Profeti ynë, Hz. Muhammedi (a.s.)

Nga Ali Zaimi

Ardhja e Profetit Muhamed në këtë botë shënon plotësimin e dhuntisë së Allahut ndaj njerëzimit. Ai është njeriu më i rëndësishëm i pemës së krijimit, drita udhëzuese drejt së vërtetës; është vula e profetëve, më i përkryeri mes tyre.Nuk ka njeri të dytë, të jetë dashur si ai. Miliona e miliona besimtarë në të gjithë botën, disa herë në ditë, përmendin me dashuri e respekt emrin e tij.

Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, i fundit i profetëve, lindi të hënën e 20 prillit të vitit 571 në Mekë. Lindja e tij ishte sihariq i profetit Isa, ishte fryt i lutjes së bërë nga profeti Ibrahim. Të atin nuk e njohu kurrë, pasi ishe larguar nga kjo botë përpara se ai të lindte. Ishte vetëm gjashtë vjeç kur humbi edhe të ëmën, Eminenë, e mbeti jetim.Fëmijërinë e pati të vështirë. Megjithëse ende i vogël  ndihmonte xhaxhain e tij në punët e tregëtisë. 20 vjeç bënte pjesë në atë që njihej si bashkimi i të virtytshmëve, institucion ky që luftonte padrejtësitë, plaçkitësit dhe shtypjen. Në moshën 25 vjeçare u martua me Hatixhenë. I preferuar nga banorët e Mekës të gjykonte cështjet më delikate mori  epitetin “i besueshmi”. I mërzitur nga korrupsioni, mashtrimet dhe amoraliteti, filloi të izolohej nga bota, duke iu përkushtuar gjithnjë e më shumë meditimit. Shpella Hira pranë Mekës ishte për të vendi më i dashur, ku tërhiqej në vetmi. Në vitin 610 gjatë muajit të Ramazanit filloi periudha e shpalljes.Atëkohë ai ishte 40 vjeç, ku në shpellën Hira, engjëlli Xhebraili i zbriti versetet e para të Kuranit:

 “Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili krijoi,

Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur

Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh

I Cili me ane te penes ia mesoi

Ia mësoi njeriut ato që nuk e dinte

Në vitet e para të profetësisë Islami u përqafua nga mjaft njerëz por vështirësitë ishin të shumta. Ata që luftonin kundër islamit i izoluan dhe i bojkotuan myslimanët në Mekë, duke i detyruar të largoheshin. Sundimtarët e Mekës morën vendimin që Muhamedi të mos kthehej më në qytet. As vështirësitë e panumërta, as torturat nuk e ndalën në përmbushjen e misionit. Profeti u mor në një udhëtim qiellor nga Allahu qe e nderoi duke komunikuar me të, pa ndërmjetës.Ndër versetet që u shpallën atë natë ishin edhe 12 urdhëresa të Sures Isra:

  1. Bëhuni shërbëtorë të Allahut dhe të askujt tjetër.
  2. Trajtojini mirë prindërit.
  3. Jepuni të drejtën që u takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve.
  4. Mos jini as koprracë e as dorëlëshuar.
  5. Mos i vritni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë.
  6. Mos bëni imoralitet apo veprime të shthurura.
  7. Mos vrisni.
  8. Mos abuzoni me pasurinë e jetimëve.
  9. Mbani premtimet.
  10. Kini kujdes masën dhe peshën në tregti.
  11. Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni dijeni (e mirë apo e keqe qoftë) dhe përmbahuni nga pohimet e pabaza dhe hamendjet.
  12. largojuni mburrjes dhe mendjemadhësisë.

Myslymanët që vuanin në Mekë u detyruan të emigrojnë në Medine. I fundit që la Mekën ishte Muhamedi a.s i cili u prit krahëhapur dhe u mbështet nga banorët e Medines. Profeti qëndroi në Medine 10 vjet. Në vitin 630  u rikthye në qytetin nga i cili ishte përzënë. Nuk pati gjakderdhje,  nuk pati hakmarrje, madje Profeti a.s shpalli amnistinë e përgjithshme. Ai e tregoi madhështinë e tij duke falur kur kishte fuqinë e plotë të ndëshkonte.  Mëshira e tij u drejtua edhe mbi armiqtë e betuar, ata që e patën luftuar me egërsi:

“nuk ka ndëshkim për asnjë këtë ditë. Jeni të lirë, Zoti t’ju falë”

Në një ligjërim përpara rreth njëqind mijë vetësh qe njihet si Hutbja e Lamtumirës, Profeti skaliti një sërë parimesh universale që do të vinin në vend dinjitetin njerëzor.Ai shpjegoi se Islami kundërshton kategorikisht çdo dallim race, ngjyre, krahine apo ndasie tjetër klasore dhe se drejtësia dhe paqja botërore jane themelore: “…mos lejoni që urrejtja e të tjerëve ndaj jush t’ju shpjerë në gabime dhe t’ju shmangë nga drejtësia”

Me parimin që njerëzit lindin të lirë e askush nuk ka të drejtë ti skllavërojë, profeti Muhamed hapi rrugën që skllavëria të merrte fund njëherë e përgjithmonë. I respektoi kristianët dhe hebrejtë njëlloj si myslymanët, madje u garantoi atyre një sërë privilegjesh… Profeti Muhamed alejhi selam ndërroi jetë, në Medine më 632, në moshën 63-vjeçare.

