Xhamitë që farkëtuan Islamin në Shqipëri
Elbasani modern që në origjinë të tij është një qytet islam. Kultura, zakonet, jeta qytetare, janë të gjitha produkt i vizionit dhe kulturës islame. Kështu shprehen klerikët myslimanë, por dhe historia e përforcon shumë këtë fakt. Dominimin e kulturës Islame në Elbasan e tregon edhe ekzistenca e 45 xhamive për një popullsi prej 25 mijë banorësh, ku sot kanë mbetur vetëm 5 prej tyre .
Vizitë në xhaminë Mbretërore
Në hyrje te kalasë nga porta kryesore ndanë bulevardit, pak metra më tutje ndodhet xhamia Mbret, një ndër xhamitë më të hershme të vendit tonë. Sapo përballesh me të, të bie menjëherë në sy një megafon i ngritur në një lartësi, me mjete rrethanore i cili është vendosur në vend të minares. Nga vjetërsia e saj kjo minare është shembur dhe ka mbetur e tillë. Po të vëresh muret e lashta të kësaj xhamie të bie menjëherë në sy punimi i ngjashëm me atë të mureve të kalasë.
Për ndërtimin e saj hidhen disa hipoteza nga historianë, arkeologë e studiues të ndryshëm, por ajo që mbështetet me shumë nga imami (drejtuesi) i kësaj xhamie Gëzim Karaj, është se ajo mund të jetë ndërtuar nga ushtarët e sulltanit njëkohësisht me rindërtimin e kalasë. Një gjë të tillë e mbështet me krenari Gëzimi por edhe Shefiku kujdestari i xhamisë, pasi ky fakt tregon lindjen dhe farkëtimin e fesë islame jo vetëm në Elbasan por edhe në gjithë Shqipërinë. Në hyrje të saj, mbi murin anësor të portës së madhe, shkruhet me germa të mëdha XHAMIA MBRET, një xhami mbretërore që sipas versionit zyrtar të historisë është ndërtuar nga sulltan Bajaziti II me 1492. Në krah të majtë janë ndërtuar banjot dhe hamami sipas kohëve moderne, pasi ato të parat nuk kanë rezistuar dot kohërave. Në të djathtë ngrihet ndërtesa e vjetër e xhamisë me një strehëz prej druri me formën e një gjysme trekëndëshi mbi te cilën vitet kanë lënë gjurmë.
Strehëza mbulon pjesën e verandës së xhamisë e cila rrethohet nga parmakët prej druri ku duket qartë vjetërsia e tyre, kjo pjesë e xhamisë në pamje të parë duket sikur mezi qëndron, por ajo është e fortë dhe rezistente ashtu si edhe vetë mesazhi që përcjell ky objekt kulti. Tek shkallaret e vogla shikon një mori këpucësh që kanë lënë besimtarët aty, sa më shumë afrohesh aq më shumë dëgjohet një zë që pëshpërit fjalë arabisht çka tregon praninë e besimtarëve që po kryejnë ritet e tyre fetare. Brenda kësaj xhamie forma paraqitet mjaft e mirë dhe koherente, ku dhe ndodhen një grup besimtarësh që dëgjojnë ligjëratën e Imamit. Në momentin kur e pyet Gëzimin se nëse feja islame po pengon civilizimin e qytetit të Elbasanit, ai nxiton të përgjigjet duke thënë se feja islame ecën paralelisht me qytetërimet, me civilizimin dhe shkencën. “Qytetërimet më moderne sot në botë si Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe e të tjerë, janë vende islamike ndërkohë që qytetërimi i tyre ka arritur kulmin e modernitetit” – shton ai. Shefik Tusha, kujdestari i xhamisë është një tjetër person që takon aty, ai nxiton të tregojë ambientet e xhamisë dhe funksionin e së cilës pjesë duke folur plot zell e dashuri për besimin dhe fenë e tij.
