Ringjallja pas vdekjes

Nga Ali Zaimi

Pas besimit në një Zot të vetëm, ajo cka e rregullon jetën dhe e vendos atë në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë kolektive e të përgjithëshme të njerëzimit është pikërisht besimi në ringjallje, llogaridhënie dhe në jetën pas vdekjes.

Është gati e pamundur që njeriu që nuk beson se do të japë llogari për ato cka kryen, ta ketë jetën të drejtë. Ndërsa jeta e njeriut që nuk e heq nga mendja se do të dalë një ditë përpara Allahut e do të japë llogari një më një, atëherë cdo hap, cdo fjalë, cdo vepër e cdo sjellje e këtij njeriu do të jetë e shoqëruar me vetëdijen e llogaridhënies, dhe rrjedhimisht e drejtë. Natyrisht, njeriu do të jetë i tillë në raport edhe me vetëdijen e tij në cdo rast për llogarinë përtej. Besimi se do të shpërblehet një ditë e motivon njeriun e mirë për punë, ideja e ndëshkimit për mëkatet e frenon të riun të jetë dhunues e i shkujdesur, frika e llogaridhënies e frenon njeriun të bëjë keq edhe atje ku askush nuk mund ta shikojë, besimi se do të takohet përsëri në botën tjetër  e ngushëllon një fëmijë që ka humbur një të afërm apo një të moshuar që është, si i thonë, me një këmbë në atë botë, etj.

Në terminologjinë Islame Ahireti është jeta e dytë që do të fillojë pas shpërthimit të kiametit dhe do të vazhdojë pafundësisht, ku përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallje (ba’th), grumbullim (hashr), llogaridhënie (hesap), peshore (mizan), ndërmjetësim për falje (shefaat), ura (sirat), parajsë (xhenet), ferr (xhehenem).

Në fakt, me vdekjen e një njeriu, fillon për të ahireti i tij, i cili vazhdon pafundësisht. Sipas kësaj, ndërsa një pjesë e njerëzve jetojnë dimensionin jetësor të kësaj bote, një pjesë tjetër kanë hyrë dhe ndodhen në dimensionin jetësor të ahiretit.

Ne besojmë në ringjalljen pas vdekjes. Një gjë e tillë nuk është aspak e vështirë për Krijuesin tonë i cili na ka krijuar një herë. Dhe tani, në këtë çast, a nuk realizohen ringjallje para syve tanë! A nuk gjelbërojnë në pranverë pemët të cilat dimrit zhvishen nga gjethet dhe mbeten të thata? Nëse edhe pemët ringjallen çdo pranverë, atëherë si mos të ringjallemi ne, krijesa më e përkryer e Allahut? Pastaj, ka njerëz që gjatë gjithë jetës së tyre bëjnë padrejtësi. I dëmtojnë dhe ofendojnë të tjerët. Dhe vërejmë që këtyre njerëzve nuk u ndodh asgjë. Kjo do të thotë që Allahu, Ai që nuk mbyll sytë ndaj padrejtësisë, e ka lënë shpërblimin për të mirat dhe dënimin për të këqijat në një vend tjetër.

Ky vend quhet ahiret dhe përmendet si në Kuran ashtu dhe në hadithet e Profetit (a.s). Një mysliman i mirë vepron duke menduar se do ballafaqohet me veprat e tij. Largohet nga të këqijat dhe bën vepra të mira.

Allahu e vë njeriun përpara detyrës që të mendohet mirë lidhur me pyetjen e pandashme që ka të bëjë me kuptimin e qenies. Mos vallë Allahu, i cili i krijoi fillimisht njerëzit, nuk është në gjendje t’i ringjallë ata pas vdekjes? Mos vallë Allahu, i cili krijoi Gjithësinë e madhe, nuk mundet që ta rikrijojë njeriun prej hirit dhe pluhurit? Mos vallë Allahu, i cili arrin ta gjallërojë tokën e përzhitur nga zhegu, nuk është i zoti që t’i ringjallë të vdekurit? Mos vallë Allahu, i cili kujdeset për njeriun qysh në kohën e ngjizjes në embrion në barkun e nënës, kurse pas lindjes i dhuron atij dije dhe forcë, shëndet dhe pasuri, e bën këtë vetëm e vetëm që ai të mund t’i plotësojë dëshirat e tij të pandashme, kurse më pas ky të zhduket pa asnjë gjurmë? Mos vallë gjithëfuqia dhe urtësia e Allahut të Madhëruar nuk e kërkon atë, që secili njeri në mënyrën më të plotë dhe më të drejtë ta përfitojë ringjalljen?

