Xhabir Ibn Hajjan
Xhabir Ibn Hajjan (në perëndim – Xhebër (Geber), alkimisti i Mesjetës njihet përgjithësisht si babai i kimisë. Ebu Musa Xhabir Ibn Hajjan, ndonjëherë i quajtur el-Haran dhe el-Sufi ishte i biri i një përgatitësi baresh kurues (i njohur si Attar). Data e saktë e lindjes së tij është çështje e diskutueshme, por është vendosur konsensualisht se ai ka praktikuar mjekësinë dhe alkiminë në Kufe rreth vitit 776 (e.s). Tregohet se ka qënë nxënës i Imam Xha’fer Sadik dhe princit Khalid Ibn Jezid. Në fillimet e tij, ai ushtroi si profesion mjekësinë dhe ishte student i Vezirit Barmaki gjatë Kalifatit Abasid të Harun el-Rashid. Ai kontribuoi në rrëzimin e Barmakëve e u la në arrest shtëpie në Kufa, ku vdiq në vitin 803 (e.s).
Kontributi më i madh i Xhabirit ishte në fushën e kimisë. Ai prezantoi hetimin eksperimental në alkimi, e cila ndryshoi me shpejtësi karakterin e saj në kimi moderne. Rrënojat e laboratorit të tij të njohur mbijetuan pas shekujsh me radhë, por fama e tij qëndron në mbi 100 traktate shkrimore monumentale, nga të cilat 22 kanë të bëjnë me kiminë dhe alkiminë. Kontributi i tij në kimi përfshin përsosjen e teknikave shkencore si kristalizimi, distilimi, kalcinimi, sublimimi e avullimi dhe zhvillimi i disa instrumenteve për këto. Zhvillimi i hershëm i kimisë si një degë e veçantë e shkencës nga arabët, në vend të ideve të mëhershme të paqarta, është fakt i vërtetuar, dhe vetë emri kimi rrjedh nga fjala arabe el-Kimia, e cila u studiua dhe u zhvillua gjerësisht nga shkencëtarët myslimanë.
Duket se arritja kryesore praktike e Xhabirit ishte zbulimi i acideve minerale dhe acideve të tjera, të cilat ai i përgatiti për herë të parë në aparatin e tij distilues (Alembiku). Përveç shumë kontributeve themelore në alkimi, që përfshinin kryesisht përgatitjen e përbërjeve të reja dhe zhvillimin e metodave kimike, ai gjithashtu zhvilloi një sërë procesesh kimike të aplikuara, duke u bërë kështu një nismëtar në fushën e shkencës së aplikuar. Arritjet e tij në këtë fushë përfshijnë përgatitjen e metaleve të ndryshme, zhvillimin e çelikut, ngjyrosjen e rrobave e prodhimin e materialeve të lëkurës, lustrimin e rrobave të papërshkueshme nga uji, përdorimin e dioksidit të manganit në prodhimin e xhamit, parandalimin e ndryshkjes, gdhendjen e shkronjave në ar, identifikimin e bojrave, yndyrave, etj. Gjatë këtyre përpjekjeve praktike, ai gjithashtu gjeti një përzierje (acid nitrik dhe acid klorhidrik) për të tretur arin e cila u quajt uji mbretëror. Alembiku është shpikja e tij e madhe, e cila e bëri të lehtë dhe sistematik procesin e distilimit. Xhabiri vuri theks të madh në eksperimentim dhe saktësi në punën e tij.
Bazuar në vetitë e tyre, ai ka përshkruar tre lloje të dallueshme substancash. Së pari, subastancat e paqëndrueshme d.m.th ato që avullojnë gjatë ngrohjes, si kamfori, arseniku dhe kloruri i amonit; së dyti, metalet, për shembull, ari, argjendi, plumbi, bakri, hekuri dhe së treti, kategoria e përbërjeve që mund të shndërrohen në pluhur. Ai hapi kështu rrugën për një klasifikim të tillë të mëvonshëm si metalet, jometalet dhe substancat e avullueshme.
Edhe pse i njohur si alkimist, ai nuk duket se e ka ndjekur thellësisht përgatitjen e metaleve; në vend të kësaj ai ia kushtoi përpjekjet e tij zhvillimit të metodave themelore kimike dhe studimit të mekanizmave të reaksioneve kimike në vetvete dhe kështu ndihmoi në evoluimin e kimisë nga legjendat e alkimisë në shkencë të mirëfilltë. Ai theksoi se, në reaksionet kimike përfshihen sasi të caktuara të substancave të ndryshme dhe kështu mund të thuhet se i kanë hapur rrugën ligjit të përbërjes konstante.
Në korpusin e tij përfshihen një numër i madh librash. Përveç kimisë, ai dha kontribut edhe në shkenca të tjera si mjekësia dhe astronomia. Librat e tij mbi kiminë, përfshirë Kitabl-el-Kimia (Libri i Kimisë) dhe Kitab el-Sabin (Libri i shtatëdhjetës) u përkthyen në latinisht dhe në gjuhë të ndryshme evropiane. Këto përkthime kanë qenë të njohura në Evropë për disa shekuj dhe kanë ndikuar në evolucionin e kimisë moderne. Disa terma teknikë të ideuar nga Xhabiri, si alkali, gjenden sot në gjuhë të ndryshme evropiane dhe janë bërë pjesë e fjalorit shkencor. Vetëm disa nga librat e tij janë redaktuar dhe botuar, ndërsa disa të tjerë të ruajtur në arabisht ende nuk janë shënuar dhe botuar.
Janë hedhur dyshime nëse e gjithë puna voluminoze e përfshirë në korpus është kontribut i tij apo përmban komentime/shtesa të mëvonshme nga pasuesit e tij. Sipas Sarton, vlera e vërtetë e punës së tij do të dihej vetëm kur të gjithë librat e tij të ishin redaktuar dhe botuar. Pikëpamjet e tij fetare dhe konceptet filozofike të mishëruara në korpus janë kritikuar, por përtej çështjes së vërtetësisë së tyre, duhet theksuar se kontributi kryesor i Xhabirit qëndron në fushën e kimisë dhe jo në teologji. Zbulimet e tij të ndryshme, p.sh., përgatitja e acideve për herë të parë, veçanërisht acidet nitrik, klorhidrik, citrik dhe tartarik, dhe theksi në eksperimentimin sistematik janë të jastëzakonshme. Është për shkak të një pune të tillë ajo që e bën të konsiderohet me të drejt si babai i kimisë moderne. Sipas fjalëve të Max Mayerhaff, zhvillimi i kimisë në Evropë mund të gjurmohet drejtpërdrejt te Xhabir Ibn Hajjan.