Është e kotë të këmbëngulësh e t’i kërkosh Shefikut një foto. “Unë jam 50 vjeç e s’kam dalë ndonjëherë në fotografi, për më tepër që edhe feja s’ma lejon një gjë të tillë”- thotë ai. Habitesh kur shikon që një mesoburrë i kërrusur nga pesha e viteve, me një mjekër gjysmë të thinjur e të shkurtër, që lëviz me një shkathtësi e shpejtësi të madhe, për të rregulluar ndonjë gjë që sipas syrit të tij nuk shkon. Por, ajo që të lë mbresa te ky njeri është zgjuarsia e tij dhe njohuritë e shumta që ka. Ai fillon e flet për besimin, fenë, historinë, qe nga koha e Babilonisë me kopshtet e varura te Semiramides e deri në ditët e sotme. Një meso burrë me një zgjuarsi të mprehtë. Me këtë përshtypje largohesh nga ky objekt kulti, ç’ka të bën të mendosh se feja nuk është vetëm përmbushja e atyre riteve të thjeshta në dukje, por edhe një pasuri e inteligjencë e gjithanshme. Feja islame është e një traditë e trashëguar nga turqit, por kjo traditë i përshtatet kohës, duke mos dalë nga konturet, vizioni dhe qëllimi i saj.
Xhamia që riktheu besimin fetar në Elbasan
Xhamia e Nazareshës në Elbasan, bën pjesë në “fondin” e xhamive më të hershme të vendit tonë. Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1599. E para faltore monumentale në të cilën më 7 dhjetor 1990 u organizua ceremonia e parë për rikthimin e besimit fetar, gjë e cila i parapriu edhe protestave të mëvonshme për rrëzimin e diktaturës komuniste. Kjo tregon qartë se rebelimi apo “ kryengritja” e parë në Shqipëri ndaj komunizmit erdhi pikërisht nga ky objekt kulti. Sipas dokumenteve në arkivën e Myftinisë së Elbasanit, nismëtarët e kësaj lëvizje, ata të cilët nuk mund të heshtnin më, ishin: imam Kajo Biçaku, Agim Denizi, Hyqmet Dauti, Adem Perlepi, Besnik Kuburja si dhe Eduart Haxhihyseni. Kjo xhami e vogël, nëpërmjet teknikës së arkitekturës, ndërlidh traditën e artit të ndërtimit të periudhës pararendëse bizantine me atë osmane.
Arkitektura e saj është e veçantë në llojin e vet. Nga jashtë ka formën e një shumëkëndëshi e ndërtuar në gur, me një kupolë të madhe në mes si dhe me një minare të gjerë, gjysma e së cilës është shembur .
Në brendësi ruhet në formën origjinale të sallës së faljes. Salla me përmasa kuadratike ndriçohet nga pesë dritare të vendosura në tre radhë. Dritaret e poshtme janë dekoruar nga korniza prej gurësh të gdhendur. Akustika është mbresëlënëse, jehona e kupolës shpërndan në mënyrë të barabartë zërin në të gjithë sallën.
Pamja ballore e xhamisë paraprihet nga një portik i mbuluar me çati prej druri, përmes së cilit kalohet në sallën qendrore, tipike e xhamive të hershme.
Regjimi komunist nuk mundi ta shembë atë, siç bëri me shumë faltore të tjera në të gjithë vendin. Dëmtimet që ajo ka pësuar si shembja e minares si dhe plasaritja e mureve nga jashtë janë të hershme, në kohën e luftimeve italo – greke që më së shumti u zhvilluan në Shqipëri. Në këtë periudhë ajo është goditur aksidentalisht nga një predhë, duke i shkaktuar dëmet që shihen edhe sot .
Imami i kësaj xhamie Gent Uku tregon se “Para tre vjetësh përfaqësues të Institutit të Trashëgimisë Kulturore erdhën me një fond prej 3 milion lekësh të vjetra për restaurimin e saj, pasi xhamia është shpallur monument kulture, por përveç disa rrathëve metalikë që i vendosën pjesës së mbetur të minares, asgjë tjetër nuk bënë”.
Imam Genti ka rreth 4 vjet që drejton këtë faltore dhe me përpjekjet e tij, besimtarëve muslimanë si dhe myftinisë u bë i mundur restaurimi i sallës së faljes e cila tashmë është në gjendje mjaft të mirë. Ndryshe nga xhamitë e tjera, aty nuk ka shumë lëvizje. Për shkak të vendndodhjes buzë unazës juglindore të qytetit, ndihet mungesa e mbushjes së saj nga besimtarët. Edhe pse të paktë në numër ato janë të përhershëm. Kjo xhami me vlera të rëndësishme historike kulturore e monumentale, e cila mban meritën e rikthimit të besimit fetar në vend, vazhdon të ruhet me fanatizëm dhe të funksionojë normalisht edhe sot në shekullin e ri.
