Respekt për njeriun

Cilësitë që do të karakterizojnë detyrimisht njerëzimin në të ardhmen, sidomos kur shohim këtë botë, në të cilën bëjmë pjesë, na bën të tregohemi aq shumë të matur e të kujdesshëm, sa që çdo vendim që tani mund ta marrim në nxitim e sipër, ka gjasa që në të ardhmen të shkaktojë gabime, të cilat nuk kanë më ndreqje e as kthim pas. Andaj edhe arkitektët e së ardhmes, janë të detyruar që bota që do të ndërtojnë të jetë një botë, e cila, si në dukje, ashtu edhe në përmbajtje, të jetë e mbështetur mbi dashurinë dhe respektin për njerëzimin.

Bota e shekullit tonë, na lëshoi nëpër disa rrugë të errëta me ato që na solli. Dhe, tani, gjendemi përballë sa e sa çështjeve, të cilat as që i njohim se ç’janë. Të gjitha këto çështje, që ne po përpiqemi t’ua gjejmë zgjidhjet një orë e më parë, na duken dilematike, por edhe përfundimet janë po aq edhe të mbushura plot e përplot me kundërshti e mospërputhje… Po; ka me mijëra Hidrë, të cilët i kanë ngarkuar vetes misionin e sjelljes së ujit të jetës, edhe sikur ai të jetë i gjendshëm vetëm në malin e Kafit; mirëpo tek asnjëri nuk dallohet ende shenja e parë e gjetjes së eliksirit të përjetësisë. Dhe me gjithë përpjekjet e këtyre njerëzve me  shëmbëlltyrën e apostujve, respekti për shpirtin njerëzor e gjen veten përballë shumë rreziqesh serioze.

Ne, u bënë vite që rrimë e sorrollatemi në këtë gjendje; por ende nuk ia kemi dalë dot që të krijojmë konceptet e duhura, me të cilat do të ndërtohen parimet e së nesërmes. Dhe nuk kish se si t’ia arrinim; sepse, duke qenë se ndjenjat dhe mendimet na premtonin gjëra nga më të ndryshmet, filluam ta ndienim veten si muzikantë që shëtisin derë më derë me një pllakë të thyer në dorë e me një kompozim gjysmak, që nuk i shërben askujt. Çdo individ, me një copë “të vërtete” që kish marrë në dorë, na detyroi që t’i quajmë mohime të gjitha të vërtetat e tjera, duke i bërë sakaq të gjithë që të ndjekin atë pjesë bajate në duart e veta, a është e mundur që të zbulojmë receta shpëtimtare, koncepte të reja dhe pasurim në mendime? Sidomos nëse do të përdoren edhe mjetet e kundërshtimit, fajësimit, apo të sulmimit me fjalë…

Sot, pika në të cilën ka arritur metodologjia jonë e njollosur prej disa gabimeve, është për të ardhur keq dhe të fut në mendime të thella. Njerëz që ecin në të njëjtën rrugë, krah për krah me njëri-tjetrin, janë shndërruar aq shumë, duke u bërë njerëz të tjetërsojtë, sa që nuk e njohin më shoqi-shoqin. Të drejtat dhe të gabuarat, duke rrëshkitur prej të gjitha parimeve thelbësore, janë relativizuar aq shumë sa që tani mund të jenë ashtu pikërisht ashtu siç i kërkojnë dëshirat e grupeve të ndryshme, si të ishin të vendosura mbi disa shina të rrëshkitshme. Dhe, brenda një gjullurdie të këtillë, është e pamundur që të dallosh, as lartësinë e synimit, e as ndryshimin e këtij të fundit prej mjeteve.

Njeriu i ditëve tona duket sikur të ketë dalë në shëtitje për t’i nxjerrë të gjithë shijen pranverës, por është dashuruar pas një luleje të verdhë. Në fakt, në këtë rrugë ku, për hir të mjeteve, është përfshirë në një luftë shumë të ashpër, ai ka humbur shpresën për të arritur në pikën e synuar. Ajo që i ka mbetur është të

mundohet për t’u përpjekur dhe të lëvizë për hir të të qenit në lëvizje. Njësoj si kujdestari i faltores që e humb për një çast dhe përpiqet që të jetë sa më i pashëm përpara turistëve, duke harruar detyrën e vet, shërbimin ndaj faltores dhe të zotit të saj, robërimin ndaj Krijuesit; ashtu edhe ata që jetojnë të magjepsur pas ndonjë klike a partie të caktuar, janë të vetmuar dhe të verbër karshi çdo qëllimi a synimi epëran.

Njeriu i sotëm është skllavi i një luleje të vetme në tërë atë rrugëtim të pranverës; njeri i dashuruar pas një pikle në mes të oqeanit. Mua më duket se, derisa t’i mësojmë atij që të ketë një këndvështrim të vetin, kufizimi i kësaj idhujtarie ka për të qenë i pamundur. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, detyra jonë është që të jemi kurdoherë përkthyes të së vërtetës. Ah sikur të mund të ishim..!

Sado tërheqëse dhe magjepsëse të jetë një atmosferë që hyn në sytë dhe zemrat tona, nuk e justifikon që ne të harrojmë të vërtetën, së cilës ne i kemi falur zemrën. Ne, që jetojmë brenda së njëjtës shoqëri, nuk mund të rrimë kështu, të panjohur për njëri-tjetrin. Nuk se e kemi ne në dorë monopolin e së mirës dhe të së bukurës, që t’ia lejojmë vetes luftën me udhëtarët e një rruge tjetër, e cila të çon po ashtu drejt të njëjtit qëllim.

Ne mund t’ia bëjmë kritikën rrugës, apo sistemit, të dikujt që i përket një mendimi ndryshe. Dhe kjo është shprehje e funksionimit të larmishëm të mendjes njerëzore. Mirëpo, nëse ne përpiqemi me gjithë fuqinë tonë, për të arritur drejt të njëjtit horizont, duhet që të paktën të ndiejmë respekt edhe për mendimin e tij. Kjo është një domosdoshmëri e të qenit të drejtuar drejt të njëjtit synim, e të barturit të të njëjtit besim, e përdorimit të së njëjtës terminologji dhe, mbi të gjitha, respekt ndaj domethënies së shenjtë që reflektohet prej Krijuesit të Lartë.

Ta respektojmë njeriun! T’i respektojmë ato të vërteta të çmuara që gjenden të përfshira tek ai. Të dimë ta duam dhe ta respektojmë atë për hir të Krijuesit të tij. Një shoqëri që do ta kemi zhvilluar nëpërmjet këtij botëkuptimi, më në fund do të vijë në vete dhe do të dijë se si ta zëvendësojë shumëçka që ka humbur.

Postime të ngashme