Gruaja në sferën publike
Nga Ali Zaimi
Në përfytyrimin tonë tradicional gruaja shqiptare është një femër me urtësinë në buzë, me brishtësi dhe delikatesë në shpirt, me respekt ndaj kujtdo si dhe është një gur themelor, i shëndoshë i nderit dhe fisnikërisë kombëtare. Gruaja shqiptare në periudha të ndryshme historike ka treguar, që në mos vendimtare, ka qenë pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të mëdha kombëtare. Ajo ka kontribuar në përpjekjet për liri e pavarësi, në arsim e kulturë, si dhe në të gjitha sferat e jetës sonë shoqërore.
Megjithëse në kontributin familjar, shoqëror e kombëtar gratë nuk kanë mbetur pas burrave, por nuk mund të themi të për vlerësimin konkret ndaj tyre, i cili ka qenë në nivel mjaft të ulët, krahasuar me meritat që ato kanë.
Parë në këndvështrimin Islam por edhe atë kombëtar, gruaja konsiderohet si një heroinë dhembshurie dhe është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb.
Dua të theksoj faktin që feja Islame, sikurse ndonjëherë padrejtësisht pretendohet, nuk e pengon gruan që të jetë pjesë aktive e jetës shoqërore, duke marrë përsipër të gjitha detyrat drejtuese që edhe burrat marrin. Madje Islami i inkurajon gratë, që në përshtatje edhe me natyrën, delikatesën dhe brishtësinë shpirtërore që i karakterizon, të luajnë rol sa më aktiv në zhvillimin e shoqërisë.
Njëkohësisht, mendoj se hijeshia, delikatesa dhe respekti për të cilat është e denjë një grua janë në kundërshtim me vulgaritetin, materializmin, marketimin dhe keqtrajtimin ndaj grave, fenomene që vërejmë herë pas here në vende dhe kultura të ndryshme.
Fatkeqësisht ndonjëherë ndodh që prirjet dhe tendencat fanatike të zonave apo mentaliteteve të caktuara, të cilat izolojnë, diskriminojnë e dhunojnë të drejtat dhe dinjitetin e gruas ndodh që ti paraqesin këto veprime si të ishin fetare ose me burim fetar për të justifikuar kështu padrejtësitë që i bëhen grave. Ndërkohë Islami i ka dhënë gruas dinjitetin, lirinë dhe vlerësimin që nuk i njihej përpara tij.
Në atmosferën sociale të shoqërive islame ku Islami nuk është njollosur me të drejta zakonore ose me tradita joislame, femrat myslimane janë plotësisht pjesëmarrëse në jetën e përditshme. Për shembull, gjatë periudhës së parë të Islamit, Aishja, gruaja e Profetit, udhëhoqi një ushtri. Ajo ishte gjithashtu një dijetare fetare të cilën çdo njeri e vështronte me respekt. Femrat faleshin në xhami së bashku me meshkujt. Një grua mund ta kundërshtonte kalifin në xhami në një çështje juridike.