Mësimet e tij ndikuan për të ndalur gjakmarrjen, varrosjen për së gjalli të vajzave të vogla, shtypjen e të varfërve, përcmimin ndaj femrave, dhunimin e fëmijëve dhe të dobtëve.Ai ishte një udhërrëfyes i pashoq. ligjërues mbret i fjalës, një gjykatës mjeshtër gjykimi, një kryetar shteti i mrekullueshëm dhe një strateg ushtarak që dinte të kthente humbjet në fitore. Ai ishte profeti i mëshirës dhe dashurisë, ai ishte njeriu i cili e shndërroi kohën e injorancës në epokë të dijes dhe lumturisë.

Profeti Muhamed pushtoi mendjet, zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Bota u përul me respekt përballë madhështisë së profetit të fundit. Arkitektët e kulturës perëndimore si, Napoleon Bonaparti, Bismarku, Gëte, Volteri, Bernard Shou, La Martini, Tolstoi e shumë figura të tjera, pranuan gjenialitetin dhe domosdoshmërinë që bota ka për frymën e sjellë prej tij.

Periudha në të cilën jetoi profeti Muhamed njihet si epoka e bekuar. Erdhi  ti njohë njerëzit me Allahun, që të gjejnë paqen e të jetojnë në paqe. Mesazhet e tij, fjalët, veprat, vlerat dhe vyrtytet përbëjnë modelin e njeriut për të cilin shoqëria e sotme ka më shumë nevojë se kurrë.

Mëshira e tij universale, për mbarë njerëzimin, madje për kafshët, bimësinë e gjithçka; udhëzimi i tij i pastër e i sinqertë për njerëzit e xhindet; duaja e tij e përzemërt e gjithëpërfshirëse; jeta e tij model i mishërimit të virtyteve më të larta në nivelin më të lartë; zgjidhja me lehtësi e çdo problemi; adhurimi i tij i sinqertë; mësimet dhe porositë e tij të pavdekshme; mesazhi hyjnor që transmetoi, më i veçanti dhe plotësues i të gjithë mesazheve hyjnore ardhur për njerëzimin; përfaqësimi më i denjë i më të përkryerit bashkëshort, baba, shok, mësues, lider, diplomat, udhëheqës etj., e bëjnë atë njeriun dhe krijesën më të përsosur e të përkryer të Krijuesit Fuqiplotë e të Gjithëmëshirshëm, dhe e bëjnë misionin dhe kauzën e tij më gjithëpërfshirësen dhe më universalen.

Ndërkohë argumentet e profetësisë së Profetit Muhamed a.s janë aq shumë saqë nuk lenë vend për dyshim se ai ishte i Dërguari i Allahut. Në këtë drejtim janë shkruar mijëra libra. Në mënyrë të përmbledhur disa nga përfaqësuesit kryesorë të aspekteve tregues të profetësisë së tij mund të përmenden : Teurati dhe Ungjilli janë përmbajnë mjaft argumenta të profetësisë së Muhamedit a.s.; Jeta e Profetit Muhamed a.s përpara profetësisë, e më pas jeta gjatë profetësisë është argument i profetësisë së Tij; edhe armiqtë e Profetit Muhamed kanë dëshmuar drejtësinë e tij të pashoqe dhe vlerat e virtytet e vecanta të tij; Edhe individualiteti i Profetit dëshmon për drejtësinë dhe Profetësinë e tij. Dijetari hebre kur e pa Profetin a.s tha: “në këtë fytyrë nuk ka gënjeshtër.”; Morali i pashoq i Profetit a.s është një tjetër dëshmitar i profetësisë së tij; Nga ana tjetër transformimet që kreu Profeti në cdo fushë janë argumente më vete që s’mund ti kryejë vecse një Profet i madh; Njoftimet e tij korrekte mbi të shkuarën dhe të ardhmen janë argumente të tjerë, në vetvete të mjaftushëm, se ato mund ti shprehte vetëm dikush që njoftohej nga Allahu për to. E ndërkohë jeta e Profetit është e mbushur me mijëra mrekulli që janë dëshmuar nga qindra- mijëra bashkëkohës e dëshmitarë të tyre. Që të gjitha këto tregues të shkëputur nga mijëra të tillë tregojnë se Hz. Muhamedi a.s është i Dërguari i Allahut, dërguar si mëshirë për mbarë botët.

 

Postime të ngashme