Vlera e adhurimit në muajin Rexheb

Muaji Rexheb është një prej katër muajve të shenjtë, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë: “Mos i bëni padrejtësi vetes në këto muaj!” Nga ky ajet kuptojmë që veprat e mira në këtë muaj marrin një dimension tjetër, po ashtu edhe veprat e këqija janë më të rënda. Sipas kohës edhe vendit adhurimet fitojnë më shumë vlerë dhe këshillohet shtimi i tyre sa më shumë të jetë e mundur.

Adhurimet kryesore të Islamit si namazi, agjërimi, sadakaja dhe leximi i Kuranit janë mëse të mjaftueshme për njeriun, që t’i veprojë gjatë gjithë vitit dhe sidomos në stinët specifike të adhurimit. Vërtet edhe në muajin Rexheb adhurimet janë po të njëjta, por ato marrin një dimension tjetër në këtë muaj. Allahu thotë në Kur’an: “Madhërimi i simboleve të Allahut është prej devotshmërisë së zemrave.”

Është e njohur thënia e dijetarëve, të cilët muajin Rexheb e quajnë si muajin e mbjelljes. Shabanin si muajin e ujitjes dhe Ramazanin si muajin e korrjes. Ky muaj është momenti i duhur për të hedhur disa fara adhurimi, të cilat shpresojmë shumë t’i veprojmë edhe në muajin e madh të Ramazanit. Lajmëtari i parë për ardhjen e Ramazanit sapo ka trokitur në dyert tona, për të na thënë që edhe përgatitja për të fillon që tani.

Kur lexojmë historitë nga jeta e dijetarëve të mëdhenj, p.sh. imam Ebu Hanifja për shumë vite me radhë falte namazin e sabahut me abdesin e namazit të jacisë, apo imam Shafiu e përfundonte Kuranin për një kohë shumë të shkurtër, ne çuditemi pak me gjendjen e tyre. Si është e mundur kjo? Si mundet njeriu të arrijë një nivel të tillë në adhurimet e tij?

Adhurimi i tyre nuk priste ardhjen e muajit të caktuar, për ta filluar. Por ishte një praktikë që i shoqëronte gjatë gjithë jetës. Nëse njeriu i vendos synime vetes për t’i nisur disa adhurime, qoftë edhe në përmasa të vogla, që në muajin e Rexhebit, atëherë ai do ta presë shumë më mirë muajin e madh të Ramazanit. Çdo vepër e mirë duhet filluar që në stinën e saj. Kush hedh fara adhurimi në Rexheb, i ujit ato në Shaban, do të ketë çfarë frytesh të mbledhë në muajin e Ramazanit.

 

Postime të ngashme