Xhamia e “Poetëve” (Pashës)
Xhamia e Gazi Sinan Pashës. Njihej ndryshe edhe si “xhamia e poetëve” për shkak se në të gjithë muret e saj ishin shkruar vjersha, lëvdata e fjalë profetike nga poetët dhe udhëtarët që vinin nga të katër anët. Mendohet se ka lidhje me Sinan Pashë Biçakçiun, i cili jetoi në vitet 1506-1596. Sinan Pasha ishte ushtarak dhe pushtetar i lartë. Evlia Çelebiu , udhëtari i njohur turk e përshkruan këtë xhami si: “ndërtesë e madhe por e vjetër, përdhese, muret e së cilës ishin të mbuluara me mbishkrime të ndryshme, në faqet e jashtme”. Xhamia e vjetër e Pashës është mbi 150 vjeçare, por që nuk i ka rezistuar dot kohës. Ajo është rindërtuar tërësisht mbi themelet e së vjetrës në vitin 1996 nga “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi”. Frekuentuesit e kësaj xhamie pranë qendrës së qytetit janë moshat e reja nga 15 vjeç si dhe ato mesatare deri në 50 vjeç. “ Zakonisht pleqtë nuk vijnë këtu – rrëfen imami i saj Marsel Telezi – mbase ngaqë shkojnë më tepër në kala te xhamia Mbretërore”. Kjo xhami ashtu sikurse edhe xhamia mbret është mjaft e frekuentuar, ku sipas drejtuesit të saj, në të shkojnë nga 30 deri në 40 besimtarë për namaz. Ndërsa të premteve gjatë namazit të xhumasë ky numër shkon në mbi 300 besimtare.
Xhamia e Ballies
Faltore, stili i së cilës bën pjesë në periudhën e dytë të zhvillimit të arkitekturës shqiptare islamike, kur modeli klasik osman i xhamisë përhapet në të gjitha trevat e Rumelisë. Për qytetin e Elbasanit ajo vinte e dyta në kohë, pas xhamisë së Nazareshës, me të cilën kanë të njëjtën gjuhë tipologjike. Elementet e saj përbërës funksional: salla e faljes, portiku në ballin e hyrjes dhe minarja në të djathtë plotësojnë siluetën me një kupoleje gjysmësferike të lartësuar me një tambur polygonal tetëkëndor. Elementi më tërheqës i xhamisë ishte minarja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ, origjinal të saj, si në zhvillimin e trupit në lartësi, por edhe ballkonit, i vetmi i këtij modeli në Shqipëri.
Me një projekt madhështor e financuar nga Kuvajti, “Xhamia e Ballies” do të jetë objekti më i madh fetar që do të ndërtohet në vendin tonë ne qendër te Elbasanit, përballë sahatit, ne vendin ku dikur ka qenë xhamia me të njëjtin emër. Objekti do të jetë me katër kate dhe me dy minare, më e larta e të cilave 37 metra, i projektuar nga një studio turko -austriake tashmë pret realizimin, fazën finale. Ndërtesa që do të kushtojë 1,5 milionë euro do të mund të presë njëkohësisht 1200 besimtarë të cilët do të kenë mundësi të kryejnë ritet e tyre fetare.
El Hagri , faltorja e të rinjve
Në vitet e demokracisë në Elbasan u ndërtuan edhe faltore të tjera islame ç’ka ia shtuan edhe më shumë frymën fetare këtij qyteti , ku ndër të tjera spikat xhamia El Hagri pranë universitetit. E veçanta e saj është se frekuentohet por edhe drejtohet nga të rinjtë studentë.
Vlerat arkitekturore e monumentale të faltoreve islamike janë pasqyrë e së kaluarës së tyre historike e shoqërore. Feja dhe besimi ngrenë rregullat dhe praktikat mbi të cilat ndërtohet jetesa e këtij qyteti në masën më të gjerë të banorëve në ditët e sotme. Aktori i njohur Mirush Kabashi në një simpozium islam në Elbasan u shpreh: “Feja po bën të pamundurën që në këtë zallamhi të ruajë normat dhe moralin njerëzor”. Pra Feja islame përmes objekteve të kultit, xhamive është ajo e cila përpiqet të mbajë shoqërinë njerëzore brenda kontureve te moralit, për të mos e lënë të shkojë në degradim.