Profeti Ynë (21) – Murgu Nastura

Më në fund të gjitha punët e tyre në Siri erdhën drejt fundit, andaj pa humbur kohë ata morën rrugën e kthimit për në Mekë. Rruga ishte bërë e stërmundimshme dhe të gjithë ishin lodhur mjaft, andaj vendosën të bënin një pushim nën hijen e disa pemëve aty pranë. Të gjithë u ulën, dhe ndërsa disa po përkujdeseshin me hesapet e tregtisë që kishin bërë, Profeti ynë ishte ulur pranë një peme të moçme e po freskohej sadopak në hijen e saj.

Pa kaluar shumë kohë, Mejsere pa dikë që po afrohej me një nxitim të pazakontë. Ky që po afrohej nuk ishte tjetër, pos murgut Nastura. Ai iu afrua Mejseres për ta pyetur:

Cili është ai që ka qëndruar nën hijen e asaj pemës atje?

Mejsere iu përgjigj se Ai ishte Muhamedi, i biri i Abdullahut, me një fjalë, një nga djelmoshët e familjes.

Murgu, në fillim tundi pak kryet kur dëgjoi këtë përgjigje. Nuk i pëlqeu aspak kjo përgjigje dhe mënyra me të cilën iu tha. Teksa pyeste, dallohej lehtë që kishte një qëndrim sikur donte të thoshte se as ju nuk e dini se cili është, kështu që vendosi ta pyeste edhe njëherë:

Mos ka një dozë të kuqeje në sytë e tij?

Po, ka, – ia pati Mejserja.

Murgu këtë herë u duk i bindur plotësisht. Filloi të thoshte disa gjëra të veçanta, për të cilat edhe betohej.

Ju betohem, se poshtë kësaj peme nuk ka qëndruar askush përpos profetëve.[1]

Dukej që Nastura do të thoshte edhe shumë gjëra të tjera, dhe dukej se e folura e tij sikur nuk donte kurrsesi që të pushonte.

Nuk është aspak për të dyshuar se Ai është profeti për të Cilin njerëzimi është kaq shumë i etur. Madje është Profeti i fundit i Njerëzimit.[2]

Mejserja vazhdonte të ishte i çmeritur nga fjalët, që mbartnin një domethënie kaq shumë serioze, të murgut Nastura. Nuk po arrinte as t’i kuptimësonte dot. Ai nuk harroi t’i bënte të paktën veshët katër për ta çuar deri në fund, ashtu siç duhej, këshillën e zonjës së tij, Hatixhes; ai po e regjistronte çdo gjë pa humbur asnjërën prej detajeve të shprehura nga goja e këtij murgu të urtë.

Kishte shumë gjëra që mund t’i mësonte prej këtij murgu. Dukej qartë, se edhe ai kishte rënë pikërisht në atë që po kërkonte, andaj nuk reshti së kërkuar sa më shumë informacion për Muhamedin. Prandaj, tanimë ishte ai që e pyeste murgun për të Dërguarin e Allahut, duke i përmendur vazhdimisht edhe dukuritë e pazakonta që i kishin shoqëruar përgjatë gjithë udhëtimit. Ai nuk harroi t’i rrëfente atij dukurinë e betimit, rrëfim ky që ia shumëfishoi emocionet murgut të shtangur nga një takim kaq i veçantë. Dukej që po gërryhej nga përbrenda. Mendimi i tij tashmë ishte formësuar thuajse plotësisht, andaj, ashtu i sigurt në vetvete, ai i tha Mejseres këto fjalë:

Vallahi, që ky është Profeti i fundit që ne po presim prej kaq kohësh. Të lutem e të përgjërohem që të përkujdesesh sa më veçanërisht për Të![3]

Mandej, i mbërthyer nga emocionet shkoi në drejtim të vendit ku po qëndronte i Dërguari i Zotit. Fillimisht e puthi në ballë, e në fund iu përul në fund të këmbëve, duke i thënë:

Unë dëshmoj se Ti, je ai njeriu për të cilin flet Zoti në Teurat.[4]

[1]Ibni Sad, tabakat, 1/130

[2]Po aty.

[3]Po aty.

[4]Sujuti, el-Hasaisu’l Kubra, 1/51

Postime të ngashme