nuk e ngop njeriun as me aspektin e saj material, t’u japë përgjigje kapaciteteve dhe mundësive të tij që e përfshijnë gjithësinë siç është imagjinata dhe dëshira e përjetësisë. Prandaj, njeriu që nuk e gjen përgjigjen e kësaj ndjenje në këtë botë, do ta gjejë në një botë tjetër.