Sido që të jetë, fëmija duhet t’i respektojë prindërit
Sjellja mirë me prindërit është një nga urdhrat fetarë ku Allahu menjëherë pas adhurimit të Tij, urdhëron sjelljen e mirë dhe respektin e prindërve, ku thotë: “Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, përjetojnë pleqëri te ti, mos u thuaj “of” e as mos u fol me zë të lartë, por t’u drejtohesh me fjalë respekti të plotë.” (Surja Isra/23)
Të respektosh prindërit dhe të përkujdesesh për ta është një nga detyrat fetare dhe morale që ka fëmija ndaj prindit. Sido që të jetë situata përsëri fëmija duhet të kujdeset për prindërit e tij, sepse feja na mëson që bindja ndaj prindërve është obligative, në pëjashtim të rasteve kur kërkesa e prindërve bie në kundërshtim me urdhërat e Zotit dhe të shpie të kryesh një mëkat.
Këtë e shohim në hadithe dhe ajete të ndryshme.
Tregohet nga Esma bintu Ebi Bekr se; “ E pyeta Profetin a.s për sjelljen time ndaj nënës time e cila nuk ishte bërë akoma myslimane? Ai (a.s) më tha: Po, Ti duhet ti tregosh respektin që meriton ndaj saj. (Buharî, Hibe 28, Edeb 8; Muslim, Zekat 50 (1003); Ebu Davud, Zekat, 34 (1668))
Dispozitat e ndryshme që dalin nga ky hadith janë të shumta, por në çështjen që po flitet dispozita më me vend është respektimi, kujdesi dhe bindja ndaj prindërve në marrëdhëniet fëmijë-prind dhe ato njerëzore. Dispozita tjetër që del nga ky hadith është dhe detyershmëria e respektimit të prindërve edhe në raste kur ata janë mosbesimtarë.
Sigurimi i shpenzimeve të prindërve nga ana e fëmijëve dhe respekti ndaj tyre është një urdhër i dhënë nga Kurani ku thotë; “All-llahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë dhe nuk ju përzënë nga shtëpitë tuaja. Me të vërtetë All-llahu i do të drejtët.” (Mumtahine/8).
Në lidhje me respektimin e prindërve ajeti i sures Lukman është më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. “Po nëse të nxisin (prindërit) që tjetërkënd ta konsiderosh të barabartë me mua, atë që ti nuk e di, ti mos i dëgjo, por ndaj tyre sillu me zemërgjerësi në këtë botë dhe paso rrugën e atij i cili më drejtohet mua me sinqeritet! Pastaj, tek unë do të ktheheni dhe do t’ju informoj se çka keni punuar.” (Lokman, 31/15)
Në bazë të këtyre ajeteve dhe haditheve myslimanët kuptojnë se e kanë për detyrë bindjen dhe respektimin e prindërve edhe nëse ata janë mëkatarë apo mosbesimtarë.
Të bindesh është diçka tjetër dhe të bësh kryengritje është diçka tjetër. Bindja ndaj prindërve përderisa është brenda urdhërave të Zotit është plotësisht e detyruar, por në raste kur bie në kundërshtim me urdhërat e Zotit atëherë thjesht nuk bindesh, por jo të bësh kryengritje dhe të mosrespektosh prindërit, në këtë rast as veprimi i kërkuar nuk kryhet as kryengritje nuk bëhet, thjesht rri ashtu i heshtur, respektimi ndaj tyre vazhdon akoma.
Është Allahu që i drejton dhe rrotullon zemrat, prandaj fëmija gjithmonë Atij duhet ti drejtohet. Respekti i treguar nga ana e fëmijëve mund të bëhet shkas për udhëzimin e prindërve të tyre. Gjithmonë objektivi duhet të jetë fitimi i tyre, por në raste kur prindi nuk pranon të ketë marrëdhënie me fëmijën e tij atëherë fëmija mund të vazhdojë jetën e tij. Por kjo vetëm pas disa përpjekjesh të vazhdueshme nga ana e fëmijës. Fëmija duhet të përdorë çdo rast dhe mundësi e cila e afron atë me prindërit e tij, por në momentin që ai mendon se ka bërë çmos për forcimin e kësaj lidhje mund të vazhdojë jetën e tij normale, duke i lënë prindërit të jetojnë jetën e tyre.
Fëmija edhe pse ka bërë përpjekje të mëdha për të mos shkëputur marrëdhëniet me prindërit, por prindërit nuk pranojnë diçka të tillë dhe largohen duke e braktisur fëmijën, atëherë fëmija pastrohet nga detyrimet që ka ndaj tyre, nuk është më përgjegjës për shkëputjen e marrëdhënieve familjare, sepse kjo është diçka që nuk është në dorën e tij, përderisa situata vazhdon të jetë kështu fëmija është jo i ngarkuar.
Fëmija duhet të lërë gjithmonë një portë të hapur edhe në raste kur prindërit vendosin të kthehet e të rifillojnë marrëdhëniet me fëmijët e tyre. Lidhjet me prindërit edhe pse prindërit nuk dëshirojnë t’i kenë nuk duhet të shkëputen përfundimisht, gjithmonë duhet të ketë një mundësi ribashkimi.
Allahu e di më të drejtën!