Në këndvështrimin Islam, jeta pa ringjalljen do të ishte e papërsosur dhe e padrejtë. Vetëm besimi në jetën më të fundit (në atë të përtejmen) e mundëson ravijëzimin përfundimtar të tablosë së qenies dhe u jep përgjigje pyetjeve, që aq shumë i preokupojnë mendjet e njerëzve që prej kohësh më të hershme dhe vazhdojnë t’i preokupojnë edhe sot.

Vendbanimi i shpirtit pas ndarjes prej trupit dhe prej botës tokësore quhet berzah, që do të thotë “ndërmjetësi”, vend ndërmjet botëve. Sipas punëve në këtë botë, shpirtërat trajtohen në jetën e berzahut nga ku kuptojnë se ku do të shkojnë pas ringjalljes, e cila do të jetë me trup dhe me shpirt.

Jeta e berzahut vazhdon deri në ardhjen e Ditës së Gjykimit, kur engjëlli Israfil i bie Bririt dhe njerëzit që të gjithë do të ringjallen dhe do të dalin nga varret. Shpirtrat do të bashkohen me trupat, dhe njerëzit do të mblidhen në pritje të Gjyqit Suprem: mëkatarët do të qëndrojnë pranë shejtanëve, kurse besimtarët do të qëndrojnë pranë Profetëve, predikimet e të cilëve ndoqën. Myslimanët besojnë në Ditën e Gjykimit, kur do të vendosen Peshoret, në të cilat do të peshohen bëmat e njerëzve: “Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshore të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë” (El Enbija, 21: 47).

Mëkatarët që nuk e besuan Allahun dhe i bënë shok Atij, pas mbarimit të Gjyqit do t’i shpien në Ferr, ku do të zënë shkallë të ndryshme në varësi të rëndesës së keqbërjeve e mëkateve. Besimtarët besnikë do t’i shpien në Parajsë, por që të mbërrijnë deri aty, do t’u duhet të kalojnë nëpër Urën, që varet mbi greminën, poshtë së cilës ndodhet Ferri (Xhehenemi) e matanë së cilës ndodhet Parajsa (Xheneti). Kjo Urë cilësohet si më e hollë se fija e flokut dhe më e mprehtë se tehu i thikës, dhe është aq shumë e rrëshqitshme, saqë mund të qëndrosh vetëm në qoftë se të mban Allahu (në varësi të veprave të mira në këtë botë). Rreth e rrotull është errësirë e plotë, dhe vetëm drita e besimit do të jetë ajo, që do ta ndriçojë rrugën për në Parajsë. Besimtarët që nuk i kanë bërë shok Allahut, por që kanë kryer mëkate, nuk mund të kalojnë dot nëpër këtë Urë, ata do të bien në Ferr, por nuk do të qëndrojnë aty përgjithmonë. Falë zemërmadhësisë së Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, këta do ta braktisin Ferrin, sepse për ta do të bëhen ndërmjetës Profetët, të Dërguarit dhe besimtarët, dhe pas vuajtjes së dënimit do të hyjnë në Parajsë.

Sipas Kuranit, koha se kur do të bëhet Gjykimi nuk dihet, atë e di vetëm Allahu, sepse një dije e tillë nuk është në fuqinë e krijesave të Allahut. Për më tepër që edhe dija nuk i sjell njerëzve ndonjë dobi, sepse rëndësi kanë bëmat që njeriu kryen në të gjallë: “Ty të pyesin për kiametin: “Kur do të ndodhë ai?” Po në çfarë gjendje je ti që t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dijenia për të” ( En Naziatë , ajeti 42-44).

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: