Cili është agjërimi i përsosur?
Një person që synon të agjërojë nuk e ndalon veten vetëm nga të ngrënit dhe të pirit. Ai i bën gojën dhe stomakun që të agjërojnë; dhe ai gjithashtu dërgon organet e gjymtyrët e tij të tjerë për t’i ndihmuar ato. Kësisoj, i gjithë trupi i njeriut vihet në lëvizje për të përmbushur këtë urdhër të lartë hyjnor.
Sidoqoftë, a nuk është agjërimi i përsosur ai që agjëron në atë mënyrë? Gjegjësisht, së bashku me stomakun agjërojnë edhe sytë, veshët dhe zemra. Secili prej tyre fillon të kryejë adhurimin e tij të veçantë.
Agjërimi i gjuhës është abstenimi nga gënjeshtra, përgojimi dhe fjalët e pahijshme. Ajo angazhohet vazhdimisht me adhurime të tilla si Kurani, dhikri (përkujtimi i Allahut), lavdërimi i emrave të Allahut, dërgimi i salavateve dhe të folurit gjithnjë me një gjuhë sa më të mirë.
Agjërimi i syve nuk është vetëm largimi i shikimit nga ajo që është e ndaluar. Agjërimi i veshëve nuk është vetëm largimi nga dëgjimi i fjalëve të panevojshme. Në vend të atyre, sytë përpiqen të shikojnë në mënyrë që të marrin mësime dhe veshët përpiqen të dëgjojnë fjalët e vërteta dhe Kuranin.
Në këtë mënyrë, meqenëse të gjitha aftësitë agjërojnë së bashku me stomakun, njeriu nuk qëndron larg ngrënies dhe pirjes pa pasur ndonjë synim të caktuar dhe si rezultat i afrohet agjërimit të përsosur. Ai është i njohur me kuptimet e thella të agjërimit dhe synon të rrokë esencën e këtij adhurimi.
Këto kuptime vihen re qartë në hadithin e mëposhtëm: “Ka shumë agjërues që nuk përfitojnë nga agjërimi i tyre veçse uri dhe etje. Ka shumë njerëz që çohen të falen natën dhe nuk përfitojnë nga falja e tyre veçse pagjumësinë.”