Veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija

Abdullah ibn Mesudi r.a. ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut s.a.s dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, kam puthur një femër në periferi të Medines, kam bërë me të gjithçka përveç marrëdhënieve intime, më gjyko si të duash!”.

Omeri r.a. tha: “Allahu të ka mbuluar, ta kishe mbuluar edhe ti veten.”

I Dërguari i Allahut s.a.s nuk i tha asgjë, ndërsa njeriu u ngrit dhe u largua. Më vonë i Dërguari i Allahut s.a.s dërgoi një njeri ta thërrasë dhe ia lexoi ajetin e sures Hud: “Falni namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.”[1]

Pasi dëgjoi ajetin i tha: “A është kjo vetëm për mua, o i Dërguar i Allahut?”

I Dërguari i Allahut s.a.s i tha: “Është për të gjithë umetin tim”.[2]

Sahabët vinin tek i Dërguari i Allahut s.a.s për ta informuar për ndonjë krim, mëkat apo gabim që kishin bërë, për t’u penduar më vonë dhe për të paguar çfarëdolloj dënimi. Kjo duhet pranuar si një tregues se sa thellë ishin ata të përkushtuar ndaj frikës ndaj Allahut xh.sh dhe besimit në botën tjetër. Sepse ata besuan se dënimi që do të vuajnë në këtë botë do ta shlyejë ose do ta zbusë dënimin në ahiret. Ata nuk do të donin të paraqiteshin para Allahut xh.sh, me mëkate të tilla. Kjo ngjarje është vetëm një nga disa prej shembujve të njohur.

Prej mëshirës së Allahut për robërit e Tij është përgatitja e disa shkaqeve, ku me veprimin dhe praktikimin e tyre myslimanit i falen dhe i shlyen mëkatet e bëra. Ato shkaqe janë disa vepra dhe thënie të cilat Allahu xh.sh i përmend në librin e Tij apo na i rrëfen Profeti s.a.s, në hadithet e tij.

Disa prej këtyre shkaqeve janë:

1- Besimi në Allahun xh.sh, njësimi i Tij dhe vepra e mirë.

Allahu xh.sh thotë: “Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.”[3]

Ebu Hurejra r.a, na përcjell se Profeti s.a.s, ka thënë: “Hapen dyert e Xhenetit ditën e hënë dhe ditën e enjte, dhe në këto ditë i falet çdo robi që s’i bën shirk Allahut.”

2- Largimi prej mëkateve të mëdha.

Allahu xh.sh thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.”[4]

Ebu Hurejra r.a na transmeton se Profeti s.a.s ka thënë: “Pesë kohërat e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha”.

3- Pendimi i sinqertë.

Allahu xh.sh thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kijametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”[5]

Ibën Maxhe na përcjell prej Abdullah ibën Mesudit r.a se Profeti s.a.s ka thënë: “Ai që pendohet prej mëkatit është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat”.

4- Istigfari (kërkimi i faljes).

Allahu xh.sh thotë: “Kërko falje prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”.[6] “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj,me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”[7]

Ebu Daudi na përcjell prej Zejdit r.a se Profeti s.a.s ka thënë: “Kush thotë: Estagfirullah el ledhi la ilahe il-la huve el hajju el kajjumu ue etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, të Cilit me të vërtet i takon adhurimi vetëm se Atij, të Gjallit përgjithmonë dhe Mbikëqyrësit të Përjetshmit, dhe tek Ai pendohem), i falen atij mëkatet edhe në rast se ka ikur nga beteja”.

Në një hadith kudsij Allahu xh.sh ka thënë: “O robërit e Mi, ju gaboni gjatë ditës dhe natës, ndërsa Unë jam falës i gjitha mëkateve. Kërkoni falje prej meje dhe unë do ua fali.”

5- Abdesi.

Muslimi në librin e tij shënon një hadith prej Humranit, shërbëtorit të Osmanit r.a i cili thotë: I solla Osmanit r.a ujë për abdes dhe pasi mori abdes më tha: Njerëzit i thonë disa hadithe për Profetin s.a.s që nuk e di se prej ku e kanë burimin, mirëpo unë e kam parë Profetin s.a.s, që mori abdes ashtu siç mora unë, e pastaj tha: “Ai i cili merr abdes në këtë formë, i falen atij mëkatet e kaluara”.

6- Namazi dhe hapat e bërë për në xhami.

Imam Muslimi në librin e tij shënon një hadith prej Ebu Hurejrës r.a, se i Dërguari I Allahut s.a.s ka thënë: “A dëshironi t’u tregoj për veprat që i shlyejnë mëkatet dhe i lartësojnë gradat e juaja? Të pranishmit thanë: Po, O i Dërguar i Allahut!Profeti s.a.s tha: “Marrja dhe plotësimi i abdesit edhe atëherë kur është vështirë, bërja e hapave të shumta për në xhami, pritja e namazit në xhami pas namazit që ke falur në xhami…”.

7- Lëmosha (Sadakaja).

Allahu xh.sh thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.” [8]

Tirmidhiu na shënon një hadith prej Muadhit r.a, se i Dërguari I Allahut s.a.s i ka thënë: “A dëshiron t’i tregoj dyert e mirësisë? – Agjërimi është mbrojtje, ndërsa lëmosha e shuan mëkatin sikurse uji e shuan zjarrin.”

8- Haxhi dhe Umreja.

Imam Nesaiu shënon një hadith prej ibën Abasit r.a se Profeti s.a.s ka thënë: “Bëjeni vazhdimisht Haxhin dhe Umren, se ato ua shlyejnë mëkatet siç e largon zjarri ndryshkun nga hekuri.”

9- Sprovat dhe belatë.

Imam Buhariu shënon një hadith prej Ebu Hurejrës r.a se ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë gjemb që e shpon, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”.

10- Agjërimi i Ramazanit dhe namazi vullnetar në këtë muaj.

Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith prej Ebu Hurejrës r.a se Profeti s.a.s ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.

 

[1] Surja Hud, 114

[2] Buhari, Mevakit 4, Tefsiru sure (11) 6

[3] Surja Ankebut, 7

[4] Surja Nisa, 3

[5] Surja Furkan, 68-70

[6] Surja Nisa, 106

[7] Surja Muzemil, 20

[8] Surja Bekare, 271

Postime të ngashme